Dëshmitë e reja, si i urdhëroi Millosheviç vartësit e tij për t’i fshehur krimet në Kosovë
Fondi për të Drejtën Humanitare ka prezantuar sot në Beograd dosjen për eliminimin e dëshmive të krimeve të luftës në Kosovë nga marsi deri në qershor të vitit 1999, kështu duke përmendur emrat e 110 zyrtarëve serbë si përgjegjës për këtë çështje.
Sipas të dhënave të këtij fondi, Sllobodan Millosheviqi i kishte dhënë urdhër ministrit të atëhershëm të brendshëm Vlajko Stojiljkoviq për të shmangur përgjegjësisë penale për krimet, raporton N1, përcjellë Klan Kosova.
Thuhet se në fshehjen e 940 trupave në katër varreza masive, ose djegjen e tyre në tri vende, kanë marrë pjesë udhëheqësit e lartë shtetërore të asaj kohe, ata të policisë, udhëheqësit ushtarakë, anëtarët e Mbrojtjes Territoriale dhe punonjësit e ndërmarrjeve shtetërore dhe publike.
Në Fond poashtu kanë deklaruar se dosja është krijuar në bazë të dokumentacionit nga Tribunali i Hagës, gjykatës vendore për krimet e luftës dhe burime të tjera.
Që nga viti 2001 deri më sot në territorin e Serbisë janë gjetur varreza masive në katër lokacione me trupat e pajetë të 941 shqiptarëve të Kosovës.
Ata, potencohet në këtë dosje të FDH-së, janë vrarë në Kosovë në vitin 1999 dhe bëhet fjalë kryesisht për civilë të ekzekutuar jashtë luftës./Klan Kosova.