Albspirit

Media/News/Publishing

Phenian, propagandë me websitet kineze

Korea e Veriut ka vetëm 28 website, por shumë faqe elektronike të saj propagandohen në Kinë dhe në vende të tjera. Youku.com, websiti më i madh kinez për shpërndarjen e videove është një ndër kanalet që po përdoret nga Korea e Veriut për përmirësimin e imazhit të këtij vendi në botë.

Pas regjistrimit 3 vjetë më parë, UriminzokkiriTV, një llogari e websit-it koreanoverior “uriminzokkiri.com” ka publikuar më shumë se 14,000 video në Youku.com.

“Uriminzokkiri.com”, në gjuhën koreane do të thotë “kombi ynë” u krijua në vitin 2000 dhe publikon lajme ose njoftime nga agjencia zyrtare e lajmeve verikoreane “KCNA”, si dhe gazetat e tjera lokale. Që nga viti 2010, ky site nisi të publikojë edhe video-informative në mediat amerikane si YouTube, Facebook dhe Twitter. Një kërkim për adresën e IP-së së site-t uriminzokkiri.com tregon se është regjistruar në qytetin Shenyang të provincës Liaoning të Kinës Verilindore.

Pas videos së parë në gushtin e vitit 2013, në këtë faqe elektronike publikohen vazhdimisht video për filma, telenovela, buletine lajmesh dhe festivale artistike të Koresë së Veriut. Në uriminzokkiri.com, logoja e Youku.com-it paraqitet bashkërisht me ato të YouTube, Facebook, Twitter, gjë që tregon se videot e publikuara në youku.com janë vendosur nga stafi i këtij websiti.

Mungesa e titrave në gjuhë të tjera bën që numri i ndjekësve të tyre të jetë i kufizuar. Deri tani, çdo video shikohet mesatarisht nga 250 përdorues të internetit në uriminzokkiri.com. Ndërsa , në YouTube, numri i përgjithshëm i shikuesve të videove, të këtij siti ka arritur në 17 milionë.

Videot më të pëlqyera janë ato artistike, kryesisht të festivaleve. Festivali i vitit të kaluar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave tërhoqi mbi 99,000 vizitorë. Por, komentet për videot janë të ndryshme. Disa komentojnë duke vlerësuar talentin e artistëve, si dhe duke e cilësuar Korenë e Veriut, si një vend “plot energji pozitive”. Kurse, të tjerët shprehin mjaft dyshime por dhe kritika e ironi.

Disa përdorues kinezë të internetit, të interesuar për Korenë e Veriut publikojnë filma propagandistikë në website-n kinez Bilibili, i njohur si “Bullet-screen”, ku komentet mund të paraqiten gjatë transmetimit të videove. Një dokumentar për lëshimin e suksesshëm të satelitit Kwangmyongsong-4 nga Pheniani, më shumë ngjan me një komedi sesa me një film serioz, pasi shumica e komenteve janë sarkastike.

Sipas websit-it alexa.com për vlerësimin e popullaritetit të faqeve elektronike, 76.2% e vizitorëve të uriminzokkiri.com vijnë nga Kina. Por ky nuk është i vetmi websit koreanoverior i regjistruar në Kinë. Gazetarët e “Global Times-it”, me të ndryshuar shifrat e fundi të IP-it, gjetën 8 faqe elektronike të tjera në gjuhën koreane, të regjistruara në qytetin Shenyang të Kinës Verilindore që merren me radio, informacione, turizëm dhe përhapjen e ideologjisë së Phenianit.

Ekspertët pohojnë se megjithëse është e paqartë sa website propagande verikoreane janë regjistruar në Kinë, mungesa e infrastrukturës dhe teknologjisë mund të jetë arsyeja përse përdorin serverë kinezë.

Mësohet se deri në nëntorin e kaluar, Koreja e Veriut kishte vetëm 28 website të regjistruara në internetin global. Interneti i këtij vendi është lidhur me botën e jashtme nëpërmjet një sistemi të brendshëm vendor “Kwangmyong”, që përkthehet “i ndritshëm”. Me këtë sistem, banorët vendës mund të shikojnë pak website, të përdorin motorët e kërkimit dhe e-mail-et e lejuar në Korenë e Veriut. Ndërsa, vetëm një pjesë e elitëve të vendit gëzojnë të drejtën e lidhjes me internet me mbarë botën.

Jin Qiangyi, drejtor i Qendrës së Studimeve Aziatike pranë Universitetit Yanbian të Kinës u shpreh se fshehtësia mund të jetë një tjetër arsye që Koreja e Veriut regjistroi websitet jashtë vendit, pasi ato që përfundojnë me “kp”(domain kombëtar të Koresë së Veriut) janë bllokuar nga qeveria jugkoreane. Kurse, banorët e Koresë së Jugut përbëjnë audiencën e shënjestruar të këtyre websiteve propaganduese.

Përveç Kinës, Pheniani ka regjistruar website dhe në vende të tjera si ShBA, Zvicër dhe Japoni për informacionet turistike dhe shitje suveniresh.

Edhe pse Kina është fqinje me Korenë e Veriut, kinezët kanë pak mundësi ta njohin këtë vend, pasi informacionet prej tij nuk publikohen në kohë reale. Fotot dhe lajmet për ngjarje të rëndësishme në Phenian shpesh mësohen nga bota disa ditë më vonë.

Sipas studiuesit Ly Chao, nga Akademia e Shkencave Shoqërore në Liaoning, fjalimi i urimit me rastin e vitit të ri 2017 i liderit verikorean Kim Jong Un u transmetua 10 orë pas paraqitjes së tij.

Ndërsa, kurioziteti i kinezëve dhe qytetarëve nga vende të tjera të botës ndaj Koresë së Veriut është shtuar vitet e fundit. Shumë kinezë e kanë vizituar Korenë e Veriut për qëllim turistik, ose kanë lundruar me anije në lumin kufitar Yalu, duke soditur brigjet koreanoveriore me dylbi.

Një kinez, banor i një fshati në zonën kufitare me Korenë e Veriut u tha gazetarëve të “Global Times-it” se një ndër “pasionet” e tij është të rrijë pranë bregut të lumit dhe të soditë fqinjët koreanoveriorë duke ecur apo duke ngarë motoçikletat, pasi kjo pamje i kujton të kaluarën e vendit.

Please follow and like us: