Putini dhe Trumpi dakordohen për “partneritet të barabartë”
Presidenti amerikan Trump ka telefonuar për herë të parë pas marrjes së postit me Putin, Merkel, Hollande… Në raport me Putinin janë treguar simpati të dyanshme. Presidentët Donald Trump dhe Vladimir Putin në bisedën telefonike kanë rënë dakord për raporte bilaterale në nivel të barabartë, kumtoi Kremlini pas telefonatës. Njëkohësisht duhet të përmirësohet koordinimi mes Rusisë dhe SHBA në luftën kundër organizatës terroriste IS në Siri. Trumpi ka kumtuar shkurt se është i mundur edhe aksioni i përbashkët ushtarak me Rusinë. Pas një periudhe të raporteve të këqija mes SHBA dhe Rusisë, presidentët janë dakorduar që këto raporte t’i stabilizojnë dhe përmirsojnë. Ata kanë rënë dakord për vazhdimin e kontakteve të rregullta personale dhe kanë kërkuar prej shtabeve të tyre që të përcaktojnë vendin dhe kohën e mbajtjes së takimit të parë.
Simpatitë mes vete
Në këtë telefonatë është biseduar për stabilitetin strategjik, konfliktin në Lindjen e Mesme, programin atomik të Iranit, gjendjen në siujdhesën e Koresë dhe në Ukrainë. Në këto çështje do të ketë bashkëpunim dhe partneritet të barabartë. Në këtë telefonatë nuk ka qenë në qendër të vëmendjes heqja e sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, për shkak të luftës në Ukrainë. Trump tha se populli amerikan shikon “me simpati Rusinë dhe shtetasit e saj”. Thuhet se njëjtë është shprehur edhe Putini për popullin amerikan dhe ndjenjat ruse ndaj këtij populli.
Trump kohët e fundit ka pasur disa herë deklarata pozitive për Putinin dhe ka mbështetur afrimin me Rusinë. Putini ka qenë ndër të parët që e ka uruar Trumpin për fitore në zgjedhjet e nëntorit.
Hollande paralajmëron Trumpin
Trump ka telefonuar të shtunën edhe me presidentë dhe kryeministra të tjerë. Ndër tjerash edhe me kancelaren gjermane Angela Merkel, të cilën e ka akuzuar rëndë gjatë fushatës elektorale, duke e quajtur politikën e saj ndaj refugjatëve si “katastrofale”. (Më shum lexoni në: http://www.dw.com/sq/merkel-dhe-trump-theksuan-r%C3%ABnd%C3%ABsin%C3%AB-e-nato-s/a-37318909)
Ndërsa presidenti i Francës François Hollande e ka paralajmëruar presidentin Trump nga politika e prçarjeve dhe ndarjeve. Hollande ka folur edhe për pasojat e mundshme të politikës së proteksionizmit në ekonomi, u kumtua nga Pallati Elysée. Presidenti i Francës ka kërkuar edhe respektimin e parimeve demokratike, ndër to edhe gatishmërinë për pranimin e refugjatëve.
Trump të premten ka nënshkruar një dekret për ndalimin e futjes së refugjatëve në Amerikë. Ai ka nxjerrë nga fuqia edhe programin për refugjatë, për 120 ditët e ardhshme. Ndërsa futja e refugjatëve nga Siria në SHBA është ndaluar për një kohë të pacaktuar.
bc/chr/rb (dpa, afp)