Albspirit

Media/News/Publishing

Respublica: Qeveria si konfederatë partish dhe klanesh

Pas tërmeteve që shkundën Shqipërinë javën e kaluar, përplasja PS-LSI ishte ankthi kryesor i shqiptarëve. Dita gdhihej dhe ngrysej me merakun e madh se çfarë do thotë Iliri, se çfarë postimi do bëjë Edi, se pse e tha Peleshi këtë, apo pse Taulant Balla ende nuk ka folur.

Por njësoj si tërmetet që vetëm sa të prishin terezinë, edhe këto kafshime grash, siç do t’i quante ndonëj personalitet që nuk jeton më mes shqiptarëve, po qetësohen me fundjavën që po del. Sot Ilir Meta ka deklaruar se partia e tij është për zgjidhja institucionale, ndonëse disa ministra dhe drejtues të LSI-së kërcënuan ashpër koalicionin.

Zgjidhja institucionale me përgjegjshmëri të plotë dhe jo retorikat konfliktuale politike, fajësuese dhe shfajësuese, do ta çojnë angazhimin tonë për forcimin e shtetit ligjor dhe sundimit të ligjit në vend në nivele të reja, shumë më të larta dhe të qëndrueshme. Ky është vizioni dhe kjo është përgjegjshmëria e Lëvizjes Socialiste për Integrim”, tha ai në një takim me strukturat e Njësinë 5 në Tiranë.

Të vihet re se sapo është kthyer nga SHBA, kreu i LSI-së ka nisur një si lloj fushate politike rivalizuese me PS-në, paralel me një goditje ndaj frontit sorosian, ashtu siç e shërben ai në media. Në këtë kuadër, është për t’u theksuar se qeveria shqiptare e tanishme është në pozitat më komike dhe më të shëmtuara që mund të ndodhë. Kryeministri dhe qeveria ende nuk kanë uruar presidentin e ri dhe kjo falë deklarimeve prej të pagdhenduri të kryeministrit. Ca më keq, edhe për çështje me interes madhor si qëndrimi për Kosovën, qeveria shqiptare nuk ka reaguar, ndonëse dje u bë e njohur se vlerësimi i sekretarit të ri të Mbrojtjes, James Mattis, konfirmonte një politikë amerikane aktive në Kosovë. Meta nga ana e vet, po shitet si njeriu i duhur për administratën Trump në Tiranë.

Përshëndes një qëndrim mjaft pozitiv të Sekretarit të ri të Mbrojtjes së SHBA-ve, Mattis për Kosovën, që konfirmoi përkundër çdo lloj shqetësimi dhe paragjykimi më parë se stabiliteti dhe siguria e Kosovës është një prioritet shumë i rëndësishëm edhe për administratën e re të SHBA-ve dhe kjo është tepër pozitive duke patur në konsideratë tensionimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi kohët e fundit. Dhe njëkohësisht shumë e rëndësishme për stabilitetin e gjithë rajonit tonë në këto kohë ndryshimesh, por edhe pasigurish”, ka deklaruar Meta.

Ky mesazh duhet konfirmuar edhe nga diplomacia jonë, edhe nga qeveria, pasi është e qartë se nuk kemi të bëjmë me tendera që ndahen mes PS-së dhe LSI-së. Qeveria shqiptare që meret me gravura dhe Ali Pashën, duhet edhe të gjejë kohë të sqarojë pozicionin e vet në kontekstin e zhvillimeve të reja, sado që kapistrën ja tërheqin tjetërkund.

Please follow and like us: