Albspirit

Media/News/Publishing

CIA zbardh mjerimin në Shqipëri, ja premtimet e Mehmet Shehut për misër me racione, elita politike bënte jetë luksoze, akuza se Enver Hoxha u shit ndaj Kremlinit në këmbim të ushqimit, ja rreziku që vinte nga Jugosllavia

Shërbimi sekret amerikan i ka dhënë një goditje të fortë Mehmet Sheut, gjatë regjimit komunist. Në një dokument të deklasifikuar shprehen kritika sa i takon mjerimit të popullit. Aty thuhet se ai u premton qytetarëve misër me racione edhe pse dikur shprehej se ky ushqim ishte vetëm për derra. Nga ana tjetër thuhet se krerët e politikës vetë bënin jetë luksoze dhe popullin e linin në mjerim. Nga ana tjetër, kritika ka pasur dhe për Enver Hoxhën, ku thuhet se ai ka pranuar të bashkëpunojë me Bashkimin Sovjetik në ndihmë të ushqimeve dhe kjo solli rrënimin e vendit. Në një tjetër dokument tregohet frika e amerikanëve nga pushtimi që do të vinte prej fqinjëve. Aty thuhet se në rast shembje të regjimit Jugosllavia dhe Greqia mund të ndërhynin ushtarakisht dhe për këtë arsye më 1951 u pezullua fillimisht plani për të nxitur rebelim.

Mjerimi ekonomik mbretëron në Shqipëri

Mehmet Shehu u premton shqiptarëve misër me racione

Gjashtëdhjetë për qind e tokave të punueshme në Shqipëri do të mbillen me misër, në kuadër të planit të dytë pesë-vjeçar, sipas urdhrave të Mehmetit. Ky është progresi sipas stilit komunist! Sipas po atij, Mehmeti që ka thënë më parë se misri është ushqim për derra. Sot, ai ua prezanton njerëzve dhe u thotë se kjo është çka do të hani. Populli duhet të durojë vështirësi të pakapërcyeshme dhe të sakrifikojë gjithçka për të realizuar planin pesë-vjeçar dhe në këmbim i premtojnë bukë misri, edhe ajo me racione! E drejta e bollëkut, me ushqim të mirë dhe dyqane veshjesh, i rezervohet vetëm elitës së udhëheqjes…, ndërsa punëtorët duhet të durojnë vuajtjet për ato që komunistët premtojnë se do të vijnë “ditë më të mira”. Mjerimi, vuajtjet e sakrificat janë baza e ekzistencës së punëtorëve sepse i tillë është vullneti i shtypësve, i atyre që refuzuan ndihmën ushqimore të popullit amerikan, në një kohë kur e njëjta ofertë u pranua nga populli hungarez, Çekosllavak apo Gjermania Lindore.

Lidhja me Kremlinin

Nënshtrimi i klikës Hoxha-Shehu ndaj Kremlinit po e çon vendin drejt rrënimit. Reforma ekonomike dhe politike e Shqipërisë është shitur në këmbim të ushqimit të falur nga Rusia dhe traktorëve e makinerive të prishura. Njerëzve u jepet nënshtrim, punë dhe falimentim, kurse Rusia merr ajkën e produkteve shqiptare. Ndërsa në kombet e botës së lirë, sistemi ekonomik bazohet në lirinë e iniciativës private, duke siguruar bollëkun që njeriu meriton. Kombet e lira kanë përfituar nga ndihma fisnike e Shteteve të Bashkuara, pa e shitur lirinë e tyre. Progresi kolosal ekonomik i vendeve të lira si Gjermania Perëndimore, Japonia me ndihmën pa interes të Shteteve të Bashkuara, është një provë e gjallë e të drejtës së njeriut që punon për një jetë gjithnjë e më të mirë. Popull shqiptar! Mbroni të drejtën tuaj për standarde më të mira jetese! Mbroni të drejtën për fjalën tuaj në planin ekonomik. Ushqim dhe veshje të përshtatshme për ju dhe fëmijët tuaj janë një detyrim! Flisni kundër shtypësve rusë që po vjedhin ushqimin tuaj!

14 shkurt 1951

Rivlerësim dhe rishikim i planeve të degës OPC në lidhje me Shqipërinë

Pika të përgjithshme

1. Disa ndryshime të situatës ndërkombëtare që prej hartimit të planit aktual të OPC mbi Shqipërinë, sjellin nevojën e një ri-ekzaminimi të faktorëve që përcaktojnë politikat drejt këtij vendi, si dhe të objektivave dhe natyrës së veprimit.

2. Plani origjinal kundër Shqipërisë ishte aprovuar në 22 qershor 1949, në një kohë kur pozita e Jugosllavisë në lidhje me Bashkimin Sovjetik dhe zyrën e Cominform nuk ishte e qartë, dhe kur Shqipëria ishte një faktor i rëndësishëm për mbështetjen e guerrilasve komunistë në Greqi. Asokohe objektivi kryesor i përpjekjeve ishte përmbysja e regjimit të Hoxhës me anë të një force që do të godiste shpejt, e cila do të rekrutohej nga refugjatët shqiptarë në Greqi dhe vende të tjera të Mesdheut. Në dhjetor 1949, si rezultat i zhvillimeve të reja, duke përfshirë dhe një mendësi të re të SHBA dhe Britanisë ndaj regjimit të Titos në Jugosllavi, si dhe ndalimin e operacioneve guerile anti-komuniste në Greqi, projekti për Shqipërinë u modifikua duke përcaktuar objektiva më modeste. Objektivi i përmbysjes së regjimit Hoxha është lënë mënjanë për momentin.

Braktisa e operacionit

Arsyet kryesore për dorëheqjen nga projekti origjinal dhe braktisja e rebelimit të përgjithshëm me anë të ndërhyrjes ushtarake guerile, janë si më poshtë:

a) Tentativa për përmbysjen e regjimit mund të sjellë veprim ushtarak të BRSS ndaj Jugosllavisë me pretekstin e dhënies së ndihmës ndaj operacionit shqiptar.

b) Trazira të masës së gjerë në Shqipëri mund të sjellin përdorimin e njësive taktike sovjetike dhe rritje të aktivitetit ushtarak sovjetik që jo vetëm do të sillte dështimin e rebelimit, por dhe forcimin e kontrollit sovjetik në Shqipëri, dhe në zonën e Mesdheut.

4. Sipas rishikimeve, misioni për Shqipërinë duhet të përfshijë qëllimet e mëposhtme:

a) Reduktimin e rëndësisë së Shqipërisë për Bashkimin Sovjetik me anë të dëmtimit të vazhdueshëm të autoritetit të komunistëve dhe me anë të ngacmimeve të brendshme. Ngacmime të tilla kufizojnë rëndësinë e Shqipërisë në rast agresioni kundër fqinjëve të saj apo kundër vendeve perëndimore

b) Inkurajimi dhe asistimi i popullit shqiptar në rezistencën ndaj regjimit të Hoxhës dhe mbajtja e gjallë e shpresës së çlirimit prej tij. Përgatitja psikologjike për veprim të mundshëm për çlirimin e vendit nga tirania komuniste.

c) Krijimi dhe ndjellja e mbështetjes klandestine për grupet e rezistencës që mund të përdoren më pas si baza e lëvizjes për çlirimin e vendit.

5. Makineria e zbatimit të projektit të OPC kundër Shqipërisë është krijuar tashmë dhe funksionon. Ka disa operacione në zhvillim të cilat kanë dhënë rezultate, megjithë aktivitetin relativisht të vogël. Mbetet për t’u përcaktuar sipas vlerësimeve të reja, nëse është e udhës të ndryshohet masa, shpejtësia apo natyra e operacioneve.

Vlerësime të reja mbi situatën

Mes faktorëve të rinj apo të ndryshuar që duhet të marrin vëmendje përmendim:

a) Ka disa sinjalizime se Jugosllavia mund të sulmohet nga vendet e Cominform në të ardhmen e afërt, ose nga një prej vendeve satelite fqinje, ose me pjesëmarrjen aktive të forcave të armatosura sovjetike.

b) Ka pasur kohët e fundit një rritje të personelit ushtarak sovjetik në Shqipëri, që tregon për qëllimin e forcimit të fuqisë ushtarake shqiptare.

c) Jugosllavia, e cila i trembet një sulmi ushtarak të bllokut sovjetik, ka në plan të pushtojë Shqipërinë sapo të nisë agresioni, gjë që e konsideron të mundshme në një periudhë prej dhjetë ditësh.

d) Jugosllavia është përfshirë në një sërë aktivitetesh klandestine në Shqipëri, dhe besohet se po mbledh një forcë të shqiptarëve në Jugosllavi, me qëllimin e krijimit e goditjes pushtuese, të ngjashme me atë të parashikuar në planin fillestar të OPC, për përmbysjen e regjimit Hoxha.

e) Tito është i shqetësuar prej aktivitetit amerikan e britanik në Shqipëri dhe e ka bërë të qartë se do të ndjehej më i qetë nëse kjo ndërpritej.

f) Përveç aktiviteteve jugosllave, grekët, italianët e britanikët po kryejnë gjithashtu veprime klandestine, dhe situata është ngatërruar më shumë nga fakti se disa qeveri po përdorin elementë rivale politikë për ndërhyrje mes shqiptarëve.

g) Italianët dhe grekët nuk janë dakord me politikat e SHBA dhe kundërshtojnë objektivat tona të grupeve politike të emigracionit.

h) Si rezultat i marrjes në konsideratë të përfshirjes së Italisë apo Titos, Ministria e Jashtme britanike do të mirëpresë ndërprerjen e aktiviteteve tona në Shqipëri, edhe pse mund të pranojë vazhdimin e aktivitetit në nivelet aktuale edhe për një vit.

Roli i Jugosllavisë

Nga këta faktorë, më të rëndësishmit në këtë diskutim duket se janë ato që kanë të bëjnë me sjelljen e Jugosllavisë në rast aktiviteti të vendeve të Comiform kundër saj. Qëllimet armiqësore kundër Jugosllavisë janë padyshim pjesë e politikës imperialiste sovjetike, dhe aktualisht Shqipëria mund të bëhet pjesë e kuadrit ushtarak në rast të një sulmi ndaj Jugosllavisë. Shqipëria është shumë e dobët ushtarakisht për të qenë pikënisje e sulmit të mundshëm. Por Bashkimi Sovjetik mund të përdorë pretekstin e sulmit jugosllav kundër Shqipërisë, për ndërhyrje në mbrojtje të viktimës së agresionit. Prandaj në këtë sens Shqipëria mund të përdoret si një agjent provokator për krijimin e situatës që do të justifikonte edhe pushtimin e Shqipërisë nga sovjetikët “për arsye mbrojtjeje”, ashtu dhe agresionin ndaj Jugosllavisë. Duke pasur parasysh pasojat e rënda të një sulmi ndaj Shqipërisë, Tito nuk ka ndërmend të marrë iniciativa kundër Shqipërisë, derisa ai vetë të mos sulmohet. Por sapo të ndodhë pushtimi i Shqipërisë nga Jugosllavia, është e sigurtë që Greqia do të ndërhyjë duke pushtuar Jugun e vendit që lakmon. Çelësi i çështjes në fjalë është aftësia e Shteteve të Bashkuara të ruajë iniciativën dhe lidershipin moral për çdo ndryshim të mundshëm të balancave politike në Ballkan. Vetëm nëse SHBA ruan pozitën e influencës në këtë situatë, Shqipëria do të mund të ruajë pavarësinë e saj. Një tjetër pasojë e mundshme, e padëshirueshme e pushtimit të Shqipërisë nga Jugosllavia, është fakti se veprimi jo vetëm që do të japë justifikimin e mundshëm të ndërhyrjes ushtarake dhe mundësisht ajrore të sovjetikëve, por dhe dobëson arsyet morale në favor të ndërhyrjes së SHBA dhe OKB në ndihmë të Titos.

Ndarja e Shqipërisë

Është theksuar se ndarja e Shqipërisë është e paevitueshme nëse asnjë forcë nuk i kundërvihet përpjekjeve jugosllave dhe greke në rast ndërhyrjeje në Shqipëri. Pasojat e një ndarjeje do të ishin katastrofike jo vetëm për problemet politike që ngrihen, por edhe sepse do të ngrinte akuza se SHBA rri e vështron teksa një vend i vogël gëlltitet nga fqinjët e tij imperialistë. Reagimi psikologjik do të ishte shumë i padëshirueshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke dëmtuar imazhin dhe prestigjin e SHBA. Problemi shqiptar do të zgjidhej në mënyrë të kënaqshme për nga pikëpamja amerikane nëse do të mund të bëhej përmbysja e regjimit para një sulmi të mundshëm nga sovjetikët, dhe nëse vendosej qeveria demokratike përpara se Jugosllavia të kishte kohën dhe pretekstin për të vepruar. Ky është koncepti origjinal i planit të degës së OPC, i cili u rishikua për arsye të rreziqeve të veprimit sovjetik ndaj Jugosllavisë, apo të pushtimit “protektiv” të Shqipërisë. Nëse asnjë përpjekje nuk bëhet për praninë e një force të sponsorizuar nga SHBA në Shqipëri, ka rrezik për ndarjen e Shqipërisë mes Greqisë dhe Jugosllavisë, ku më pas SHBA do të përballej me një fakt të kryer që kundërshton politikën amerikane, duke sjellë një situatë që është shumë e vështirë  të korrektohet.

Rreziku nga Greqia

Meqenëse pushtimi jugosllav i Shqipërisë nuk i shërben kësaj të fundit në rast pushtimi prej Bashkimit Sovjetik por do të sillte vetëm një pretekst për ndërhyrjen greke në Epirin e Veriut, është e rëndësishme futja në Shqipëri e elementëve të armatosur, të aftë të përmbysin regjimin e Hoxhës dhe të aftë të ruajnë emrin e grupeve shqiptare të emigracionit të sponsorizuar nga SHBA. Tito duhet të inkurajohet të mos ndërhyjë në Shqipëri dhe forca e rekrutuar nga CIA/OPC të maskohet pas Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë. Ajo do të jetë shtylla kryesore të rebelimit kundër Hoxhës. Nëse nuk mund të marrim siguri nga Tito, SHBA duhet të paktën të insistojë në pjesëmarrjen në forcën rebeluese kundër regjimit, në mënyrë që të kemi zërin tonë në krijimin e elementëve politikë për qeverinë e re post-komuniste.

Duke marrë në konsideratë rrezikun e agresionit kundër Jugosllavisë, është thelbësore që OPC të jetë i gatshëm të veprojë në Shqipëri sapo të jepet mundësia. Ky veprim do të jetë i kërkuar në Shqipëri pa marrë parasysh sjelljen e jugosllavëve, italianëve apo grekëve e britanikëve. Prandaj është e rëndësishme të përgatitet terreni për intensifikimin e aktiviteteve në Shqipëri me anë të trajnimit të forcës goditëse pushtuese, kur të jetë koha për operacione të shkallës së gjerë kundër regjimit të Hoxhës. Zgjedhja e kohës së këtij operacioni do të jetë edhe faktori përcaktues i suksesit dhe kjo mund të zgjidhet vetëm gjatë zhvillimit të situatës. Vendimi për përdorimin e saj duhet të bazohet mbi politika të ardhshme, por përgatitja duhet të bëhet menjëherë.

Rekomandime

Për arritjen e objektivave të paragrafit të mësipërm, rekomandohen veprimet e mëposhtme:

Ritmi i operacioneve të OPC kundër Shqipërisë të shpejtohet për krijimin e kushteve për ndërhyrje të forcës së armatosur, me qëllimet e mëposhtme:

1) Lehtësimi i dhënies së ndihmës për Jugosllavinë në rast sulmi ndaj saj, me anë të ndërhyrjes së forcës së armatosur në Shqipëri, e cial do të lëkundë stabilitetin e regjimit Hoxha.

2) Pengim i aktiviteteve sovjetike kundër Jugosllavisë apo Greqisë me pikënisje nga Shqipëria.

3) Aktivizim i lëvizjes nacionaliste shqiptare për të theksuar pavarësinë shqiptare dhe formimin e qeverisë demokratike, dhe për të kundërvepruar ndaj influencat e rretheve greke dhe jugosllave që kërkojnë ndarjen e vendit mes tyre. Gjetja e justifikimit politik për mbështetjen e pavarësisë nga SHBA dhe mundësisht dhënia e mbështetjes së përkohshme për Titon.

Forca goditëse për Shqipërinë të krijohet e trajnohet pa vonese, dhe të mbahet e gatshme për përdorim siç u tha më sipër.

Mehmeti që ka thënë më parë se misri është ushqim për derra. Sot ai ua prezanton njerëzve dhe u thotë se kjo është çka do të hani. Populli duhet të durojë vështirësi të pakapërcyeshme dhe të sakrifikojë gjithçka për të realizuar planin pesë-vjeçar dhe në këmbim i premtojnë bukë misri, edhe ajo me racione! E drejta e bollëkut, me ushqim të mirë dhe dyqane veshjesh, i rezervohet vetëm elitës së udhëheqjes…

Nënshtrimi i klikës Hoxha-Shehu ndaj Kremlinit po e çon vendin drejt rrënimit. Reforma ekonomike dhe politike e Shqipërisë është shitur në këmbim të ushqimit të falur nga Rusia dhe traktorëve e makinerive të prishura. Njerëzve u jepet nënshtrim, punë dhe falimentim, kurse Rusia merr ajkën e produkteve shqiptare.

Please follow and like us: