Albspirit

Media/News/Publishing

Arkiva e CIA, ja si 8 agjentë të saj u dënuan me vdekje nga regjimi komunist, nga Zenel Shehu, Ahmet Kabashi, Halil Branica te Hamit Matjani, përhapja e lajmit te të rekrutuarit e tjerë dhe paralajmërimet për hakmarrje

hërbimi inteligjent amerikan i ka kushtuar një rëndësi shumë të madhe gjyqit që u bë në vitin 1954 për disa shqiptarë që ishin rekrutuar nga CIA. Në disa dokumente të deklasifikuara së fundmi, tregohet alarmi pas vendimit të gjykatës për pushkatimin e 8 personave, mes të cilëve emra të njohur si Zenel Shehu dhe Hamit Matjani. Pak javë më parë, gazeta publikoi dëshmitë e tyre në sallën e gjyqit, teksa tani CIA ka publikuar dhe reagimet që ka sjellë vendimi me vdekje. Aty tregohet se shqiptarët në mërgim u alarmuan nga një gjë e tillë dhe paralajmëruan hakmarrje ndaj regjimit. Në dokumente tregohet se disa prej agjentëve ishin me pseudonime, teksa ekzistonte frika se ata mundtë kishin nxjerrë informacione.

Dhjetor 1953

Reagimet lokale ndaj kapjes së grupit të Zenel Shehut

Në dokument jepet një letër e hapur ndaj anëtarëve të partisë së Legalitetit në Lavrion të Greqisë. Letra është shkruar nga Faik Bukmiri, i cili këshillon bashkatdhetarët e tij mbi transmetimet e Radio Tiranës për kapjen e grupit të Zenel Shehut dhe të Hamit Matjanit. Bukmiri shpreh keqardhjen e tij dhe vlerëson trimërinë e të kapurve dhe të vrarëve, duke këshilluar bashkatdhetarët të qëndrojnë të qetë dhe të vendosur. Shtypi lokal ka publikuar transmetimin e Radio Tiranës, por ka shprehur dyshime mbi përpikmërinë e tij. Në shtypin lokal nuk  bëheshin komente apo editoriale. Gjendja psikologjike e grupeve operative që po kalojnë dimrin në Athinë ishte tronditje dhe keqardhje për humbjen e Matjanit, të cilin thuajse të gjithë e njihnin dhe kishin punuar me të. Ata e konsiderojnë Matjanin një hero dhe ishin të bindur se e kishin droguar, pasi u surprizuan shumë që ai nuk po luftonte kundër kapjes dhe as nuk kishte vrarë veten. Anëtarët e grupeve përçmojnë edhe më shumë tani komunizmin dhe mendojnë se kapja e Matjanit duhet të hakmerret. Ata sinjalizonin se ngjarja i kishte dhënë më shumë motivim grupeve për aktivitetet kundër regjimit, por mes shqiptarëve dukej se kishte shenja frike në lidhje me rekrutimet për grupet operacionale. Anëtarë të grupeve tona në Shqipëri tregonin për tronditjen që incidenti ka shkaktuar mes shqiptarëve vendas, duke sinjalizuar se rekrutimi mund të bëhej më i vështirë.

15 janar 1954

Letra e Bukmirit

Athinë, 31 dhjetor 1953

Të dashur vëllezër, po ju shkruaj për t’ju informuar mbi kapjen dhe vdekjen e disa vëllezërve tanë në Shqipëri, sapo mësova për këtë lajm të hidhur dhe ndoshta disa prej jush janë vënë në dijeni. Po ju njoftoj mbi deklarimin e Radio Tiranës, se shumë nga shokët tanë janë vrarë apo kapur nga forcat e Sigurimit të ministrit Mehmet Shehu. Me dhimbjen për vdekjen e tyre, dua t’ju njoftoj se mes tyre ishin Nuri Plaka dhe Zemin Gjonleka. Megjithëse mund të duket e pabesueshme, në listën e të kapurve përfshihet dhe Hamit Matjani. Natyrisht që Radio Tirana dhe gazetat komuniste janë instrumente të verbra të Moskës, dhe i akuzojnë vëllezërit tanë për tradhti ndaj atdheut dhe të rekrutuar nga të huajt. Por ju dhe unë e dimë shumë mirë se vëllezërit tanë të kapur e të vrarë nuk janë tradhtarë, por janë patriotë që rrezikuan jetën si ushtarë të vërtetë, duke kryer detyrën e tyre për çlirimin e vendit nga thundra sovjetike. Jam i sigurt se shumë miq, ashtu si dhe unë ndjejnë dhimbje nga ky lajm, por le të mos harrojmë ditën kur u betuam se do të luftojmë kundër tiranisë megjithë humbjet e sakrificat. Humbja e vëllezërve tanë është një provë për luftën që po zhvillohet për çlirimin e atdheut. Prej kapjes së atyre të pafatëve ne duhet të mësojmë të jemi të duruar, gjakftohtë dhe të betuar në përpjekjen e çlirimit të vendit tonë nga kthetrat e kuqe. Si përfaqësues politik i Legalitetit përfitoj nga kjo mundësi t’u kërkoj të gjithë anëtarëve të kuptojnë se sakrificat e bëra nga vëllezërit tanë na shtyjnë të jemi të qetë dhe të vendosur. I nxis të gjithë miqtë dhe bashkëluftëtarët e Hamit Matjanit të kenë besim te zoti dhe të mos humbasin kurajën e shpresën. Me këtë letër, unë nxis nipin e Hamit Matjanit, Kadri Sinën të qëndrojë i qetë dhe i durueshëm bashkë me miqtë e Hamitit. Ishalla viti i ri 1954 do të na sjellë ne dhe vëllezërve tanë lirinë. Ne e dimë se ajo nuk mund të arrihet pa sakrifica. Heronjtë nuk vdesin, pasi kujtimi i tyre qëndron me ne. Rroftë Shqipëria dhe populli shqiptar! Për këtë popull jemi gati të bëjmë çdo sakrificë duke përfshirë edhe jetën.

Faik Bukmiri

20 prill 1954

Gjyqi në Tiranë i agjentëve të CIA

Kapja dhe gjykimi i tyre u njoftua nga Radio Tirana 29 dhjetor 1953, filloi më 5 prill 1954. Gjyqi zgjati 5 ditë dhe përfundoi me dënimin e të akuzuarve. Anëtarët e mëposhtëm të grupit tonë Apple Team u dënuan me vdekje, me pushkatim: Zenel Shehu, Halil Branica (të rekrutuar personalisht nga Mbreti Zog), Ahmet Kabashi, Naum Sula, Gani Malushi e Rapush Agolli (ky i fundit u rekrutua brenda në Shqipëri). Hamit Matjani, guidë dhe konsulent i rekrutuar nga CIA, u dënua me vdekje me varje, kurse Ibrahim Laçi, kontakt i grupit tonë, u dënua me 10 vjet burgim. Dënimet u zbatuan më 15 prill 1954. Armiqtë pretendojnë se kanë vrarë tre prej agjentëve tanë menjëherë sapo u ulën me parashutë. Nuk dimë se ç’bëhet me dy anëtarë të grupit tonë, si për shembull Tahir Preçi, operatori fillestar i radios, dhe Pal Nikollën lideri i nëngrupit. Ka një mundësi të vogël se ata mund të jenë ende të lirë, kurse mundësia më e madhe është të jenë vrarë gjatë marrjes në pyetje apo të dënuar në fshehtësi prej refuzimit të bashkëpunimit me gjykatësit.

Gjyqet publike

Gjyqet në fakt janë bërë publike si një mjet propagande kundër Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, si organizatorët kryesorë të aktiviteteve klandestine kundër qeverisë komuniste në Shqipëri. Prandaj dhe nuk është përmendur thuajse fare mënyra e kapjes së agjentëve dhe marrja e tyre nën kontroll. Kështu jemi ende pa të dhëna se kur grupi ynë kaloi nën kontrollin e armiqve.

Bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara dhe ish-mbretit Zog është publikuar. Gjithashtu është analizuar me detaje të imta bashkëpunimi mes spiunazhit të SHBA dhe organeve greke, duke theksuar mënyrën e përulur të veprimit të Greqisë dhe vendeve të tjera perëndimore në lidhje me SHBA, si dhe lehtësia me të cilën agjentët amerikanë kalojnë kufijtë dhe operojnë në këto vende.

Janë bërë publike disa informacione në lidhje me metodat e trajnimit dhe vendndodhjen fizike të zonave të agjentëve në Greqi, por shumica e pikave dhe metodave tashmë janë ndryshuar, dhe ato që kanë mbetur do të ndryshohen së shpejti. Përveç kësaj të gjitha furnizimet, municionet, armët, veshjet, pajisjet radio dhe floriri, u kapën dhe u ekspozuan në sallën e gjyqit. Në lidhje me personelin e CIA, asnjë emër i vërtetë nuk u ekspozua gjatë gjyqit, përveç një agjenti kontakti që është larguar në vjeshtën e vitit 1951. Agjentë të tjerë të përfshirë kanë përdorur pseudonime në kontaktet me shqiptarët. Me qëllim kundërvënien ndaj efektit të propagandës që solli gjyqi, të paktën pjesërisht, u lëshua në Tiranë një broshurë pas ekzekutimeve, e cila ngrinte lart agjentët e vrarë si martirë të kauzës së çlirimit të Shqipërisë. Është propozuar një tjetër broshurë e cila është duke u hartuar.

10 mars 1954

Teksti i fletushkës së propagandës

Faqja e parë

A e lexuat Zërin e Popullit më 21 shkurt? Gazeta thoshte se çështjet mund të zgjidhen vetëm me mjete paqësore, në një mënyrë të pranueshme për të gjithë. Por në konferencën e Berlinit, Molotov tregoi se BRSS nuk do të lejojë zgjidhjen e çështjeve ndërkombëtare përveçse sipas kushteve të tij. Përse ka frikë Molotov të bëjë lëshime ashtu siç bënë të gjithë palët e tjera, për arritjen e marrëveshjes së traktatit me Austrinë dhe çlirimin e vendit nga pushtimi ushtarak?

Molotov ka frikë se e di se çdo zbutje e shtypjes sovjetike në Evropë do t’i lejojë vendeve të shtypura të thonë atë që mendojnë për komunistët. A ju kujtohet 17 qershori në Gjermani? Molotovit i kujtohet. Ai nuk guxon të lejojë zgjedhje të lira, sepse kjo do t’i hiqte atij justifikimin për të mbajtur trupa ushtarake në Rumani dhe Hungari. Ai nuk guxon të heqë trupat ushtarake nga Evropa Lindore, sepse populli do t’i përmbysë regjimet komuniste. Molotov nuk guxon të lejojë zgjedhje të lira në Gjermani, pasi komunistët nuk morën asnjë vend në Parlamentin e Gjermanisë Perëndimore. Molotov nuk mund të rrezikojë me zgjedhje të lira askund, kështu që Hoxha duhet të sajojë zgjedhje të rreme të këshillave të popullit që j të mos e hidhni poshtë nga pushteti, siç e meriton. Komunistët ngrenë lart konceptet e demokracisë por është në fakt Perëndimi që mban zgjedhje të lira e demokratike, jo diktatura e Hoxhës dhe e një partie.

Faqja e dytë

Tradhtarët po dridhen! Të gjithë satelitët e Kremlinit në Evropë ndjejnë dridhjet e vdekjes teksa dëgjuan për vrasjen e Berias, ish-kreut të fuqishëm të inteligjencës sovjetike, pas një gjyqi të fshehtë, bashkë me një numër miqsh dhe vartësish. Që prej vdekjes së vrasësit masiv Stalin, Malenkovi, Enveri i Rusisë dhe Beria, Mehmet Shehu i Rusisë, po bënin një luftë të përgjakshme. Malenkovi goditi i pari prandaj ishte Beria që gjeti vdekjen. Por cili do të godasë i pari në Shqipëri? Hoxha Malenkovi apo Shehu Beria? Cili do t’i marrë me vete mbështetësit e tij drejt vdekjes dhe katastrofës? Cila është pyetja që i bëjnë vetes liderët komunistë, pasi ata e dinë që nuk e kanë jetën e gjatë. Cili e ka radhën të pësojë fatin e Koçi Xoxes e miqve të tij?

Në më pak se 20 vjet janë ekzekutuar katër krerë të njëpasnjëshëm të ministrisë së brendshme, 60 për qind e të cilëve ishin marshallë sovjetikë dhe gjeneralë të Leninit që prej vitit 1917, me përjashtim të tradhtarit, vrasës masiv, Stalinit.

12 tetor 1954

Përmbledhje e operacioneve të CIA në Shqipëri

Deri në korrik 1954, aktivitetet e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë drejtoheshin nga oficerët e shërbimeve të CIA dhe britanikëve MI-6 në Romë. Kontakti me selinë e NCFA në Nju Jork mbahej me anë të një konsulenti të fshehtë, kurse pjesa shqiptare e tij merreshin me mbikëqyrjen e teksteve të transmetimeve klandestine radio dhe fletushkave të propagandës. Në korrik 1954, pas marrëveshjes me britanikët, i gjithë stafi amerikan dhe britanik u tërhoq nga Roma dhe kontaktet e NCFA me CIA janë kryer vetëm prej Athinës. Kjo ka sjellë frikë nga ana e disa prej anëtarëve të komitetit, se interesat e SHBA për Shqipërinë po shuheshin. Klasa e emigrantëve shqiptarë është habitur gjithashtu nga njoftimi i 12 gushtit 1954 për formimin e Komitetit Kombëtar Demokrat nën drejtimin e krahut disident të Ballit Kombëtar, i cili më parë ishte tërhequr nga NCFA dhe kishte bërë çdo tentativë për të sabotuar aktivitetet e tij. Divizioni ynë ka propozuar që drejtimi i NCFA t’i kalohet Komitetit të Evropës së Lirë, teksa aktivitetet klandestine të propagandës të kryhen në emër të NCFA. Divizioni beson se kjo lëvizje do të forcojë pozitën e NCFA në sytë e shqiptarëve, si dhe do të shpërndajë frikën se Perëndimi nuk është më i interesuar për Shqipërinë. Kur po mendohej të niste projekti amerikan për Shqipërinë në vitin 1949, u zbulua se britanikët e kishin nisur një projekt me thuajse të njëjtat objektiva, prandaj u vendos që dy projektet të koordinoheshin për të përdorur struktura të përbashkëta dhe që të parandalohej që CIA dhe MI-6 të shkelnin këmbët e njëra-tjetrës. Por operacionet e SHBA dhe të Britanisë kanë qenë thuajse krejtësisht të ndara dhe vetëm me këmbime informacionesh të përgjithshme mbi zonat e përafërta të aktivitetit dhe kohën e tyre, thjeshte për parandalimin e përplasjeve. Inteligjenca e operacioneve është këmbyer lirisht në terren dhe gjithashtu në nivel zyrtar Londër-Uashington. Aktivitetet e propagandës janë kryer bashkërisht nga Roma dhe Athina deri në korrik 1954 kur si CIA ashtu dhe MI-6 tërhoqën oficerët e tyre nga Roma, për të koordinuar aktivitetet nga Athina.

16 korrik 1953

Iniciativa diplomatike greko-turko-jugosllave mbi Shqipërinë

Referuar artikullit të New York Times, 12 korrik 1953

Memorandum për drejtorin e CIA

Jam plotësisht dakord me komentet tuaja në lidhje me iniciativën diplomatike të vendeve në fjalë, siç është raportuar në artikullin e të përditshmes amerikane, dhe një nga pyetjet e para që bëra ishte: “A është kjo iniciativë një verim i pavarur i këtyre kombeve apo është nxitur nga SHBA, Britania apo të dyja bashkë? Nëse është e pavarur, çfarë duhet të bëjë qeveria amerikane për ta përshtatur atë në platformën e përgjithshme diplomatike, që fokusohet në dobësimin e lidhjes së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Nëse nga ana tjetër është nxitur prej nesh, cilat janë hapat e radhës për t’u marrë duke pasur parasysh dëshirat dhe premtimet ndërkombëtare të bëra nga këto vende fqinje? Duke ngritur këto pyetje me stafin, unë kisha në mendje një dokument të vjetër mbi Shqipërinë në lidhje me zhvillimet e reja politike. Ne gjithmonë kemi sugjeruar se hapat e nevojshëm duhet të merren në fushën diplomatike, në një koordinim mes nesh, britanikëve, italianëve, grekëve dhe jugosllavëve, për të arritur në një mirëkuptim në lidhje me integritetin territorial të Shqipërisë. Ne mendojmë se për të rritur efektivitetin e operacioneve, është e nevojshme përgatitja e atmosferës së duhur me anë të veprimeve diplomatike dhe lëshimit të deklaratave simultane. Në udhëtimin tim të fundit diskutova dhe paralajmërova ambasadat tona në Londër dhe Romë për marrjen e propozimit nga Departamenti i Shtetit dhe qëndrimi i tyre ishte pozitiv, por ato theksuan problemin e pazgjidhur të Triestes si një pikë bllokimi i tratativave mes italianëve dhe jugosllavëve edhe për çështjen e Shqipërisë. Problemi i Triestes është mjaft i komplikuar prej pozitës së de Gasperit në qeverinë italiane, dhe fakti që ai nuk mund të bëjë lëvizje të rëndësishme për momentin do të thotë se mund të ketë lëshime për jugosllavët.

Please follow and like us: