Albspirit

Media/News/Publishing

Perandoresha e vetme e Kinës, WuZetian

Perandoresha kineze e dinastisë Tang Wu Zetian është perandoresha e vetme femër në historinë kineze. Ajo ka jetuar 82 vjet dhe është shumë e njohur për bukurinë e saj. Sipas shënimeve nga librat historikë, deri në moshën 80-vjeçare ajo ruajti një fytyrë të bukur si të një vajze të re.

Bukuria dhe jetëgjatësia e Wu Zetian-it vijnë nga ushqimet e saj të shëndetshme, të cilat ndihmojnë bukurinë femërore, si për shembull lëkura e kafshëve, prodhime peshku, lule etj. Wu Zetian-it i pëlqente të shijonte trëndafilat. Ajo i urdhëronte shërbyeset e saj të grumbullonin qindra lloj lulesh për të prodhuar ëmbëlsira lulesh me miell orizi, që ishin ëmbëlsira të veçanta perandorake.

Përveç ushqimeve, Wu Zetian i kushtonte vëmendje të madhe edhe mjedisit ku jetonte. Në kopshtin e saj perandorak ishin mbjellë bimë të ndryshme që lulëzonin në stinë të ndryshme. Në pallatin perandorak të perandoreshës Wu Zetian bimët mjekësore lëshonin aromë të mirë, duke ndihmuar në pakësimin e presionit të saj psikologjik.

Rekordet botërore ekzistojnë jo vetëm në fushën sportive,por edhe në fusha të tjera. Perandoresha e vetme kineze, WuZetian, ka shënuar 4 rekorde botërore perandorake.

1. Numri më i madh i kryeministrave.

Gjatë sundimit të saj,WuZetian-i emëroi 73 kryeministra.

2. Mosha më e madhe e hipjes në fron e një perandori.

Wu Zetian u ngjit në fronin perandorak në moshën 67-vjeçare, në vitin 690 pas erës sonë. Ajo luftoi për këtë fron për 53 vjet, qysh nga mosha 14-vjeçare.

3. Mauzoleu më i madh

Periudha e Wu Zetian-it është koha më e lulëzuar e dinastisë Tang. Fuqia e madhe kombëtare ofroi sigurinë financiare për ndërtimin e mauzoleut të saj. Mauzoleu i WuZetian-it është pothuajse një kopje e kryeqytetit të Kinës gjatë dinastisë Tang, Changan, duke fituar titullin e “kampionit të mauzoleve të gjithë perandorëve”.

4. Wu Zetian ka përdorur më shumë tituj vitesh gjatë sundimit të saj si perandoreshë.

Titulli i viteve është një lloj kalendari perandorak. Gjatë 21 vjetëve të sundimit të saj si perandoreshë, WuZetian-i përdori 17 tituj vitesh.

Wu Zetian ndenji për shumë vjet në fronin perandorak të dinastisë Tang dhe mbeti e vetmja perandoreshë grua në historinë kineze. Jeta dhe veprimtaria e saj qenë plot ngjyrime.

Ajo u zgjodh si bukuroshe në oborrin perandorak në moshën 14-vjeçare dhe, më vonë, perandori Taizong i dha asaj titullin “Bukuroshja e talentuar”. Ajo tregoi karakterin e saj shumë të fortë qysh në kohën e rinisë. Perandori Taizong kishte një kalë të ashpër dhe askush nuk e zbuste dot, kurse Wu Zetian iu drejtua perandorit dhe i tha: “Unë mund ta mposht atë, por më duhen tri mjete: një kamxhik i hekurt,një çekiç i hekurt dhe një kamë. Unë do ta rrah atë në fillim me kamxhikun e hekurt. Nëse nuk bindet, do ta godas në kokë me çekiçin e hekurt. Nëse sërish nuk bindet, do t’ia pres fytin me kamë.” Perandori Taizong u habit nga fjalët e Wu Zetianit, ndërsa princit trashëgimtar Li Zhi, që ishte pranë, i pëlqeu shumë karakteri i saj.

Pas vdekjes së perandorit Taizong, princi trashëgimtar Li Zhi hipi në fronin perandorak dhe u quajt perandori Gaozong, kurse Wu Zetian e çuan në një manastir dhe u bë murgeshë budiste. Pas disa kohësh, perandori i ri, Li Zhi e ktheu atë në oborrin perandorak dhe e emëroi konkubinë fisnike. Por Wu Zetian nuk ishte e kënaqur vetëm me titullin e konkubinës fisnike, sepse ajo kishte ndër mend të bëhej perandoreshë.

Gjithë jetën e saj, ajo u soll me konkurrentet e veta me po atë mënyrë, që përdori për të mposhtur kalin e egër. Me të njëjtën mënyrë, ajo mposhti edhe perandoreshën e parë. Një ditë, perandoresha e gjorë Vang, që nuk kishte lindur fëmijë dhe që i donte shumë fëmijët e të tjerëve, shkoi për vizitë tek Wu Zetian, e cila sapo kishte lindur një vajzë. Kur u largua perandoresha Vang pas vizitës, Wu Zetian e mbyti. Perandori Gaozong kujtoi se foshnjën e mbyti perandoresha Vang dhe e urreu atë. I nxitur nga Wu Zetian, ai e caktoi atë perandoreshë.

Pas vdekjes së perandorit Gaozong, Wu Zetian hoqi radhazi dy nga djemtë e saj nga froni perandorak, vetë u shpall zyrtarisht perandoreshë në moshën 67 vjeçare.

Ajo i nxiste zyrtarët lokalë të rekomandonin njerëz të talentuar dhe, pas provave, i vinte ata në poste të rëndësishme shtetërore. Ajo mori masa për mbrojtjen e atyre funksionarëve qeveritarë, që guxonin të bënin hapur vërejtje ndaj punëve shtetërore dhe për kufizimin e privilegjeve të të afërmve të saj, gjë që luajti rol pozitiv për konsolidimin e unitetit kombëtar dhe për ruajtjen e stabilitetit shoqëror.

U Zetian vdiq në moshën 82-vjeçare dhe u varros pranë të ndjerit burrit të saj, perandorit Gaozong. Në varrezë u ngrit një përmendore pa mbishkrim sipas amanetit të saj, me qëllim që meritat dhe gabimet e saj të vlerësohen nga pasardhësit.

Please follow and like us: