Albspirit

Media/News/Publishing

Arkivat e CIA, si ndryshoi plani i amerikanëve për rrëzimin e Enver Hoxhës, në lojë u futën edhe agjentë të shërbimit sekret britanik, dyshimet mbi organizatën e Hil Shllakut dhe tentativat për të bashkëpunuar me të

Shërbimi sekret amerikan ka tentuar me të gjitha mënyrat të rrëzojë regjimin komunist në Shqipëri. Mirëpo, në vitin 1853 shihet se fillimisht pati një ndryshim plani, pasi misioni kryesor ishte shkëputja e Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik. Në një dokument të deklasifikuar nga CIA, tregohet se për këtë periudhë shihej e papërshtatshme rrëzimi i regjimit, teksa synimi ishte që vendi ynë të ndërpriste marrëdhëniet me Bashkimi Sovjetik. Bëhet fjalë për një periudhë ku lulëzonte Lufta e Ftohtë dhe amerikanët po bënin lloj-lloj lëvizjesh për të dobësuar kundërshtarin e tyre kryesor. Në dokument tregohet dhe një bashkëpunim me shërbimin sekret britanik. Ndër të tjera përmendet dhe Shoqata e Hil Shllakut. Edhe pse në atë kohë nuk kishte informacion, dyshimet ishin se ekzistonte një shoqatë e tillë me mijëra anëtarë dhe CIA tentoi ta gjente dhe të bashkëpunonte me të.

Tetor 1953

Raport i veprimeve të koordinuara mes shërbimeve amerikane e britanike

Shërbimet sekrete të CIA dhe MI6 kanë rënë dakord në parim për linjën e veprimet në lidhje me Shqipërinë, e cila do të fokusohet në mbledhje inteligjence të brendshme sipas direktivave të caktuara, dhënie të mbështetjes për Komitetin për Shqipërinë e Lirë dhe lëshime broshurash propagande afërsisht një herë në muaj. Edhe direktivat për vitin 1954 priten të jenë të ngjashme me ato të këtij viti, me shumë pak gjasa për urdhra përshkallëzimi të aktiviteteve të Luftës së Ftohtë në Shqipëri. Kjo për arsye se një trazirë e mundshme në Shqipëri do të shoqërohej me ndërhyrjen e forcave të Komitetit të Prizrenit nga Jugosllavia, dhe më pak e mundshme është ndërhyrja e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë. Ndërhyrje të tilla do të interpretoheshin si kërcënim të interesave kombëtare edhe nga fqinjët, prandaj për momentin nuk duhet të kishte ndryshim të pushtetit në Shqipëri.

Shkëputja nga BRSS

CIA nuk ka direktiva konkrete veprimi për Shqipërinë, por ajo gjithsesi konsiderohet si një objektiv i rëndësishëm i luftës psikologjike dhe se përpjekjet për ta shkëputur atë nga blloku sovjetik nuk duhet të reduktoheshin. Është pranuar se ndryshimi kryesor i politikave mes CIA dhe MI6 qëndron në faktin se CIA është e gatshme të përdorë një politikë më të drejtpërdrejtë, por ky dallim nuk do të ndalojë punën e përbashkët të dy shërbimeve.

Infiltrimet

Tre operacione infiltrimi janë planifikuar sivjet. Grupi i parë i Vlorës nuk u formua për arsye të vështirësive me agjentët, kurse grupi i dytë për në Tiranë u infiltrua në rrugë tokësore nga Greqia. Një grup i tretë duhet të infiltrohen në Veri të Shqipërisë, por është anuluar për arsye të vështirësive në organizmin e infiltrimit nga ajri ose toka, dhe pritet të kryhet vitin që vjen. Operacionet e infiltrimit kanë pasur të njëjtat objektiva si më parë: krijimin e qendrave të rezistencës, vazhdimin e operacioneve për qëllimin final të shkëputjes së Shqipërisë nga orbita sovjetike dhe inkurajimi i dezertimit mes zyrtarëve komunistë. Operacionet janë reduktuar disi për të ngritur kalibrin e agjentëve të zgjedhur, por është pranuar nga të dyja palët se në përgjithësi kalibri i agjentëve linte shumë për të dëshiruar. Një grup prej pesë personash të ri-infiltruar këtë vit, qëndruan për tre javë në Korçë derisa rimorën kontaktet e vjetra. Një grup prej dy personash të infiltruar në zonën e Sarandës qëndruan aty për tre javë.

Cilësia e agjentëve

Si CIA dhe MI6 janë dakord se cilësia e agjentëve të tyre shqiptarë të rekrutuar në Greqi është e ulët. Aktualisht janë shumë pak refugjatë shqiptarë që arrijnë në Greqi dhe, normalisht, të larguarit e nivelit të lartë nuk pranojnë të kthehen aty për të jetuar në male. CIA ka punuar për krijimin e qendrave rezidente në Shqipëri, dhe tekstet e broshurave të përdoren për të inkurajuar pjesëmarrjen e agjentëve të kalibrit të lartë. Broshurat e nxitjes së dezertimit deri tani nuk kanë dhënë efekt, por autoritetet shpresojnë se në të ardhmen mund të ketë anëtarë të lartë të partisë, prandaj ia vlente të vazhdohej me iniciativën. Programi i CIA për vitin 1954 parashikon 24 lëshime broshurash propagande, të shoqëruara me artikuj ushqimorë apo të përdorimit shtëpiak. Ata kërkojnë të përmirësojnë tekstet e fletushkave, duke zgjeruar apelin e tyre publik, pasi propaganda e pastër nuk po sjell efektin e pritur.

Komiteti për Shqipërinë e Lirë

Është pranuar diskutimi i komitetit ekzekutiv të Komitetit për Shqipërinë e Lirë (NCFA) dhe riorganizimi i tij. CIA ka kërkuar riorganizimin e NCFA me qëllim shkurtimin e kostove, dhe krijimin e një kampi në Itali për strehimin e shqiptarëve atje. Britanikët kërkonin emërimin e anëtarëve të kryesisë së NCFA si individë dhe jo në bazë të partive që përfaqësojnë. Ka pasur debate mes CIA-s dhe grupeve britanike mbi masën e informimit të NCFA për operacionet e infiltrimit në Shqipëri. Ata mendonin se agjentët kishin nevojë për mbështetjen e NCFA dhe se detajet e dhëna nga NCFA për prejardhjen e agjentëve ishin të rëndësishme në operacion dhe në vlerësimin e cilësive të tyre. CIA ishte e mendimit se kishte rreziqe sigurie në rast njoftimi paraprak të NCFA dhe do të vazhdonte të vepronte edhe pa aprovimin e tyre, prej rrezikut të daljes së informacionit dhe dështimit të operacioneve. Pas diskutimeve u pranua edhe nga britanikët të ndiqej e njëjta linjë. Një prej sugjerimeve ishte njoftimi i NCFA pas futjes së agjentëve në Shqipëri, por u refuzua prej rrezikut të daljes së informacionit. Diskutimet përfshinë mundësinë e përkeqësimit të marrëdhënieve me NCFA në rast të mbajtjes së tyre të painformuar, çka pritet të trajtohet me riorganizimin e ri ku nuk do të përfshihej një “juntë” ushtarake.

Aktivitetet e NCFA nga Roma mendohet të ndahen në dy kategori: Në atë të luftës psikologjike ku përfshihen fletushkat, përmbledhjet e lajmeve dhe monitorimi i stacionit të Barit. Për zhurmimin e transmetimeve të Zërit të Amerikës, ekspertët besonin se vinte nga Bullgaria.Dhe përfaqësues të NCFA që marrin pjesë në takimet e OKB për Kampet e punës dhe në takimet e Juristëve të Lirë.

Komiteti i Prizrenit

Në diskutime u përmend se kur u krijua fillimisht Komiteti i Prizrenit, CIA kishte qenë shumë e interesuar, por në informacionet e mëvonshme rezultoi se Komiteti ishte tërësisht nën dominimin jugosllav dhe ishte kryesisht një mjet mbulimi për operacionet e UDB në Shqipëri. Ka shumë pak emra të njohur në komitetin e Prizrenit dhe CIA mendonte se nëse realizohej ndryshimi i regjimit në Shqipëri, Komiteti do të përpiqej të vendoste një qeveri titiste. Ne dhe britanikët ishim në një mendje se situata aktuale në Trieste pengonte çdo bashkëpunim real të mundshëm mes Komitetit të Prizrenit dhe NCFA.

Organizata e Hil Shllakut

CIA mendon se ka ende dyshime mbi ekzistencën e kësaj organizate dhe mbi të gjitha për forcën e saj të pretenduar prej 35.000 njerëzish. Ata janë duke eksploruar nëse kjo organizatë ekziston, pasi do të ishte me vlerë të madhe. Britanikët thanë se zotëronin fakte se organizata e Shllakut ekzistonte dhe se ishte e gatshme ta vinte veten në dispozicion të Perëndimit. Por masa e pretenduar e saj ishte një kërcënim serioz për qeverinë e Tiranës dhe meqenëse kishte interesa jugosllave të përfshira, lëvizjet e mëtejshme për të duhet të diskutoheshin imtësisht mes dy shërbimeve. CIA deklaroi se vetëm tre refugjatë shqiptarë kishin dëgjuar për organizatën. Korça, i cili ishte mik i ngushtë i Hil Shllakut, tha se ishte dërguar nga ky i fundit për të kontaktuar me Perëndimin. Vetë Shllaku ka qenë më parë xhandar, para dhe gjatë luftës. Ai ka kontakte të shumta në zonat malore dhe është arrestuar një herë nga komunistët. Pasi arriti të shpëtonte u vendos përsëri si klandestin në zonat malore, ku ka pasur mundësinë e kontakteve të shumta në zonat malore dhe më poshtë deri në afërsi të Tiranës. Sipas Korçës organizata ekziston por ka mungesë armësh.

Operacionet e planifikuara për 1954

Britanikët thanë se kishin vetëm një operacion të planifikuar për vitin 1954, grupin e infiltrimit në Veri të vendit që u anulua këtë vit. Ata kanë kontakte të dobishme në Veri dhe është propozuar që ata të lëshohen në qershor. Por mbeteshin vështirësi me gjetjen e agjentëve të kalibrit të lartë. Ka disa agjentë të operacioneve të shkuara që pranojnë të rinisen, por në përgjithësi mbetet problemi i rekrutimit të dobët të shqiptarëve në Greqi.

24 qershor 1953

Departamenti i Shtetit

Integriteti territorial i Shqipërisë

Dokumentet e mëposhtme janë mbi subjektin e memorandumit tuaj dhe mund të ndihmojnë në  materialet për “integritetin territorial të Shqipërisë” dhe gjithashtu duket se bëjnë të qartë nevojën për nxitjen e veprimeve të tjera sipas këtyre linjave.

Mesazh për popullin shqiptar nga sekretari Acheson, 13 maj 1951

Dokumenti mbi Italinë e Vatikanin

Në konferencën e tij të sotme për shtyp, zëdhënësi i kryeministrit italian tha: “Fakti se de Gaspari ka marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm në Paris në një pikë të tillë të fushatës së tij, do të thotë se sa e rëndësishme është për Italinë komuniteti ndërkombëtar”. Në lidhje me subjektin e marrëdhënieve Shqipëri-Itali, zëdhënësi tha se ato ende nuk kishin arritur në pikën e dëshirueshme të normalizimit për arsye të disa politikave të Tiranës: Kjo e fundit ka dhënë të tjera prova të intolerancës së saj me një notë proteste në Romë kundër transmetimeve të rrjetit italian RAI, si dhe me kërkesat për arrestime dhe ekstradime të disa liderëve politikë shqiptarë në Itali. Ministria e Jashtme e Italisë refuzoi notën e protestës duke thënë se Italia ishte një vend i lirë, dhe Kushtetuta i garantonte të drejta azilantëve apo refugjatëve politikë. Ishte e sigurtë se në Shqipëri, ashtu si në vende të tjera prapa Perdes së Hekurt, ekzistonin ndjenja revolte dhe rezistence. Ato kishin uljet e ngritjet e tyre, sipas aftësisë së policisë për t’i shtypur. Sidoqoftë, pikëpamja italiane për Shqipërinë ishte e ditur: ajo donte liri, pavarësi dhe integritet territorial.

Departamenti i Shtetit

28 nëntor 1952

Mesazh për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë

Historikisht, populli shqiptar e ka mbrojtur lirinë dhe pavarësinë e tij për shekuj me radhë, siç po bëjnë edhe sot derisa të çlirohen nga regjimi aktual kukull i sovjetikëve. Përpjekja e tyre ka nisur me heroin kombëtar Skënderbeu që shpalli pavarësinë e Shqipërisë në 28 nëntor 1443. Pas vdekjes së tij, populli shqiptar vazhdoi të luftojë për pesë shekuj derisa pavarësia e Shqipërisë u shpall përsëri në Vlorë në nëntor 1912. Gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, shqiptarët e Shteteve të Bashkuara luajtën një rol të rëndësishëm në ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Presidenti amerikan Wilson mbrojti të drejtën e pavarësisë së Shqipërisë për llogari të qeverisë së SHBA në vitin 1920. Ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore, SHBA ishte vendi i parë mes Aleatëve që bëri deklaratën zyrtare për rivendosjen e Shqipërisë së lirë e të pavarur.

Miqësia e vjetër mes popullit shqiptar dhe atij amerikan vjen si rezultat i lidhjes së Shteteve të Bashkuara me aspiratat e shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Edhe sot populli amerikan e shikon me simpati përpjekjen e popullit shqiptar dhe mezi pret rikthimin e tyre mes popujve të botës së lirë. Për llogari të sekretarit të shtetit, dua të falënderoj Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë për mesazhin e urimit me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Qeveria e populli i Shteteve të Bashkuara e njohin mirë traditën e miqësisë me popullin shqiptar, si dhe simpatinë dhe përpjekjet e Komitetit për të ruajtur parimet e lirisë dhe të pavarësisë në vendin e tij.

James E. Webb

13 maj, 1951

Mesazh i sekretarit amerikan të shtetit, Acheson, për popullin shqiptar, me rastin e hapjes së programit në gjuhën shqipe të Zërit të Amerikës. “Më sjell kënaqësi të madhe t’i jap popullit shqiptar një mesazh nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Me hapjen e programit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, qeveria dhe populli i  SHBA duan të shprehin interesin e tyre të popullit shqiptar. Lidhja mes nesh është rikonfirmuar prej miqësisë tonë të gjatë dhe ajo duhet të ketë forcë dhe kuptim të ri. Kjo miqësi vjen si rezultat natyral i lidhjes së ngushtë të SHBA me përpjekjen e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. Gjatë viteve, populli dhe qeveria amerikane e kanë shikuar me simpati këtë përpjekje, duke kuptuar se reflekton aspiratat e tyre të vërteta. Në konferencën e Versajës në 1919, presidenti amerikan Woodrou Uilson u interesua personalisht në rivendosjen e Shqipërisë së pavarur dhe qeveria amerikane mbështeti përpjekjen e patriotëve shqiptarë. Gjithashtu, mes dy luftërave botërore, SHBA ka ruajtur marrëdhënie miqësore me Shqipërinë, duke ndihmuar institucionet vendase me organizatat e saj si Kryqi i Kuq amerikan, fondacioni Rockfeller dhe Near East. Kjo është historia, e kaluara, dhe tani Zëri i Amerikës do të flasë për të tashmen e të ardhmen. Të tashmen, ju e dini më mirë se unë, teksa shpresoni që ëndrra juaj e lirisë e sovranitetit të realizohet së shpejti. Duke ju ndihmuar të krijoni të ardhmen tuaj si një anëtare e lirë e komunitetit të kombeve, Shtetet e Bashkuara do të sjellin te ju me anë të këtij transmetimi gjykimin e fakteve. Zëri i Amerikës do t’ju sjellë atë që ju është mohuar prej kohësh, të vërtetën e botës së lirë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan, ju dërgojnë urimet e tyre dhe Zëri i Amerikës ju mirëpret mes dëgjuesve të tij.

Please follow and like us: