Trump shkarkon Prokuroren e Përgjithshme
Donald Trump shkarkoi Prokuroren e Përgjithshme Sally Yates sepse refuzoi të zbatonte urdhrin e tij ekzekutiv mbi emigracionin dhe refugjatët.
Yates, e caktuar gjatë kohës kur në krye të Shtëpisë së Bardhë ishte ende Barack Obama, i urdhëroi juristët e Departamentit të Drejtësisë të mos e vinin në jetë urdhrin që ka shkaktuar kaos e pështjellim.
Në deklaratën e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, shkarkimi justifikohet me arsyen se kryeprokurorja ka sfiduar një urdhër të ligjshem, i cili synon mbrojtjen e qytetarëve amerikanë. Yates praktikisht e ka tradhëtuar Departamentin e Drejtësisë, lexohet në këtë deklaratë.
Vendin e saj tani do ta zërë prokurori i Distriktit Lindor të Virxhinias. Ai e bëri me shpejtësi betimin të hënën mbrëma, në orën 21:00 sipas orës së Uashingtonit.
Yates duhet të shërbente si Prokurore e Përgjithshme deri në konfirmimin e Jeff Sessions, të emëruar në këtë post nga Donald Trump.