YLLI MANJANI: Kur filloi përplasja ime dhe ministrat që më shkelin syrin pas shpinës së Edi Ramës
Kështu është katandisur kjo qeveri tani dhe s’kemi çfarë të bëjmë, na duhet të komunikojmë përmes medias, pasi si SMS ashtu edhe Ëhatsup njerëzor nuk funksionojnë.
Ju jam shumë mirënjohës për komunikimin e derisotshëm, ju jam shumë mirënjohës mediave që më kanë dhënë mundësinë të përçoj mesazhe publike, profesionale dhe parimore, sepse në jetën time kam qenë dhe mbetem profesionist dhe mbetem profesionist.
Politika ishte dhe është një mjet për të zhvilluar parimet profesionale. Sigurisht të qenit ministër është një nga detyrat më të rëndësishme, aq më tepër ministër i Drejtësisë, për cdo jurist është një karrierë shumë e rëndësishme, dhe mua mu dha kjo mundësi. Ma dha LSI pa më të voglin diskutim, ma dha Ilir Meta, të cilit i jam mirënjohës, sepse në fakt në të gjithë investimin publik, politik dhe professional, i mungonte karrierës sime edhe detyrë.
Bëra sigurisht më të mirën që kisha mundësi. Drejtova ministrinë e Drejtësisë, ashtu siç dita. Nuk është ajo që doja të ishte. Dhe do ua them pse.
Kur kam hyrë në qeveri kam gjetur një praktikë, një procedurë, një proces, jo vetëm që s’kishte lidhje me profesionalizmin, po as me Kushtetutën e vendit dhe as me ligjet. Mbledhja e Qeverisë është tërësisht antikushtetuese. Ministrat nuk janë të lejuar të flasin në mbledhjen e qeverisë, kjo ka qenë e papranueshme për mua. Sigurisht mënyra sesi funksionon Këshilli i Ministrave është shkruar në ligjin e Këshillit të Ministrave.
Sigurisht me Kryeministrin Edi Rama ne nuk kemi debatuar për çështje personale, gjithmonë për çështje parimore dhe ligjore. Kjo është edhe detyra e ministrit të Drejtësisë dhe në këtë pjesë nuk kam asnjë pishmanllëk.
Këto debate janë të regjistruar në memorien e Këshillit të Ministrave. Nëse i kanë fshirë pastaj është një histori tjetër. Por janë të gjitha aty, një nga një. Kështu nga kjo pikëpamje nuk i kam ndonjë borxh askujt.
Që prej verës së kaluar, Kryeministri ka harxhuar kohë nga puna, nga dita e tij e punës, për të bërë presion, jo mua, se mua s’më ka kërkuar asgjë, por Kryetarit të Parlamentit, për të më larguar mua. Arsyeja që thotë është se unë flas në media pa lejen e Fugës. Besojeni ose jo, në një sistem demokratik, ministrit i kërkohet t’i mbyllet goja. Megjithëse ka një status kushtetues, ligjor dhe politik, në këndvështrimin tim, unë nuk dua ta bëj personale, pasi çështjet janë parimore. Mua Kryeministri më ka përjashtuar nga opozita, kur s’kishte gjë në dorë, jo më tani që jemi në pushtet. Por nuk dua ta bëj personale, sepse nuk ka asgjë personale, por çështjet janë parimore. Pra po fole pa lejen e Fugës, shkarkohesh, ky është mesazhi i Kryeministrit
Po qe se mendove dhe guxon të japësh një opinion, shkarkohesh. Rri urtë, bëj ndonjë tender, bëj ndonjë konçension, mos fol në media, je burrë i mirë. Ky është mesazhi që jep Kryeministri në 6 muajt e fundit. Sigurisht që Kryetari i Parlamentit nuk i ka pranuar këto gjëra.
Unë jam shumë i nderuar që Kryetari i Kuvendit, ka qenë dhe mbetet në anën e ligjit dhe Kushtetutës, jo thjesht në anën time, sepse e thashë që këtu nuk ka gjëra personale, por kjo ka qenë e vërteta.
Sigurisht ne kemi debatuar në Qeveri, kemi debatuar edhe për shkak të nuhatjes sime profesionale, pasi disa praktika në këndvështrimin tim kanë qenë korruptive. Ju e keni bërë publike, sepse në bazë të ligjit të Këshillit të Ministrave, ne nuk na lejohet të flasim dhe të bëjmë publike debatet në mbledhjet e Qeverisë, një debat të parë që kemi bërë për një vendim që erdhi nga Ministria e Ekonomisë për të dhënë me konçension ndërtimin e rrugës. E denoncova dhe parandalova këtë praktikë korruptive, megjithatë qeveria e kaloi me dhunë, një ditë që unë nuk isha në mbledhjen e Qeverisë.
Kjo ka qenë përplasja e parë, për shkak të ligjit për shkak të detyrës. Nuhata dhe denoncova se shteti nuk po mbronte investimet e huaja dhe për fat të keq pas kësaj deklarate time në Këshillin e Ministrave, për fat të keq e theksoj, u rrah në mënyrë barbare një biznesmen dhe u përzu nga Shqipëria. Janë në rekordet e Këshillit të Ministrave, ju ftoj ti kërkoni dhe ti shihni.
Janë paralajmërimet e mia për aktet korruptive. Kam marrë disa nisma, por refuzohem në mënyrë të tmerrshme. Dhe e dini nga kush, nga sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, që s’ka lidhje fare, që del edhe mbi ministrat, që del edhe mbi Këshillin e Ministrave, dhe krijon këto situata të papranueshme.
Por sigurisht debate më i madh është sepse flet në media. Dhe sikur të ishin të gjitha këto do ishin harruar sigurisht. Po pse u shtua presioni për largimin tim? U shtua presioni për largimin tim, ditën që kam bërë deklaratën për kanabisin. Ajo ka qenë krejtësisht një ndarje shumë e madhe, dhe për të qenë i sinqertë e bëra atë deklaratë si qytetar i shqetësuar, sepse ky është fakti për përhapjen e fenomenit dhe nuk kisha asnjë paragjykim as prapamendim. Por Kryeministri u nervozua. Shtyu dy ministra të reagojnë kundër meje, të cilët i falënderoj, pasi nuk kam asnjë gjë me kolegët ministra, absolutisht janë njerëz shumë të arsyeshëm, janë të gjithë nga ata që të shkelin syrin, por kanë frikë të flasin, por ky është problemi i tyre, dhe u bë ajo skenë që u bë.
Që nga kjo situatë është shtuar presioni, jo ndaj meje personalisht, por ndaj Kryetarit të Kuvendit, për largimin tim. Dhe unë e di pse.
Nuk është e rastësishme që të asocohej emri im me dosjen e Klement Balilit. Ndërkohë që në Tiranë bëhej thashethemi për asociimin e emrit tim me dosjen e Klement Balilit, në Sakra Kuoranta ministrat e Edi Ramës flinin me dashnoret. Kjo është e vërteta. Flinin aty dhe unë këto nuk i di se jam djalë i mençur, por këto gjëra i di shumë mirë dhe janë të regjistruara nga shërbimet partnere. Dhe ju lutem mos mi kërkoni se unë nuk i disponoj ato, por jam informuar mbi këtë gjë. Dhe kam marrë përgëzime nga shërbimet partnere për denoncimet me shumë kurajë të çështjes së kanabisit.
Pse u bë tani? Sigurisht për të tërhequr vëmendjen. Unë kam bërë vetëm detyrën, s’kam bërë ndonjë krim, dhe sigurisht detyrën do ta bëj me të njëjtin pasion deri ditën e fundit që do të jem në këtë detyrë publike.
Nuk është krim të flasësh. Liria e shprehjes dhe e mendimit është e garantuar edhe në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Ministrat janë personalitete politike. Po në qeverinë gjermane sa herë ministrat bëjnë deklarata dhe flasin rrugëve? Nuk mund të jetë ministri zëdhënës shtypi i propagandës së qeverisë që thotë se jemi shumë mirë dhe s’kemi asnjë problem, ndërkohë që njerëzit dalin partizan në mal, e dini pse për 20 mijë lekë.
Jam i nderuar që jam shkarkuar. Do isha shumë i fyer po të jepja dorëheqjen, sepse unë s’mund të marrë përgjegjësitë e veprimeve në kushtet e presionit të bizneseve të paligjshme dhe trafikut. Këtë përgjegjësi ta harrojë cilido që e ka në mendje ta faturojë tek unë.
Edhe kjo sikur të jetë dita ime e fundit e politikës, nuk kam asnjë problem. Unë jam profesionist. Por këto i them shumë sinqerisht, me shumë dashamirësi.
Realisht jam shumë i nderuar që mu dha kjo mundësi, realisht i jam mirënjohës LSI dhe unë nuk hyj në debate të mëtejshme politike nëse koalicioni ngelet apo jo, pasi këto janë çështje që s’më takojnë mua fare, por s’dua më të dëgjoj më për këtë histori. Por e vërteta është se kjo qeveri është e kapur dhe është jashtë çdo lloj standardi kushtetues dhe ligjor.
E dini ju që më 30 dhjetor Qeveria ka marrë një vendim pa u mbledhur? Verifikojeni sistemin TIMS se gjysma e ministrave janë jashtë shtetit dhe vendimi është marrë për të shkarkuar një të dekriminalizuar që duhej shkarkuar. Le të guxojë ta bëjë një veprim të tillë dhe të firmosë një letër një qytetar i thjeshtë, e harrojnë në burg për fallsifikim dokumentesh. Kryeministri firmos vendime qeverie që nuk kanë ndodhur. Çfarë quhet kjo? Si mund të jetë dakord ministri i Drejtësisë me këtë çështje, cili ministër Drejtësie do të binte dakord me këtë histori? Ja këto janë gjërat, këto janë historitë, ky është profesionalizmi, këto janë debatet parimore, të cilat nuk duhen thënë. Unë nuk kam thënë asgjë nga ato që kanë ndodhur. Unë kam thënë të arrestohet Klement Balili, i vetmi zyrtar që e kam bërë sistematikisht. Ndërkohë që unë kërkoja një gjë të tillë, drejtorët e policisë hanin dhe pinin tek Sakrakuoranta. Janë të gjitha të regjistruara këto dhe i kanë shërbimet partnere.
Më gjeni një zyrtar të dytë që e ka bërë këtë gjë përveç meje. Por nuk mund që të rastësohen gjërat kaq rëndë, për të luajtur politikisht, për të shmangur vëmendjen.
Kryeministrit i është kërkuar shkarkimi i ministrit të Brendshëm, jo i imi. Ia kanë kërkuar partnerët, e di mirë. Le ta shkarkonte. Por do të shmangë vëmendjen, kjo është arsyeja.
Unë s’kam ndonjë problem të ndahem me Kryeministrin. Unë me Edi Ramën jam ndarë. Çështja është do bëjmë një qeveri të përbashkët në favor të këtyre njerëzve, në favor të së majtës, pasi kam qenë një nga besnikët e të majtës së bashkuar, por jo të së majtës së bashkuar në emër të krimit.
Si mundet Kryeministri i vendit të shkojë dhe të hedhë interesat e Shqipërisë në një bast elektoral në SHBA? Bast të cilin e humbi me turp, dhe ai duhej të ishte i shkarkuari jo unë. Si mund të vësh bast interesat e vendit se kush i fiton zgjedhjet në SHBA
Kush i tha atij, nga e morri autorizimin ai për të thënë këto gjëra? E pra është kollaj të më kërkosh mua, ti kërkosh ministrit llogari pse flet pa leje, por ai po flet pa leje.
Unë s’kam asnjë tension në këtë histori, jam krejtësisht i qartë dhe jam i përgatitur për çdo lloj skenari. Por e vërteta është kjo, dhe më besoni një gjë, unë në raport me të vërtetën, nuk kam bërë kurrë kompromise. Në raport me profesionin nuk kam bërë kurrë kompromise, është e vështirë në politikë të jesh profesionist, por në fund të ditës unë s’mund të pajtohesha me Kryeministrin që hapi librin e shtëpisë për të sharë dhe për të shpifur, kundër gjyqtarëve që vendosën kundër qeverisë.
Çfarë domethënë kjo? Pse duhet të bëjë një qeveri miklimin publik ndaj gjyqtarëve? E bëri këtë gabim Sali Berisha. Ne erdhëm me një mentalitet tjetër, çfarë pune ka qeveria me jetën e gjyqtarëve?
Pse duhet telefonuar gjyqtari që të fusë njerëz në burg, pse duhet t’i bëjë këto qeveria? Cila qeveri demokratike i bën këto? Imagjinoni Angela Merkel të marrë në telefon një gjyqtar dhe ti thotë më fut në burg një katunar. Ç’janë këto histori?
Ja këto gjëra kanë ndodhur. Si mund të jetë dakord ministri i Drejtësisë me këto gjëra, ku ka ministër drejtësie që mund të jetë dakord me këto gjëra? Dhe e dini cila është përgjigjja që kam marrë për këto çështje: je kundër reformës. Kundër kujt reforme? Reformës së sundimit të gjyqësorit nga politika? Po jam, dhe do të jem gjithë jetën. Ç’punë ka politika me gjyqësorin?
Gjykata dhe prokurori që heton qeverinë është kriminel, trafikant. Gjykata dhe Prokurori që liron qeverinë është burrë i mirë.
Pse kjo është reforma, ja pra këto janë diskutimet, këto janë historitë, për këto shkarkohem unë.
Realisht kemi pasur një ndarje parimore për këto gjëra, parimore dhe profesionale. Nuk mund të jem dakord unë me Kryeministrin që na del që gjithë Bota ka fajin, gjykatësit janë fajtorë dhe kriminelë, opozita është e poshtër, shoqëria civile është e korruptuar dhe qeveria na qenka e ndershme.
Jo mo jo, është e kundërta. Llokma e korrupsionit ndahet në Qeveri, në gjykatë ndahet bakshishi. Dhe nëse qeveria ka ndarë një llokmë të madhe, atëherë bakshishi në gjykatë do të jetë i madh,.
Pa diskutim që ne duhet ta bëjmë reformën në drejtësi, pa diskutim që gjykata duhet ti përgjigjet sfidave të sotme, pa diskutim që duhet bërë Vettingu, pa diskutim që gjykata duhet të pastrohet, pa diskutim që na duhet një gjykatë krejt tjetër, nga kjo qe kemi deri më sot, sepse ato kanë mëkatet e veta, por mëkati i tyre kryesor është se nuk godasin qeverinë.
Se para se të shohim vilat e gjyqtarëve, që duhet ti shohim, duhet të shohim vilat tona. Kush do na i shohë vilat tona, gjyqësori i kapur? Prokurori që nuk guxon sepse shahet me libër shpie. E dini që prokurorët gjëmohen nga trupa operacionale special të policisë pa urdhër. E dini ju që në borderitë e shtetit policia është institucioni më i paguar. Shumë mirë bëjnë ta paguajnë, por jo më i paguari se ka edhe të tjerë. Se tek gjykatësi është si para Zotit. Këto gjëra kemi diskutuar dhe i pari që e kam thënë dhe e kam bërë me shumë kurajë është si të shmangim pingpongun. Unë e di shumë mirë që mund të isha shumë rehat dhe do të isha një ministër shumë jetëgjatë, nëse do të qepja gojën dhe do të zbatoja porositë e radhës. Por nuk ma lejonte ndërgjegjja ime as qytetare dhe as profesionale, as parimore. Këtë mandate më ka dhënë LSI kur më solli këtu. Dhe e kam kryer në vlerësimin tim, më falni për mungesën e modestisë, në maksimumin e mundësive të mia.
Kështu që ta mbyll këtë apologji, këtë prezantim, unë ju falënderoj ju që keni qenë aleatët e mi më të mirë, ju gazetarët dhe mediat. Ju kërkoj ndjesë edhe për ndonjë kusur sepse jo gjithmonë kemi qenë të mundur të komunikojmë, pavarësisht se unë mbetem tek ato njerëzit transparent, madje dhënien e informacionit unë e konsideroj transparencë, jo propagandë. Unë skam nevojë për propagandë, dhënia e informacionit është nevojë publike.
Unë nuk kam ndërmend të largohem nga Ministria dhe nga jeta publike, patjetër që jo, dhe kjo është një histori që do të ishte jo e ndershme nga ana ime, por nuk është e thënë të jetë e paracaktuar.
* Deklarata e plotë, sot para mediave