Albspirit

Media/News/Publishing

Sot kanë ditëlindjen Ismail Kadare dhe Xhevat Lloshi

January 28, 2017 

 

 

Xhevdet Shehu

Sot, më 28 janar kanë ditëlindjen dy njerëz të shquar të kulturës sonë kombëtare: Ismail Kadareja mbush 81 vjeç, ndërsa Xhevat Lloshi 79. Të dy këta, me veprën e tyre kanë vënë prej kohësh “vulën” në historinë e kulturës dhe të letërsisë shqipe, ndërsa ne na mbetet vetëm t’u jemi mirënjohës për gjithçka ata kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë në shërbim të këtij kombi që i përkasin. Preteksti pse i bashkojmë të dy këto personalitete në një shkrim të vetëm, është përtej ditëlindjes së tyre, gjuha shqipe, të cilën ata e kanë pastruar, zbukuruar dhe mbrojtur me aq dashuri.

***

Prof. Xhevat Lloshi ka një respekt dhe vlerësim maksimal për atë që ka bërë shkrimtari i shquar Ismail Kadare. Ja si shkruan ai për Ismailin në  një shkrim të tij të para disa viteve nën titullin“Kadare-çliruesi i shqipes letrare”: “Vepra e Kadaresë me aq vëllime sa nuk i ka arritur asnjë shkrimtar yni më parë, nuk ka veç disa fjalë të reja, por është e tëra një neologji, një fjalë e re në letërsinë shqipe. Organizimet e paprovuara më parë të tekstit letrar shqip, rindërtimi i ligjëratave historike, etnografike dhe sociale, mimetizimi i gjendjeve psikologjike dhe emocionale të brendshme, deri te shkërbimi sarkastik i disa gjuhëve të huaja, bashkë me përftesat leksikore e kuptimore te Kadareja jo vetëm e kanë pasuruar shqipen, por edhe e kanë tejkaluar në mënyrë të pashembullt lëvrimin e saj artistik të mëparshëm. Ai ka shkelur shtigje të paeksploruara, në të cilat tashti po ecin edhe të tjerë letrarë.

Pas Kadaresë gjuha e letërsisë shqipe nuk është më ajo e dikurshme; është mbushur me një ligjërim tjetër. Ai e bëri atë jo thjesht më të pasur, por edhe më të lirë, më të bukur, më artistike, më të zhdërvjellët, më shprehëse, më intriguese, më tronditëse.

Shqipja sot është një gjuhë botërore e letërsisë artistike. Këtë e bëri Ismaili”.

Ky shkrim, të cilin unë do ta konsideroja si një kuintesencë të të gjithë mendimit më të përparuar shqiptar dhe të mirënjohjes së bashkëkombasve të tij për një shkrimtar të jashtëzakonshëm, Xhevat Lloshi e përmbyll me këto fjalë:

“Ka pasur një teori të përhapur 70-80 vjet më parë, se gjuhën shqipe kombëtare do ta krijonte një shkrimtar gjenial shqiptar, duke bërë paralelizëm, për shembull, me Danten për italishten. Pa hyrë tashti në hollësirat pedante të argumentimeve gjuhësore, më lejoni ta mbyll me këtë pohim:

Edhe në rast se e kemi kërkuar shkrimtarin gjenial, ja ku e kemi: Ismail Kadarenë. Ja ku e kemi edhe gjuhën me të cilën ka shkruar, edhe gjuhën për të cilën ka shkruar. Ky princ i letërsisë shqiptare është edhe princ i gjuhës shqipe”.

***

Për Ismailin kam ndjesinë se i janë shqiptuar të gjitha vlerësimet maksimale brenda dhe jashtë vendit. Pa asnjë dyshim ai është një nga shkrimtarët botërorë më të më mëdhenj bashkëkohës. Kontestuesit e tij, që gjithsesi janë më të paktë se admiruesit e veprës së tij, fërkojnë duart apo barkun e thonë: Ka fituar gjithë ato çmime, por nuk e ka marrë ende çmimin Nobel! Mirëpo kontestuesit harrojnë një fakt të thjeshtë: Nobeli nuk është kuti absolut i vlerësimit të shkrimtarit. Ka një vlerë monetare të konsiderueshme ai çmim, por nuk ka një vlerë po aq të barazvlefshme artistike. Sepse, rekordi që ka krijuar prej rreth 30 vjetësh si pretendent i çmimit Nobel, e bën Kadarenë tonë të pakonkurrueshëm në këtë garë. Në të vërtetë, Ismaili duhej ta kishte fituar këtë garë të paktën nja dy dekada më parë. Fakti që laureat i Nobelit për vitin e kaluar në letërsi u shpall një kantautor si Bob Dylan, mendoj se ia ngre vlerat Ismailit si shkrimtar i njohur botërisht.

Ismail Kadare sot identifikohet me Shqipërinë në të katër anët e globit. Kur përmendet emri i Ismailit, në mënyrë të vetvetishme të huajtë bëjnë lidhjen me Shqipërinë. Këtu nuk ka asnjë teprim. Vepra e tij mahnitëse i tërheq përkthyesit, natyrisht sipas interesimit të lexuesve, që t’ua përçojnë korpusin e veprave të tij sa më afër origjinalit. Në 80-vjetorin e shkrimtarit u mblodhën në Tiranë përkthyesit më të shquarit të Kadaresë nga e gjithë bota dhe diskutuan pikërisht për thelbin e përjetësimit të kësaj vepre unikale në kulturën botërore.

Ismaili nuk ka nevojë për avokatë. Duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm për vlerat që ka krijuar, ai është një nga shpërfillësit më të mëdhenj të mediokërve që e sulmojnë pambarimisht.

***

Miku im Bashkim Kuçuku, një studiues skrupuloz i veprës së Kadaresë, ka bërë disa botime të një vepre të tij nën titullin “Kadare në gjuhët e botës”. Në botimin e parë të kësaj vepre (në vitin 2000, pasi më pas ajo është ribotuar duke u plotësuar me përkthimet e panumërta të Kadaresë në të katër anët e globit), Bashkimi shprehte keqardhjen që vepra më e përkthyer e shkrimtarit tonë në më shumë se 40 gjuhë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” nuk ishte përkthyer ende në një gjuhë të madhe si gjuha kineze që kapte gati një të katërtën e globit… Mirëpo, pikërisht në vitin 2000 vjen në Tiranë një përkthyes gjigand i letërsisë shqipe në gjuhën kineze, Çen En Bo. Unë e shoqërova për rreth dy javë mikun e madh të shqiptarëve dhe një nga adhuruesit më të pashembullt të shqipes, Profesorin Çen En Bo. Dhe ai më tha se përkthimin e ‘Gjeneralit…” e kishte bërë me shumë sukses qysh në mesin e viteve ’80, pikërisht në akullnajën e marrëdhënieve Shqipëri-Kinë. Madje, kishte përkthyer edhe filmin e Dhimitër Anagnostit “Kthimi i ushtrisë së vdekur” mbi motivet e romanit të famshëm të Kadaresë.

Ndërkaq, si për t’iu kundërvënë gjithë kësaj fame botërore të shkrimtarit, prej më shumë se dy dekadash janë artikuluar dy akuza apo sajime që janë amplifikuar me shumë kujdes.

E para, që pas përmbysjes së diktaturës Ismaili ka humbur shkëlqimin e tij si shkrimtar, domethënë duke lënë të nënkuptohet se veprat më të mira ai i ka shkruar nën diktaturë, së cilës ai i shërbeu. E kanë quajtur shkrimtar oborri, sejmen të diktatorit etj. Mendoj se ka një keqdashje në artikulimin e kësaj “akuze”, nëse mund të quajmë të tillë një fabrikim që shumëfishohet me dhe pa vetëdije. Studiuesit e vëmendshëm të Kadaresë kanë theksuar se vepra e tij pas vitit 1990 nuk e ka humbur aspak shkëlqimin. Ajo është një vazhdim i natyrshëm i gjithë krijimtarisë së tij, duke thyer kornizat e regjimeve. Sepse një roman si “Darka e gabuar” apo sprovat e tij të famshme të shkruara pas përmbysjes së diktaturës si “Eskili, ky humbës i madh”, “Hamleti, princi i vështirë”, “Dantja i pashmangshëm”, për të kulmuar me veprën “Mosmarrëveshja”, vetëm një Ismail mund t’i bënte.  Këto vepra kanë ardhur natyrshëm si vijimësi e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, e “Kronikë në gur”, e “Dimrit të madh”, e “Kështjellës”, e “Pallatit të ëndrrave”, e “Muzgu i perëndive të stepës”, e “Laokoontit”, e sa e sa veprave të tjera që Ismaili i ka realizuar në kulmin e zymtësisë së diktaturës.

E dyta, është një akuzë tërësisht jashtë letrare: Ismaili është shkrimtar i madh, por jo i tillë si njeri. Domethënë vënë një vijë ndarëse midis shkrimtarit dhe njeriut Kadare. Ma përsëriti këtë një person para disa ditësh. Dhe unë e pyeta: A e ke takuar ndonjëherë Ismail Kadarenë, a ke biseduar ndonjëherë me të? Jo, më tha. Nuk e kam takuar kurrë. Po kështu thonë…

Ja pra se çfarë ndodh. E ndajnë në mënyrën më të përbindshme shkrimtarin nga njeriu. Por shkrimtari është njësh me veprën e tij. Një njeri i keq nuk mund të bëjë vepra të mëdha dhe kaq humaniste që u shërbejnë jo vetëm bashkëkohësve, por edhe pasardhësve. Djallëzia qëndron në faktin se duan ta shembin veprën e shkrimtarit me sjelljen e tij, me arrogancën e tij, me shpërfilljen e tij ndaj mediokritetit që mbizotëron gjithandej. A ka ndonjë bazë në këtë opinion? Shumëkush mendon se po, nisur nga fakti seIsmail Kadare është mendjemadh, është shpërfillës, është arrogant, është prepotent i pashembullt ndaj disave që nuk kanë të bëjnë as me letërsinë dhe as me vlerat normale njerëzore.  Sepse ai është i pakrahasueshëm më askënd. Dhe ai nuk gjen dot kohë të tepërt për ta humbur. Si i tillë ai nuk i duron turmat e mediokërve që abuzojnë skajshmërisht me lirinë e fjalës dhe mungesën e censurës. Dhe ata nevrikosen edhe më shumë kur shkrimtari i shpërfill, i injoron totalisht dhe i sheh me bishtin e syrit me një ironi të pafshehshme, sikur t’u thotë: Të mjerët ju, nuk e kini marrë vesh akoma se ç’është arti i të shkruarit! Nuk jeni në gjendje të bëni art të madh dhe merreni me vogëlima, me vese njerëzore lehtësisht të injorueshme dhe pa kurrfarë vlere. Fatkeqësi për ju!…

Por, nga ana tjetër, mund të sillen edhe shumë shembuj të tjerë se si Ismaili ka vlerësuar maksimalisht shkrimtarët, poetët dhe njerëzit e mëdhenj të kulturës sonë kombëtare si Migjeni, Naim Frashëri, Eqrem Çabej, Lasgush Poradeci  e tjerë. Dy shkrimtarët aktualë më të shquar të letërsisë shqipe, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, e respektojnë njëri-tjetrin si krijues dhe si sjellës të vlerave të vërteta në kulturën kombëtare. Nuk është aspak rastësi që ata janë gjithashtu dhe mbrojtës “fanatikë” të shqipes standarde. Ashtu si në pararojë të mbrojtjes së shqipes standarde janë vënë personalitete të shquara të kulturës sonë si Rexhep Qosja, Emil Lafe, Rami Memushaj, Gjovalin Shkurtaj e të tjerë.

… Vetëm Zotin kemi pranuar si të pamëkatë, pa asnjë ves e pa asnjë cen. Ne frymorët kemi gjynahet tona. Ismaili është një njeri dhe si njeri ka veset e tij. Po ai mbi të gjitha është shkrimtar i madh. Dhe si shkrimtar përdor me një mjeshtëri të jashtëzakonshme të gjitha mjetet, figurat letrare dhe fantazinë për të bërë atë art të magjishëm që ka bërë dhe vazhdon të bëjë.

Në mbrojtje të shqipes

Për gjuhën letrare të njësuar, standardi i së cilës u vendos në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe më 1972, pavarësisht nga kontestimet, gjuhëtarët tanë më të mirë si dhe albanologë të ndryshëm bashkohen në mendimin se është bërë një punë e lavdërueshme që kurrsesi nuk duhet shkatërruar. Në mbrojtje të saj janë ngritur të gjithë shkrimtarët dhe gjuhëtarët tanë më të mirë. Shkrimtari më i njohur i letrave shqipe në botë, Ismail Kadare, është nga mbrojtësit më të zjarrtë të gjuhës shqipe dhe mbase më i ashpri në reagimet ndaj atyre që sulmojnë këtë monument madhështor të identitetit tonë kombëtar dhe që qëndron denjësisht ndërmjet shtatë-tetë gjuhëve themelore të Europës. Madje, më tepër atë e irritojnë sidomos disa intelektualë shqiptarë kundërvënës, të cilët, më shumë se një herë, i ka quajtur as më pak e as më shumë, por të shitur.

Xhevat Lloshi

Xhevat Lloshi

Mirëpo, disa vjet më vonë, më 1989, Arshi Pipa botoi në SHBA një libër me titull: The Politics of Language in Socialist Albania (Politika Gjuhësore në Shqipërinë Socialiste). Këtë libër, profesor Xhevat Lloshi, në një artikull të gjatë të botuar në revistën SOT më 1991, nën titullin “Kultura shqiptare përpara shqetësimesh të reja” (artikull që, më 1997, është përfshirë në librin “Mbështetje për gjuhën letrare”, të të njëjtit autor) do ta quante librin me mendësitë më të prapambetura  në gjithë gjuhësinë botërore për atë vit (1989)…

Në atë libër, A. Pipa ngrihej botërisht kundër Gjuhës Shqipe të Njësuar, ndërsa argumentonte se, e ashtuquajtura gjuhë letrare e njësuar as ka qenë e nevojshme dhe as e ka kërkuar populli shqiptar, meqë shqiptarët prej kohësh kanë qenë mësuar me bashkekzistencën e tyre paqësore dydialektëshe etj. Për të mbushur mendjen e lexuesit, ai sjell në libër një mori shembujsh, ku, në thelb, gjuhën letrare shqipe e quan një veprim hakmarrës të toskëve kundër gegëve…

Në të vërtetë, Arshi Pipa në librin e tij, e më pas në intervistat që ka dhënë, më shumë se më gjuhësi, merret me politikë. Mendoj se Xh. Lloshi me kundërvënien e tij të ashpër ka patur plotësisht të drejtë, pasi goditi thelbin e një dukurie të rrezikshme që filloi të shfaqet në horizontin e kulturës gati në të njëjtën kohë me shndërrimet e vrullshme politike të fillimit të viteve ’90. Nuk është pra thjesht denoncimi dhe demaskimi i pikëpamjeve të mbrapshta të një individi, por denoncimi dhe demaskimi i një fenomeni, frymëzuesi kryesor, në mos i vetmi i të cilit u bë Arshi Pipa.

Prof. Xh. Lloshi e quan A. Pipën shkatërrimtari më i zellshëm i shqipes letrare, ndërsa librin e tij “Politika gjuhësore…” si burim i të gjitha çështjeve për diskutim.

***

Të shkruash seriozisht për një autor si Xhevat Lloshi nuk është e lehtë. Nuk mund të marrësh një vepër të veçuar për të dhënë të plotë portretin e tij. Duhen njohuri për gjithë veprat e tij, duhet njohur stili i tij që pasqyrojnë temperamentin dhe kulturën e tij të gjerë. Këtë e vështirëson edhe fakti se ndonëse të gjithë e njohin si gjuhëtar, ai është një poliglot dhe enciklopedist i vërtetë dhe ka shkruar me të njëjtin pasion dhe me të njëjtën kompetencë e përgjegjësi shkencore edhe për historinë e figura historike, për pedagogjinë, për gjeografinë, për arkitekturën, për letërsinë etj. Kam parasysh këtu jo vetëm punimet e tij shkencore për gjuhën shqipe që shtrihen në një hark kohor pre më shumë se tre shekujsh, por edhe vepra të tilla madhore si “Fjalor i emrave të bimëve dhe të kafshëve” (Anglisht-Shqip dhe Shqip-Latinisht-Anglisht) një vepër që nuk ka arritur ta bëjë deri më sot as Akademia jonë e Shkencave, as dhe specialistët e botanikës apo të kafshëve në Shqipëri. Me rëndësi të posaçme është dhe vepra tjetër “Përkthimi i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit 1919-1827” e cila i kushtohet botimit të parë të Dhiatës së Re në gjuhën shqipe.

Nga punët e rëndësishme të Profesor Xhevat Lloshit do të të veçoj dy, të cilat janë të papërsëritshme dhe unikale në llojin e vet. E para është vepra “Ëilliam Martin Leake ‘Kërkime për shqiptarët dhe për gjuhën shqipe” (Bota shqiptare, 2006). Koloneli anglez Uilljam Martin Liku është ndër të parët veprimtarë shtetërorë, historianë dhe gjuhëtarët europianë, që është marrë gjerësisht me vendin, popullin dhe gjuhën tonë. Xhevat Lloshi është i pari dhe i vetmi ndër gjuhëtarët tanë që nxori në dritë kontributin e Likut, madje duke bërë krahasimin e fjalorëve të tij në pesë gjuhë. Është kjo një vepër e njëmendtë shkencore që meriton lavdërimet më të shquara akademike, të cilat deri më sot fatkeqësisht kanë munguar.

Një vepër tjetër po aq e rëndësishme është “Rreth alfabetit të shqipes”, Logos A, Shkup 2008. Është padyshim, një ndër librat më të plotë dhe më seriozë shkencorë i botuar në 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit që sanksionoi alfabetin latin që kemi sot për shqipen. Por nuk po zgjatem më tej me këtë tiradë lëvdatash për Profesorin e shquar të shqipes. Vepra e tij meriton një studim dhe vlerësim të vëmendshëm. Ky përvjetor i ditëlindjes së tij ishte thjesht një pretekst për të evidentuar kontributin e tij si gjuhëtar dhe studiues.

***

Në muajin nëntor të vitit të kaluar u botua vepra më e re e Prof. Xhevat Lloshit nën titullin ‘Përsiatje hulumtuese’ nga shtëpia botuese ‘Argeta LMG’. Pak muaj më përpara, nga e njëjta shtëpi botuese, ishin botuar edhe dy libra të tjerë të tij ‘Intervista’ (ku janë përmbledhur intervista dhe bashkëbisedime të autorit për çështje të ndryshme kulturore dhe politike sidomos në 25 vitet e fundit) si dhe ‘Tregime e novela’ (ku është bërë një përmbledhje e përkthimeve të prozës së shkurtër nga disa gjuhë, kryesisht nga rusishtja, anglishtja dhe frëngjishtja që profesori i ka bërë përgjatë më shumë se 50 viteve).

Profesor Xhevat Lloshi është një nga mendjet më të iluminuara dhe një punëtorët më të mëdhenj që kam njohur. Veprimtaria e tij ndonëse në thelbin e saj ka gjuhësinë, ka një gjerësi jashtëzakonisht të madhe. Kam bindjen se po të mos ishte marrë me gjuhësi, Xhevat Lloshi do të ishte një nga shkrimtarët më të mirë në vend. Kjo duket në stilin e tij të të shkruarit, te mjetet që përdor për të shprehur një mendim apo situatë, te portretizimet që u bën personazheve që në të vërtetë janë personalitete kulturorë, gjuhëtarë, studiues, albanologë, shkrimtarë etj. Libri më i ri i Profesorit “Përsiatje hulumtuese” është një dëshmi e pakontestueshme për këtë që sapo thashë. Për shëmbull shkrimi “Me shërbim në Pukë” është një tregim i mirëfilltë artistik në të gjithë elementët e tij që nga kompozicioni dhe deri te gdhendja e personazheve. Dhe ky tregim është shkruar në vitin 1965. Prandaj dhe them se letërsia mund të ketë qenë një nga pasionet më të hershme të Xhevat Lloshit. Por është gjithashtu fakt se letërsia dhe studimi i hollësishëm i saj i ka dhënë një ndihmesë të pashoqe Profesorit për studimet e tij shteruese që ka bërë për gjuhën shqipe në veçanti dhe për gjuhësinë në përgjithësi.

Një tregim i mrekullueshëm është dhe “Kultura korçare sallonit”. Në këtë tregim personazh është një qytet. E përshkruar me shumë dashuri, autori ka dhënë një portret madhështor dhe magjepsës për një qytet që duket se e do shumë që nga fëmijëria dhe rinia e hershme e tij. E për të bërë portretin e këtij qyteti ai mjeshtërisht ka ditur të pikasë një karakteristikë krejt të veçantë të tij, sallonin dhe mandej ta veshë këtë portret me elementë të tjerë, me serenatat, me kulturën e komunikimit, me dashurinë për arsimin… Qysh në radhët e para të këtij tregimi, autori shkruan: “Ndonëse është një nga qytetet më të rinj të Shqipërisë, Korçës i ka mbetur epiteti ‘Korça plakë’”… Dhe tri radhë më poshtë: “Disa shtëpi korçare kanë në hyrje një sallon, që nuk e gjen në banesat e qyteteve të tjera, të ndërtuara në vitet menjëherë pas Luftës së Parë Botërore. Salloni nuk është thjesht pjesë e një banese, por është më tepër: pjesë e një kulture”. Duke shtjelluar Korçën e salloneve, na shfaqen artistët e mëdhenj korçarë që nga Vangjush Mioja e Dhimitër Orgocka, na shfaqen mësuesit e shkëlqyer, matematicienët, gjuhëtarët, kineastët…

I kësaj natyre është dhe shkrimi vijues “Elbasani 1840”. E, sapo përmendet Elbasani, na kujtohet ‘babai i gjuhës shqipe’ Konstandin Kristoforidhi, jetës së të cilit Xhevat Lloshi i ka kushtuar më të shumtën e jetës së tij. Pas dy shekujsh, Xhevat Lloshi ka studiuar, ka gërmuar në arkiva dhe ka nxjerrë në dritë nëpërmjet librave jetën e këtij iluministi të madh. Është e vërtetë se shumica e shqiptarëve kanë ditur pak ose aspak se kush ka qenë ky burrë që vuri themelet e shqipes. Xhevat Lloshi tashmë ka kompletuar jetën dhe veprën e Kristoforidhit në dhjetë vëllime, shumica e të cilëve janë botuar vitet e fundit. Janë mbi 40 vjet punë këmbëngulëse studimore dhe hulumtuese që ka bërë autori për të arritur në këtë pikë. Po tregoj një detaj, që Profesori nuk ka dëshirë ta përmendë apo t’ia përmendin: Për të studiuar jetën dhe veprën e Kristoforidhit Xhevat Lloshi ka udhëtuar në disa kryeqytete dhe kryeqendra europiane si në Londër, në Stamboll, në Greqi, në Tunizi, në Maltë etj. Këto udhëtime i ka bërë heshturazi, pa asnjë bujë dhe të gjitha me shpenzimet e veta. Ka vajtur në këto qytete e vende dhe ka gërmuar nëpër arkivat përkatëse për të verifikuar të dhënat që i dilnin për Kristoforidhin dhe për të gjetur të reja. Tashmë mund të themi me plot gojën se portreti i Kristoforidhit është plotësuar falë kësaj pune kolosale të Profesorit, të cilit duhet t’i jemi thellësisht mirënjohës.

Xhevat Lloshi gjen një element substancial për të zgjeruar në shkrimet e tij informacionin dhe analizën për një qytet, për një personazh apo ngjarje. Ashtu si sallonet për Korçën, apo shtëpinë e Kristoforidhit për të paraqitur Elbasanin, për Gjirokastrën autori ka gjetur një pretekst tjetër, një vepër të shquar të Ismail Kadaresë. Te studimi kritik “Shekujt e një familjeje si histori e Gjirokastrës” ai mbështetet te vepra “Breznitë e Hankonatëve”, studim që ka shërbyer edhe si parathënie në vëllimin përkatës të veprës së plotë të Kadaresë. Kurse te shkrimi “Janina, mesi i shek. XIX” shtysa është marrë nga gjimnazi i famshëm Zosimea ku kanë mësuar Kristoforidhi, Ismail Qemali, Naim Frashëri, Jani Vretoja e sa e sa emra të tjerë të shquara të kulturës e historisë sonë kombëtare…

***

Mund të shkruhet pambarimisht shumë për këta dy autorë të mëdhenj. Sot ata kanë ditëlindjen dhe, pas atyre që thashë më sipër, a nuk e meritojnë të pimë ndonjë gotë për shëndetin e tyre?!

Please follow and like us: