Si ndryshoi qeveria “Rama” në katër vite
Shkarkimi i Ylli Manjanit, i shtohet një sërë lëvizjesh të tjera në kabinetin “Rama”.
Që prej vitit 2013 kur erdhi në pushtet koalicioni i Aleancës për Shqipërinë Europiane, ardhja e Petrit Vasilit si ministër pas një shkarkimi, është lëvizja e shtatë brenda kësaj qeverie.
Madje Manjani mori drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë pak më shumë se një vit më parë, në 9 nëntor të 2015 pas dorëheqjes së ministrit Nasip Naço.
Në 2 shator të 2016 dha dorëheqjen edhe ministri i Transporteve Edmond Haxhinastos për t’u emëruar në këtë post Sokol Dervishaj.
Por ndryshimi i parë në qeverinë Rama erdhi rreth një vit pasi e majta kishte ardhur në pushtet.
Në gusht të 2014 Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi dha dorëheqjen. Largimi i tij ishte personal dhe ai e lidhi për arsye profesionale. Në vend të tij Rama emëroi deputeten Ermonela Felaj.
Ndryshimi tjetër në qeveri do të vinte në ministrinë e Mirëqenies Sociale.
Ministri Erion Veliaj lë këtë detyrë për të kandiduar për postin e kreut të bashkisë së Tiranës. Ai u zëvendësua nga deputeti Blendi Klosi, detyrë që e mban ende.
Në shtator të 2015 u largua nga qeveria një ministër tjetër i LSI-së.
Nasip Naço në krye të ministrisë së Drejtësisë largohet, lëvizje e cila ndodhi në fillim të Reformës në Drejtësi.
Në vend të tij LSI propozoi Ylli Manjanin, post të cilin e la sot. Më 16 shkurt të 2016 nga qeveria u largua një tjetër ministër dhe ai ishte Shkëlqim Cani, që drejtonte financat.
Kjo lëvizje u pasua me ndryshime portofolesh mes ministrave.
Në drejtim të Financave kryeministri Rama vendosi Arben Ahmetajn që mbante postin e ministrit të Ekonomisë, Turizmit e Tregtisë.
Milva Konomi, e cila mbante postin e zëvendësministres së Shëndetësisë zëvendësoi Ahmetajn në detyrën e Ministrit të Ekonomisë.