Agjenti i CIA zbardh të vërtetën e operacioneve në Shqipëri, gjithçka u bë nga frika e Bashkimit Sovjetik, ja opinioni i tij për agjentin rus që dekonspiroi misionet, hije dyshimi mbi synimet për rrëzimin e Hoxhës
Dalin në dritë shumë të fshehta sa u përket operacioneve të CIA në Shqipëri, gjatë rrëzimit komunist. Prej disa ditësh, gazeta ka sjellë një sërë dokumentesh të deklasifikura që tregojnë veprimet e agjentëve amerikanë dhe tentativat për rrëzimin e diktatorit Hoxha. Mirëpo një agjent i saj ka folur disa vite më parë dhe ka ngritur hije dyshimi mbi synimet e vërteta të atyre operacioneve. Në një intervistë të zbardhur nga CIA, Franklin A. Lindsay ka treguar se i gjithë operacioni ishte për të ndalur ekspansionin rus, pasi kishte dyshime se mund të ndërtonte një bazë nëndetësesh në Shqipëri. Nga ana tjetër, ai ka hedhur dhe dyshime sa i takon lëvizjeve për rrëzimin e Enver Hoxhës.
Franklin A. Lindsay
(12 Mars 1916 – 13 Tetor 2011)
Ka qenë një biznesmen dhe spiun i shërbimeve amerikane të inteligjencës, me Zyrën e Shërbimeve Strategjike (OSS), pararendëse e CIA. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai është parashutuar disa herë me misione zbulimi e sabotimi në Ballkan, ndërsa pas luftës ka punuar me Komisionin e Energjisë së SHBA si dhe ka vazhduar konsulencën strategjike me CIA dhe kreun e OSS, Frank Wisner. Në një intervistë të viteve 2000, mes të tjerave, ai zbulon se planet dhe direktivat e përgjithshme të operacioneve kundër regjimit komunist në Shqipëri.
-A ishit i përfshirë në operacionet për kryengritjen në Shqipëri?
Po. E kam përmendur këtë çështje sepse isha pjesë e Divizionit të përgjithshëm, ku kalonte e gjithë inteligjenca speciale e operacioneve. Por teksa forcat e tyre prisnin në plazh që të zbarkonin njerëzit tanë, me siguri që kishin ditur diçka paraprakisht.
-Më kanë thënë se këtu lindi dhe çështja e spiunit të KBG në CIA, Kim Philby…
Ka qenë gjithmonë kjo akuzë, se unë dhe Philby … siç e diskutuam këtë mëngjes. Por unë dua të demonstroj për të kundërtën. Mendoj se Philby ishte një aset shumë i rëndësishëm për sovjetikët, prandaj nuk jam shumë i bindur se ata mund të kalonin te pala tjetër informacione të kaluara nga Philby. Këtu në ambasadë ne po kryenim një operacion të përbashkët me të. Ai ishte në dijeni të gjithçkaje. Nuk mund të imagjinoj që njerëzit në Moskë të thonë “po ua kalojmë këtë informacionin nga Philby atyre në Shqipëri, që të kapin grupin e parashutistëve”. Askush me mendje të shëndoshë nuk mund të rrezikojë një aset kaq të rëndësishëm si Philby për këtë qëllim. Por gjithsesi, mendoj se më shumë sesa depërtime, operacionet në Shqipëri ishin trajnime, dhe kështu ka kaluar informacioni te ata. Ndoshta politika e tyre mund të ketë qenë thjesht për humbje gjurmësh ndaj depërtimeve të vërteta në vende të rëndësishme.
-Por në fakt ata nuk arritën kurrë të depërtonin në Shqipëri. A kishte vërtet si qëllim OSS të përmbyste regjimin në Shqipëri?
Nuk e di. A ju kujtohet koha e luftës civile në Greqi? Faktori kryesor atëherë ishte rezistenca komuniste, ose më saktë, komunistët grekë që kontrollonin Veriun e vendit. Ata përdornin kufirin verior për të kaluar në Bullgari dhe në Shqipëri, e ndoshta disi më pak edhe në Maqedoninë e Titos, pasi këto ishin zona të sigurta për tërheqje. Një prej çështjeve tona ishte si ta trazonim këtë cikël, pasi lufta civile greke po vazhdonte intensivisht. Çështja e dytë ishte kontrolli i Kanalit të Otrantos, ku besonim se sovjetikët kishin instaluar artileri për të kontrolluar ngushticën. Kishte shqetësime se sovjetikët po e përdornin Shqipërinë si një bazë detare për nëndetëse në Mesdhe.
Operacionet në Shqipëri u konceptuan fillimisht për të parë nëse kishte një bazë për krijimin e lëvizjes së rezistencës. Britanikët kishin pasur aty njerëzit e tyre që gjatë kohës së luftës ishin shumë më aktivë në Shqipëri sesa OSS. Por më pas u përfshimë edhe madje krijuam dhe një front çlirimtar të emigracionit. Fillimisht, operacionet përgatiteshin në një fortesë të vjetër në Maltë, dhe objektivi i vërtetë ishte vetëm eksplorimi. Ne përpiqeshim të hynim, të krijonim kontakte dhe të përpiqeshim të kuptonim se çfarë po ndodhte. Pastaj dilnim nga Greqia. Ata që i mbijetonin operacioneve kur ktheheshin, na thonin se nuk kishte mundësira veprimi. Por Departamenti i Shtetit kërkonte vazhdimin e tyre. Po flisja një herë me agjentin e politikave të jashtme në OSS, Bob Joyce, dhe e pyeta: “Çfarë kërkoni të nxirrni prej kësaj?”. Ai u përgjigj: “Duam të krijojmë një rezistencë të organizuar, por vetëm për ta pasur rezervë, në rast nevoje. Dhe më pas ta thërresim në veprim nëse do të nevojitet ndonjëherë”. Mbaj mend që iu përgjigja: “Si mund të organizoni rezistencën kështu? Ju i thoni njerëzve që rrezikojnë jetën e tyre se nuk po punoni për SHBA por për të mirën e atdheut tuaj. Krijoni rezistencën, e organizoni, dhe në fund nuk bëni asgjë, derisa grupet neutralizohen nga regjimi teksa presin sinjale për veprim.
E mbaj mend shumë mirë kur më tha: “Le ta mbajmë aty në planet dytësore. Le të rrijë aty, derisa të ziejë vetë”. Dhe ju e dini se çfarë ndodhi më pas …
Letër operativit amerikan mbi aktivitetin në kufi
I dashur Shan, (Shan është Marko, babai i Koliqit). Mora një letër prej teje, adresuar një personi tjetër, në të cilën thua se më ke dërguar një libër, Historinë e Letërsisë Botërore nga Prampolini. Libri ka arritur në destinacion. Ai të falënderon dhe kur pa çmimin të kërkon falje për shpenzimin e madh. Ai është i kënaqur por i vjen keq për kostot, pasi ti nuk mund të shpenzosh kaq shumë. Jo për të ta shpërblyer por ai ndjehet i detyruar të të shkruajë këtë letër falënderimi, duke të të shpjeguar edhe për situatën e emigrantëve, për të cilën ti je sigurisht i interesuar. Ka një numër të konsiderueshëm refugjatësh, që rritet çdo ditë si pasojë e vështirësive të mëdha në Shqipëri dhe si pasojë e bujarisë fisnike të popullit dhe të qeverisë jugosllave. Ne këtu jemi organizuar kundër qeverisë së Tiranës dhe kemi publikuar një program të thjeshtë për përmbysjen e pushtetit të Enver Hoxhës dhe vendosjen e një qeverie demokratike. Kërkojmë një shtet të pavarur që të veprojë brenda kufijve të Shqipërisë. Deri tani, aktiviteti i krerëve të organizatës, të cilët zgjidhen formalisht nga ne, është i padukshëm, kurse taktikat mbeten të njëjta si më parë.
Detajet e punës
Aktiviteti i punonjësve tanë që dërgohen përtej kufirit është i njëjtë: Bëhen përpjekje dhe propagandë kundër komunistëve atje, dhe ftohen të vijnë këtu ata që janë në rrezik. Të tjerë që pranohen janë ata, emri i të cilëve ka njëfarë influence. Për momentin nuk bëhen dallime ideologjike apo partiake, duke shfrytëzuar çdo person dhe çdo burim.
Çdo aktivitet dhe iniciativë është një privilegj dhe kontrollohet nga organet sekrete shtetërore. Ata gjejnë mes nesh elemente që thjesht prej një trajtimi më të mirë, pranojnë të bashkëpunojnë pa e ditur qëllimin e vërtetë të shërbimit që do të kryejnë. Në përgjithësi këta presona janë përgjegjës për grupet e tyre. Kohët e fundit po u jepet shumë rëndësi aktiviteteve aty, dhe veçanërisht formimit të grupeve të rezistencës apo krijimit të grupeve të parashutistëve.
Me këtë mesazh, unë shtoj edhe deklaratën se nuk duhet të jenë kundër partive që luftojnë pushtetin e Enver Hoxhës. Qeveria jugosllave dëshiron bashkëpunimin e të gjitha grupeve, por me sa di unë, me anë të asimilimit të të tjerëve pa u dhënë shumë liri. Ky besoj se është qëllimi kryesor i këtij bashkëpunimi me persona që kanë parime të ndryshme nga të tuat, por nuk funksionon shpesh, përveçse në fillim. Ndoshta qeveria jugosllave kërkon të ketë kontakte për të fituar mbështetjen e të gjithë atyre që janë këtu, dhe veprime të tjera do të bëjë vetëm pasi të përgatiten kushtet që të mos ketë më rivalë apo kundërshtarë. Kjo tregon për ndarjen e elementëve të ndryshëm dhe izolimin e të tjerëve brenda grupeve të tyre, apo me bashkëpunëtorët më besnikë.
Qëllimi
Çdo veprim që bëhet nga këtu apo nga fusha politike ndërkombëtare, shihet me sy të keq nga jugosllavët. Ata preferojnë që çlirimi i Shqipërisë të bëhet nga vetë ajo. Cili është qëllimi i gjithë kësaj bamirësie me ne dhe partitë e tjera? Ata nuk mund të japin prova konkrete për këtë, por sipas opinionit tim mendoj se qeveria jugosllave kërkon të ketë të drejtën e saj për të çliruar Shqipërinë dhe për të vendosu qeverinë e ardhshme atje. Ajo dëshiron përcaktimin e kufijve zyrtarë mes dy vendeve, pa vështirësi kalimi nga një vend në tjetrin. Ajo dëshiron të mos kemi nostalgji për vendin tonë duke pasur marrëdhënie aq të ngushta sikur të ishim një shtet i vetëm. Nuk jam i sigurtë nëse liderët tanë kanë dhënë premtime të tilla, apo nëse mes liderëve ka njerëz ambiciozë që do të ishin gati të bënin çdo gjë. Prandaj, elementët e mirë dhe të shëndetshëm mes nesh, kërkojnë nga ju që të interesoheni në këtë çështje, që të drejtat tona etnike të mbrohen nesër në fushën ndërkombëtare, dhe që bashkë me çlirimin e Shqipërisë të fitojmë atë që na takon si komb. Ne presim shumë nga ju dhe nga miqtë e tjerë.
Ti Shan e di rëndësinë e këtyre gjërave, prandaj unë të lutem politikisht bashkë me miqtë e tjerë, që të jenë të rezervuar politikisht në lidhje me këto zona. Në lidhje me korrespondencën private, kjo nuk ka të bëjë me sa më sipër.
Dyshimet
Më beso kur të them se këta njerëz, të cilët ti dhe miqtë e tjerë i njihni si besnikë e idealistë, po bëhen të dyshimte, bastardë dhe të pasinqertë. Të jap një shembull: një prej tyre në prezencë të disa njerëzve, më foli një ditë dhe më tregoi një letër ku thuhej se N.N. më kishte shkruar dy letra të rëndësishme. Ju e kuptoni se në këtë mënyrë mund të nisë një histori e papëlqyeshme, duke mbyllur jetën e dikujt me një tragjedi të parakohshme. Do të doja t’ju shkruaja gjatë për shumë gjëra, por është koha t’ju jap një tjetër rekomandim, që ndoshta e kam përsëritur disa herë: Përpiquni të gjeni një kontakt, apo një akord diplomatik me jugosllavët e ndoshta edhe me ne, duke u kujdesur që të mos asimiloheni, por të asimiloni. Mendoj se është në interes të vendit të punoni me forca të koordinuara, pasi Shqipëria pret shumë prej jush, apo edhe nga ne, edhe pse jemi të varfër dhe të paaftë për veprim. Do t’ju shkruaj shpesh. Për sot, ju përshëndes me mirësjellje, bashkë me familjen dhe kolegët. Mbetem bashkëpunëtori juaj për të mirën e vendit tonë, (Gjeci, Mark, këshilltar politik i Niko Sokolit).
P.S. Personi që do t’ju sjellë këtë letër është i besuar dhe i gatshëm të bëjë çdo sakrificë për të mirën e vendit tonë, prandaj flisni lirisht me të. Ai do t’ju japë shumë rekomandime të miat.
Ju duhet të bindeni për ato që ju them: Është e pamundur që qeveria jugosllave të bashkëpunojë me këta persona: Ismail Verlaci, Ndue Gjonmarkaj, Ernest Koliqi, Xhafer Deva, Ekrem Vlora, Eduard Lico, Lin Shkreli. E kam zbuluar këtë nga dy njerëz të besuar që kanë hyrë në shërbime sekrete, pasi një prej tyre përgatitet të të flasë ty, për të zbuluar sekretet e tua.
Përshëndetje, Gjon Gjinaj