Albspirit

Media/News/Publishing

Tusk e sheh Trump si një nga tre kërcënimet serioze për BE

Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, ka thënë se “deklarimet shqetësuese” të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump janë pjesë e një kërcënimi të jashtëm me të cilat përballet Bashkimi Evropian.

Në një letër dërguar shefave të shteteve dhe qeverive anëtare të BE-së më 31 janar, pak para një samiti të 3 shkurtit, Tusk ka bërë thirrje për unitet në përballjen me këto sfida.

Tusk i konsideron këto sfida si “më të rrezikshmet ndonjëherë” në historinë e bllokut evropian.

Ai ka përmendur tri kërcënime, përfshirë atë të jashtëm që ai vlerëson se “ka të bëjë me situatën e re gjeopolitike në botë dhe përreth Evropës”.

Tusk ka thënë se një Kinë më kategorike, “politika agresive e Rusisë drejt Ukrainës dhe fqinjëve të saj, luftërat, terrori, anarkia në Lindje të Mesme dhe Afrikë, aty ku luan rol të madh Islami radikal, si dhe deklarimet shqetësuese të administratës së re amerikane, të gjithë përbëjnë një të ardhme të pa-parashikueshme”.

“Ne nuk duhet të dorëzohemi para atyre që duan të dobësojnë apo t’ia humbasin rëndësinë lidhjes transatlantike, pa të cilën rregulli botëror dhe paqja nuk mund të mbijetojnë”, ka thënë ai.

“Ne duhet t’ia kujtojmë miqëve tanë amerikanë moton e tyre: Së bashku qëndrojmë, të ndarë ne dështojmë”, vlerëson më tej Tusk./REL/

Please follow and like us: