Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, Presidenti shpall vendet vakante
Presidenti i Republikës njofton personat e interesuar të aplikojnë për plotësimin e vendeve vakante për dy Sekretarë të Përgjithshëm në institucionet e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, mësohet se në zbatim të nenit 20 të Ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Presidenti i Republikës,.Bujar Nishani shpall fillimin e procedurave për personat e interesuar që kërkojnë të aplikojnë për vendet vakante për dy Sekretarë të Përgjithshëm në institucionet e rivlerësimit.
Personat e interesuar të aplikojnë për këto vende brenda 20 ditëve, pas publikimit.
Të gjithë të interesuarit, duhet të dorëzojnë në Institucionin e Presidentit të Republikës dokumentacionin sipas kritereve të përcaktuara në pikën 3, të nenit 20 të të Ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si më poshtë vijon:
1- Kërkesë me shkrim;
2- Dokument që ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi ose në shkenca ekonomike me diplomë “Master i shkencave” në Shqipëri ose studimet universitare për drejtësi ose në shkenca ekonomike jashtë vendit dhe ka marrë një diplomë të njësuar sipas rregullave për njësimin e diplomave, të parashikuar me ligj;
3- Dokument që ka pasur një përvojë pune në nivel menaxherial dhe drejtues, jo më pak se 10 vjet;
4- Dokument që ndaj tij të mos të ketë nisur një hetim penal, të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
5- Dokument që zotëron shumë mirë gjuhën angleze;
6- Dokument që ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi, sipas legjislacionit, në momentin e aplikimit;
7- Dokument që nuk ka ushtruar funksione politike në administratën publike ose nuk ka mbajtur pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 viteve të fundit.