Porosia e Papës për bashkimin tonë
Veton Surroi
1.
Më 13 mars të vitit 2013, në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, Papa i porsazgjedhur, që i pari ndonjëherë mori emrin e Françeskut, bëri një gjest jo të zakonshëm. Në vend të bekimit tradicional që ai duhej t’u jepte besimtarëve të mbledhur në shesh, kërkoi fillimisht që populli i mbledhur në shesh ta bekonte atë. U përkul thellë për ta pranuar atë nur dhe vetëm pastaj përmbushi traditën duke e bekuar masën që qe mbledhur për të uruar një Papë të veçantë, një që po lë tashmë një gjurmë të thellë në botë.
Qe një inversion ai i bekimit dhe më ra në mend ndërsa lexoja porosinë e Atit të Shenjtë, për Ditën e 50-të Botërore të Paqes. Ndërsa ai porosiste se gjendemi si botë në prag të një lufte të tmerrshme dhe kërkon që kësaj sfide t’i përgjigjemi të gjithë ne me jodhunën si një stil të një politike paqeje, porosia bëri inversionin e vet kohor, më krijoi ndjesinë e vitit 1989-1990, kur në këtë vendin tonë të okupuar kishim përfytyrimin se ishim në prag të një lufte të tmerrshme dhe se duhej dhënë një përgjigje ndaj kësaj sfide të tmerrit.
Disa prej nesh, të përfshirë në lëvizjet politike e civile të asaj kohe, insistuam me vetëdije se përgjigjja e popullit të Kosovës ndaj dhunës së pushtetit të Serbisë duhet të jetë një politikë e padhunshme. Kur ai pushtet vriste vajzat dhe djemtë tanë, ne ndiznim qirinj, duke treguar se nuk mund të fikej drita e këtij populli. Kur pushteti vendoste ndalim-qarkullimin me orë policore, ne nxirrnim çelësat në dritaret e ballkonet tona dhe tregonim se kishim dalje edhe për dyert e mbyllura të pushtetit. Kur pushteti i mbylli shkollat tona dhe i përjashtoi arsimtarët nga puna, populli ynë brenda e jashtë hapi shtëpitë për nxënës dhe qeset për pagat e arsimtarëve.
Kur pushteti hidhte gaz lotsjellës dhe na godiste me kërbaç, ne ngrinim dy gishtërinjtë e paqes dhe fitores.
Kishim besimin, tashmë kolektiv, në fjalët e Jezu Krishtit thënë Pjetrit në momentin e arrestimit të tij përfundimtar:
“Ktheje shpatën në mill, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin”! (Mt. 26,52)
Dhe qemë të bekuar ta përjetonim këtë profeci, vdekjen e një pushteti që donte të na e merrte lirinë me forcën e shpatës.
2.
Prandaj, është një rrëfim lehtë i kuptueshëm, një rrëfim Kosove pothuajse, ky i porosisë së paqes së Papë Françeskut, apo, siç do ta quanim në këto anë, Papës Franë.
Në të është pashmangshmërisht edhe Nëna Terezë, të cilën e shenjtëroi mu ky Papë dhe të cilën e quajti «një simbol, një ikonë e kohëve tona». Kur je i okupuar, i dhunuar në përditshmëri, dhe kur je i angazhuar në një politikë jodhune, e cila, thotë Papa në Porosi, nga të tjerët “nganjëherë kuptohet si dorëzim, mosangazhim dhe pasivitet”, është me rëndësi, siç qe për neve, që të kemi një simbol të kuptueshëm, global, një ikonë të kohëve tona, siç qe ai i Nënës Terezë. Konflikti ynë nuk kishte si të ilustrohej më mirë sesa me shërbimet sociale: spitali i pushtetit kishte emblemë policët e armatosur që rrinin në hyrje të tij, klinikat për shqiptarë ishin ato që mbanin emrin dhe figurën e Nënës së shenjtë Terezë.
Pra, kishim një fat të veçantë të njiheshim botërisht si populli i Nënës Terezë.
Por, në këtë rrëfim është edhe një përcaktim i rëndësishëm që ia bën Papa politikës së propozuar. Ai nuk është avokat i dorëzimit, mosangazhimit e pasivitetit, por, përkundrazi, kur flet për politikën e jodhunës, e quan jodhunë aktive. Pra, flet për një përcaktim të vetëdijshëm, jo tkurrje instinktive, dhe, për më tepër, e quan të suksesshme vetëm jodhunën aktive të “ praktikuar me vendosmëri dhe koherencë”.
Qe një mësim që e përjetuam vetë: politika e jodhunës qe e suksesshme vetëm kur qe aktive, dhe kur qe e praktikuar me vendosmëri e koherencë.
Politika e jodhunës, që nuk është aktive, nuk e ka forcën që ta ndalë më pastaj dhunën e përshkallëzuar.
Për fat të keq, edhe këtë e përjetuam.
3.
Thirrja e Papës Françesk për paqe nuk është konvencionale.
Ajo, ç’është e vërteta, adreson temën e përhershme të Kishës katolike- pra, kërkimin e paqes fillimisht më vete, në shpirtin e njeriut, pastaj në familje ( ku lind konflikti, por edhe ku zgjidhet përmes dialogut) e pastaj në familjen e kombit dhe kombeve. Po ashtu, udhëzon që njeriu e bashkësitë të shërbehen me atë që e quan manualin e paqes, Tetë lumturitë e fjalimit të Jezu Krishtit në Mal. Por, kjo porosi paqeje do lexuar së bashku me një elaborim më të gjatë që u ka bërë Papa sfidave të shekullit XXI që në vitin e parë të pontifikatit të tij, në nëntor 2013, me nxitjen apostolike Evangelii Gaudium.
Si bëhen bashkë këto elemente: familja, Tetë lumturitë, Evangelii Gaudium?
Në Porosinë e paqes përsëritet besimi themelor i “revolucionit të krishterë”, pra, kërkesa për dashurinë ndaj armikut, dhe mundjen e urrejtjes me dashuri. I këtij besimi revolucionar është edhe koncepti i “dinjitetit të thellë”, pra rrjedhimisht, se armiku (apo kundërshtitë, në mendime e veprime) bartin më vete dinjitetin e vet, dhe se këtë dinjitet do kuptuar në mënyrë që të arrihet një stad tjetër. Ai stad tjetër është i përmbajtur në Tetë lumturitë. Në porosi citohen këto fjalë: “Lum të butët – thotë Jezusi – , të mëshirshmit, punëtorët e paqes, ata që e kanë zemrën të pastër, ata që kanë uri dhe etje për drejtësi”. Sepse, thotë Fjalimi në Mal, këta do t’i përjetojnë – i urituri e i etshmi për drejtësi do të ngopen me to, të butët do të trashëgojnë tokën, të mëshirshmit do të gjejnë mëshirë… Në kontekstin e porosisë së paqes, Tetë lumturitë janë në fakt porosi transformuese; pra i urituri për drejtësi do të ngopet me të, sepse do të ketë transformim, e ai transformim do të vijë me pajtuesit “që do të quhen bijtë e Hyjit”.
Pra, në një rikapitullim, Papa kërkon që ta kuptojmë “dinjitetin e thellë” të kundërshtisë (armikut, mendimit ndryshe, etj.) dhe të besojmë se kjo kundërshti mund të transformohet, ashtu siç mësojnë Tetë lumturitë.
Por, në ç’drejtim shkon transformimi?
Drejt unitetit, njësisë, dhe këtu hyn në punë leximi i nxitjes apostolike Evangelii Gaudium.
4.
Sipas Papë Françeskut, në të njëjtën formë siç na ka mësuar Ungjilli se “Krishti i ka njësuar të gjitha gjërat brenda vetes: parajsën dhe tokën, Zotin dhe njeriun, kohën dhe përjetësinë, mishin dhe shpirtin, personin dhe shoqërinë” dhe se “shenja e këtij uniteti dhe bashkërendimi i të gjitha gjërave brenda tij është paqe”, ashtu edhe aspirata për transformimin e konfliktit duhet të jetë uniteti, apo, siç u përkthye në versionin zyrtar, njësia.
Aspirata për njësi paraqet njërin prej besimeve themelore filozofike dhe teologjike të Papës në trajtimin e zgjidhjes së konfliktit. Si në Porosinë e tij të paqes ashtu edhe në nxitjen apostolike, udhëzohemi se konfliktet janë përditshmëria jonë, se kemi mundësi o të ikim prej tyre, o të zhytemi në to dhe të bëhemi pjesë e tyre, ose në versionin e tretë, të cilin e propozon Papa, “duke e zgjidhur dhe duke e kthyer atë në një unazë lidhëse të një procesi të ri”. Dhe ky proces i ri, në fjalët e tij, të synojë që «tensionet dhe të kundërtat të arrijnë një njësi shumëformëshe, që krijon jetë të re», duke ruajtur «potencialitetet e çmueshme të polaritetit në kontrast».
5.
Si do të përkthehej në përditshmërinë tonë, atë të Kosovës, thellësia filozofike – tërë ky arsenal konceptesh që tingëllojnë abstrakte? Për më tepër, si të përkthehen në vërejtjen dramatike që e bën Papa, duke e përcaktuar këtë moment historik si një të rrezikut prej një lufte botërore?
Ta marrim vendin tonë. Shikuar nga lartësitë e gjeopolitikës, vendi ynë është njëri prej pikave të ndeshjes mes idesë euroatlantike (që ka siguruar paqen në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore) dhe interesave të Rusisë për shtrirje të dominimit të vet.
Gjatë shtatë vjetëve të kaluar është zhvilluar një dialog, që është quajtur i paqes, por, megjithatë, një pjesë e madhe e qytetarëve tanë nuk jetojnë në paqe. Mjafton një incident si ai i “trenit rus” e të ndizet ndjenja kolektive e pasigurisë, e paralajmërimit të dhunës. Përse ndodh kjo? A nuk do të duhej të prodhonte një dialog shtatëvjeçar paqe?
Në sugjerimet e Papës, në nxitjen apostolike, rruga e tij e tretë, ajo e zgjidhjes së konfliktit, kërkon të shkohet më thellë se sipërfaqja e të hyhet në “dinjitetin e thellë”, aty ku kundërshtitë transformohen.
Në bisedimet e Brukselit, një kohë e gjatë është harxhuar për targat e veturave dhe për letrat ngjitëse që duhet t’u vihen për të kaluar kufijtë, por as edhe një ditë e vetme nuk është harxhuar për të zhdukurit, për të vrarët në luftë dhe për përgjegjësinë e shtetit për këto vdekje. E, problemi themelor mes Kosovës dhe Serbisë nuk është mundësia e pamundësia e veturave për të kaluar prej njërit territor në tjetrin. Problemi themelor mes Kosovës dhe Serbisë është ende ballafaqimi me armiqësitë që çuan në luftë, përgjegjësitë për viktimat e saj dhe mospërmbylljen e këtij konflikti.
Bisedimet e Brukselit do të mund të vendoseshin në këtë përshkrim të Nxitjes apostolike:
“Konflikti nuk mund të injorohet e as të fshihet. Me të duhet ballafaquar. Por nëse mbesim të zënë nga konflikti, ne e humbasim perspektivën tonë, horizontet tona tkurren dhe vetë realiteti fillon të zhbëhet. Në mes të konfliktit ne e humbasim sensin tonë të unitetit të thellë të realitetit”.
A nuk jemi të këtillë si shoqëri? A nuk është e dukshme kjo humbje e thellë e sensit për realitet, kur tërë vëmendja e një kombi mund të tërhiqet herë nga një mur e herë nga një tren?
Dhe këtu është e vlefshme për Kosovën vërejtja që e bën Papë Françesku për ata që e përqafojnë konfliktin “në atë mënyrë sa të bëhen të burgosurit e tij; ata e humbin toruan, i projektojnë në institucione konfuzionin dhe pakënaqësinë e tyre dhe e bëjnë të pamundur njësinë”.
Njësia, në relacionet mes Kosovës dhe Serbisë, është e mundur vetëm në transformim të konfliktit, atëherë kur të trajtohet thellësia e antagonizmit dhe kur mbërrihet, siç përshkruan Papa, respekti për “dinjitetin e thellë” .
Këtë transformim, me thellësi, nuk mund ta zëvendësojnë as njësitet speciale të policisë e as ushtria. Këtë mund ta bëjnë vetëm prijësit e paqes.
6.
Por, a ka porosi paqeje edhe përtej konfliktit të dukshëm? Çka duhet të bëjë një e re 25-vjeçare sot, që ka parë luftë si fëmijë, ka jetuar 18 vjet në Kosovën e çliruar dhe ka dëgjuar për ata 18 vjet se nuk është arritur ende paqja mes Kosovës dhe Serbisë?
Është e papunë, ka përfunduar studimet, si dhe dhjetëra e mijëra të tjerë dhe si dhjetëra e mijëra të tjerë është duke kuptuar se e ka të vështirë ekzistencën në këtë vend. Dhe, fakti që ajo është e papunë, me një arsim që nuk e ka përgatitur për gjë, nuk ka të bëjë aspak me murin as trenin, as bisedimet e Brukselit. Ka të bëjë me politikën zhvillimore të vendit.
Papa këtë vajzë dhe bashkëmoshatarët e saj (e ata bëjnë 70 për qind të popullatës së këtij vendi) i sheh si pjesë të grupeve të përjashtuara dhe të margjinalizuara. E përjashtimin dhe margjinalizimin e vë në krye të agjendës së tij për paqe. Në njërin prej prononcimeve më të theksuara në Nxitjen apostolike thotë:
“Jo ekonomisë së përjashtimit. Ashtu si urdhri ‘Nuk do të vrasësh!’ vendos kufi të qartë për të ruajtur vlerën e jetës së njeriut, ne sot po ashtu duhet të themi ‘nuk do të’ një ekonomie të përjashtimit dhe pabarazisë’.”
Më tej ai vazhdon me vërejtjen, deri më tani të padëgjuar nga pushtetet, sikur është ky në Kosovë:
“Dinjiteti i çdo njeriu dhe të kërkuarit e të mirës së përgjithshme janë preokupime që duhet të sajojnë të gjitha politikat ekonomike”.
Pra, për 25-vjeçaren e shembullit tonë, porosia për paqe e Papës ka të bëjë tanimë jo me trenin, as me murin, as me targat e veturave, por me një qeverisje e cila e sheh punësimin e saj si primar, si pjesë të një rritjeje të përgjithshme.
Në të kundërtën, çka do të ndodhte? Pse është kjo me rëndësi në kontekstin e paqes botërore (apo kosovare)?
Sepse, “një paqe që nuk është rezultat e zhvillimit integral do të jetë e nëmur; do të lindë gjithnjë konflikte të reja dhe forma të ndryshme të dhunës”.
Kjo paqe pa zhvillim integral është aq sfiduese sa Papa paralajmëroi në Porosinë e paqes se Kisha katolike, duke e kuptuar këtë sfidë të shekullit XXI, e ka formuar që nga dita e parë e këtij viti edhe Shërbimin e veçantë të Zhvillimit Integral Njerëzor.
7.
Porosia për paqen e Papës duhet të jetë një thirrje e madhe për qytetarët e Kosovës.
Thirrja e tij për njësi, për unitet, duke e ruajtur pluralitetin e brendshëm, është shumështresore.
Vlen për të caktuar synimet e shumicës së popullit në Kosovë, pra shumicës shqiptare. Kjo shumicë, duke e ruajtur pluralitetin e vet të mendimeve, megjithatë, duhet të përbashkohet rreth synimit për të ndërtuar një shtet të dinjitetshëm për qytetarët e vet, një shtet që nuk do të jetë përjashtues, në veçanti jo përjashtues për rininë e vet.
Vlen për përcaktimin e funksionimit të shtetit në marrëdhëniet e veta ndërnacionale. Kosova nuk mund të krijojë njësi, unitet, me respekt të plotë për veçoritë e brendshme kombëtare e kulturore, nëse nuk e tejkalon konfliktin me Serbinë, i cili është i papërmbyllur. Dhe ky konflikt nuk mund të përmbyllet duke e mbajtur të gjallë, me ide të ndarjeve territoriale brenda vendit.
Vlen për natyrën e qeverisjes së vendit. Interesi qeverisës duhet të kthehet në burim. Pra, te mbrojtja dhe zhvillimi i interesit të njeriut, të dinjitetit të tij; te mbrojtja e natyrës dhe e ambientit.
Vlen për kulturën e transformimit që përbashkon shoqërinë. Në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, një ide fisnike – dhe këtu dua të përmend monsinjor Lush Gjergjin, sepse ishte pjesë vitale e saj – për faljen e gjaqeve në Kosovë u bë pjesë e një lëvizjeje popullore për unitet, për njësi. Por, njëkohësisht, qe edhe një lëvizje e madhe në kulturën e transformimit: që të gjithë kuptuam se ekziston mënyra për të tejkaluar edhe konfliktet më të mëdha, ato që shkaktuan gjakderdhje e humbje, ato që i lanë shumë familje të jetojnë nën dhimbjen e urrejtjes apo urrejtjen e dhimbjes, sido që të jetë.
Sot, po ashtu, kemi nevojë për njësi të tillë. Si shoqëri, nuk duhet të na ndodhë që në vend të bisedës e pajtimit kundërshtitë tona të brendshme politike të zgjidhen me kërbaçin e policit dhe gurin e demonstruesit. Si shoqëri, nuk kemi vajza e djem për të dhënë, që të merren nga shteti në burg e t’u kthehen prapa familjeve në arkivol.
Dhe, si shoqëri, nuk kemi nevojë për ndasi të reja. Të jesh besimtar i një feje, nuk mund të jetë shkas as për akuzë e as për dyshim terrorizmi, siç do të përsërisë Papa, “Asnjë besim fetar nuk është terrorist». ”Dhuna është një përdhosje e emrit të Hyjit”. Ndër ne, katolikë dhe myslimanë e ortodoksë, këto fjalë kanë peshë të veçantë.
8.
Porosinë e paqes të Papës më duket se duhet ta lexojmë, mbi të gjithash, si thirrje për aktivizëm. Është një thirrje për dalje prej botës virtuale, asaj të rrjeteve sociale apo asaj ku “njeriu reduktohet në vetëm njërën prej nevojave të tij: konsumin”. Është thirrje për angazhim transformues të shoqërisë, të konflikteve në të, duke u mbështetur në burimin e krishterë të dashurisë dhe jodhunës aktive. Është thirrje për t’ia dhënë një kuptim shumë më të thelluar e të dinjitetshëm jetës.
Dhe, ashtu siç tingëllon me peshën e veçantë te ne në Kosovë, është një thirrje për unitet, diçka që ndoshta kemi harruar se e kishim, por, atëherë kur e kishim, na doli të ishte forca jonë më e madhe.
(Fjala e mbajtur në prezantimin e Porosisë së paqes së Papë Françeskut, Prishtinë, 26 janar 2017)