CIA zbardh rezultatet e operacioneve për dërgimin e agjentëve në Shqipëri, 93 persona u futën në territorin tonë për rrëzimin e Hoxhës, disa u vranë nga Sigurimi dhe shumica u arratisën në Jugosllavi, ja cili ishte misioni i Hamit Matjanit
Plot 93 agjentë të rekrutuar nga CIA kanë hyrë në territorin shqiptar gjatë tentativave për rrëzimin e regjimit komunist në vitet ’50-’51. Bëhet fjalë për shqiptarë që u rekrutuan nga amerikanët dhe u dërguan me misione speciale, por që shumica e tyre dështuan. Në një dokument të deklasifikuar nga CIA, tregohet numri i agjentëve të dërguar në vendin tonë, ku dhe nga ana tjetër jepen detaje se si një pjesë u vranë nga Sigurimi i Shtetit, ndërsa një pjesë u arratisën në Jugosllavi dhe disa u zhdukën. Në dokumentet e mëposhtme përmendet dhe emri i Hamit Matjanit. Bëhet fjalë për një emër të njohur në historinë shqiptare, pasi ai që me ngritjen e regjimit komunist u largua nga vendi dhe u rekrutua nga amerikanët. Ai ka qenë ndër agjentët më besnikë të tyre dhe kishte marrë rol të organizonte grupe me shqiptarë të tjerë të rekrutuar. Në një tjetër dokument tregohet dhe një rivalitete mes britanikëve dhe amerikanëve për misionet në Shqipëri.
Prill 1951
Raport i përmuajshëm i operacioneve
Është kryer në 7 prill një takim i oficerëve kryesorë të operacionit shqiptar në Gjermani, i thirrur nga kreu i degës britanike, për eksplorimin e rrugëve të reja të veprimit në Shqipëri, për të ardhmen e afërt. Planifikimet aktuale tregojnë se operacionet e këtij viti do të jenë më të gjera sesa planet origjinale të infiltrimit të tetë apo dhjetë grupeve me nga katër agjentë, plus grupe të tjera më të vogla për misione speciale. Plani i përgjithshëm i infiltrimit të agjentëve shqiptarë nga kufiri grek është pranuar nga britanikët, grekët dhe përfaqësuesit e degës OPC të CIA. Sipas këtij vendimi, lideri shqiptar me emër Hamit Matjani, i cili ka një numër të konsiderueshëm ndjekësish në Greqi dhe Shqipëri, është zgjedhur për të formuar disa grupe që do të infiltrohen nga Greqia për detyra të veçanta, pas diskutimeve me Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë.
Dy nga tre anëtarët e grupit Dibra të lëshuar në Shqipëri më 11 nëntor 1950, për të cilët nuk kishte pasur të dhëna më parë, kontaktuan me letër me Kompaninë e Gardës në Gjermani duke treguar se ndodheshin në Jugosllavi dhe kërkonin asistencë për të mbijetuar. Grupi prej dy njerëzish, të trajnuar në Greqi, që po qëndronte në pritje prej 17 prillit, do të lëshohet në Shqipëri me një fluturim të fshehtë. Misioni i tyre është vendosja e kontakteve me grupin e vendosur në Kukës që prej 11 nëntorit 1950, ndërsa mision i dytë është mbledhja e informacioneve operacionale për gjendjen ne Shqipëri. Megjithëse kemi kaluar dy herë me avion mbi zonën e përcaktuar gjatë javës së 22 prillit, kushtet e motit nuk na kanë lejuar lëshimin.
Trajnimet në Gjermani
Grupet e vlerësimit të CIA kanë analizuar më shumë se 200 individë në Kompaninë e Gardës në Gjermani dhe kanë zgjedhur 66 prej tyre si më të kualifikuar për operacione. Strukturat ekzistuese për trajnimin e agjentëve në Gjermani janë tashmë, pas kompletimit të trajnimit për agjentët bullgarë, të gatshme për stërvitjen e agjentëve shqiptarë. Trajnimi i operatorëve radio do të bëhet në kohë për të furnizuar operacionet e fundit të verës. Kontraktorët tanë kanë marrë një tjetër qendër stërvitjeje në Gjermani, përveç asaj në Hambuechen dhe është më efektive sesa qendra jonë e parë atje. Kampi i refugjatëve shqiptarë në Lavrion në Greqi është analizuar nga Partia e Legalitetit dhe është hartuar një listë prej 117 shqiptarësh që mund të shërbejnë si agjentë, të cilët aktualisht po u zbardhen të dhënat nga grupet e sigurisë. Një broshurë në lidhje me episodin e bombës është hartuar në Londër prej 8 prillit, por nuk është lëshuar mbi Shqipëri për arsye të masës së ndalimit të vendosur nga Departamenti i Shtetit. Por gjithsesi misioni i furnizimit u lejua të lëshonte 50.000 kopje të kësaj broshure në disa lokalitete si instrument mashtrimi. 500.000 kopje të broshurës që njofton nisjen e transmetimeve klandestine radio kanë mbërritur në Athinë, duke u bërë në total 1.500.000 broshura që do të shpërndahen me heqjen masës së ndalimit në 3 qershor 1951.
Transmetimet radio
Mjeti detar me stacion e radios klandestine ka krijuar bazën e tij në Patras të Greqisë dhe një oficer ndërlidhjeje mes detit dhe tokës do të shkojë në Patras në maj. Nisja e transmetimeve besohet të nisë rreth 15 majit, pasi është penguar nga vështirësitë teknike dhe të personelit. Ndërkohë po kryhet riparime në pajisjet e telegramit të dëmtuara gjatë kalimit të oqeanit. Mbledhja e stafit të propagandës po përfundon në Greqi dhe pritet të arrijnë në vend redaktori i propagandës dhe një tjetër teknik radio. Tekstet që do të transmetohen dërgohen fillimisht në Uashington. Dega e propagandës në Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë po rrit prodhimin e saj dhe materiali i kalon nevojat e përmuajshme prej 500.000 broshurash. Përveç kësaj Komiteti po prodhon material të bollshëm edhe për gazetën e Komitetit që botohet në Nju Jork.
Aktivitetet politike ende nuk janë zgjidhur problemet e brendshme politike mes grupeve të Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, megjithëse ai vazhdon të funksionojë si një njësi duke dhënë mbështetje të konsiderueshme me juntën e tij ushtarake dhe me degën e propagandës.
Dy numrat e prillit të gazetës së Komitetit u botuan në kohë. Said Kryeziu, anëtar i kryesisë së Komitetit për Shqipërinë e Lirë (NCFA) dhe drejtues i Partisë Agrare, i cili ka vizituar Kompaninë e Gardës në Gjermani, pritet të jetë në SHBA më 10 maj, në një vizitë që ka si qëllim përmirësimin e marrëdhënieve mes tij dhe anëtarëve të tjerë të NCFA`
1951-1952
Memorandum
Përshkrim i projektit dhe zhvillimeve të tij në Shqipëri
Objektivi i projektit OBHUNT është infiltrimi i agjentëve në Shqipëri me qëllim krijimin e rrjeteve të rezistencës, bazave të sigurta dhe inteligjencës operative. Komiteti Kombëtar i Shqipërisë së Lirë po reklamohet si sponsor i këtyre operacioneve dhe objektivi final i tyre është krijimi i një bërthame force sulmuese dhe drejtuese për popullatën, kundër regjimit aktual në kohën e duhur. Një nga asetet kryesore të projektit është grupi prej 25 shqiptarësh të stërvitur që mbahen në Athinë, por me vlerë konsiderohen dhe elementë të tjerë në Kampin grek të Lavrionit, të cilët përbëjnë material premtues me anë të refugjatëve që vijnë aty nga Shqipëria herë pas here. Një tjetër aset, me më pak vlerë është Kompania shqiptare e Gardës në Honenbrun në Gjermani, me rreth 4000 anëtarë, ato mund të përdoren nga CIA në rast nevoje për një forcë të armatosur, për veprim aktiv kundër regjimit komunist.
Zhvillimet
Që prej 11 nëntorit 1950 kur agjentët e parë u lëshuan në Shqipëri nga ajri, operacionet tona kanë pasur këto rezultate: 21 grupe janë në veprim me 93 agjentë të infiltruar në vend. 63 prej tyre kanë dalë përsëri nga Shqipëria, prej të cilëve 5 kanë dezertuar në Jugosllavi. 4 agjentë janë kapur, 9 janë vrarë, dhe për 12 nuk dihet asgjë. Vetëm 2 agjentë janë aktiv në Shqipëri.
Në vitin e parë të operacioneve është përdorur një nivel i ulët agjentësh të rekrutuar nga Kompania e Gardës dhe ka pasur mangësi sigurie nga ana e anëtarëve të NCFA. Si rezultat gjatë vitit 1951, 4 agjentë janë kapur dhe 9 janë vrarë, dhe ne kemi anuluar stërvitjen dhe rekrutimin e agjentëve në Gjermani me dijeninë e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë. Kjo lëvizje pati sukses në vitin 1952, ku nuk kemi patur asnjë humbje në agjentë dhe është prodhuar një masë e konsiderueshme inteligjence. Grupet tona kanë kontaktuar me të njohur të tyre dhe kanë komunikuar me ne me anë të mesazheve në letër, duke konfirmuar se përpjekja e CIA po arrin pjekurinë e saj duke mbjellë idetë e rezistencës pasive dhe të mundësisë së çlirimit nga regjimi shtypës, në mendjen e popullatës.
Zhvillimet negative
Zhvillimet kryesore negative kanë qenë humbja e 18 agjentëve prej kapjes, vdekjes dhe dezertimit, dhe ndoshta humbja e 12 të tjerëve. Gjithashtu për t’u marrë në konsideratë është rritja e sigurisë brenda vendit dhe shtimi i patrullimeve të sigurisë.
Prill 1952
Raport operacional
Në fushën e veprimit politik po punojmë drejt dobësimit të pozitës së brendshme të regjimit të Hoxhës, teksa në krahun tjetër po forcojmë pozitën e NCFA me anë të propagandës. Sa i përket operacioneve me agjentë, po përpiqemi të krijojmë një bazë solide brenda Shqipërisë, që përfundimisht do të ketë aftësinë të përmbysë regjimin Hoxha, kur të jetë momenti për veprim.
Hapa për t’u marrë aktualisht: Infiltrimi në Shqipërinë e mesme të grupit prej 4 agjentësh pro-zogistë, për të vlerësuar situatën politike dhe ekonomike. Ata do të kontaktojnë me të gjithë elementët pro-zogistë dhe do të nxjerrin nga Shqipëria 10-12 elementë të rinj që do të përdoren si guida në misione të ardhshme. Ekzistojnë mundësitë që me ta të bashkohet edhe një grup i dërguar prej nesh brenda vendit.
20 prill
Misioni i kontaktit Pine Tree- Një grup prej tre agjentësh do të infiltrohet në veri të Shqipërisë për të tentuar të kontaktojë me grupin e 4 agjentëve që kaluan dimrin në Prizren të Jugosllavisë.
20 maj
Një grup me 4 agjentë do të infiltrohet në zonën e Korçës për të llogaritur reagimin publik ndaj programeve tona të propagandës, si dhe për të krijuar burime inteligjence për stacionin klandestin të radios. Grupi prej 3 njerëzish i Hamit Matjanit do të infiltrohet në Korçë për të tentuar misionet goditëse në stacionin elektrik të Korçës, një depo municioni në juglindje të Korçës, dhe një depo municioni në veri të Korçës.
Qershor
Lëshimi i fletushkave të propagandës. Kontaktet do të bëhen me grupin Red One në Prizren të Jugosllavisë. Një njeri mund të lëshohet për të vendosur kontakte me grupin, për llogari të Komitetit për Shqipërinë e Lirë.
Qershor/Korrik
Tre infiltrime në grupe me nga dy njerëz, në forcat e armatosura, sipas informacioneve të refugjatëve. Misioni i vrasjes së Bogdanit, me dy njerëz që do të qëndrojnë në kamp për një javë.
Korrik
Grupi prek 4 njerëzish nga kampi grek i Lavrionit që do të infiltrohet në zonën e Gjirokastrës, me mision vendosjen e kontakteve me lidhje të vjetra në ushtri e polici. Të krijohet një rrjet komunikimi me letra dhe me korrierë.
28 tetor 1952
Rivaliteti mes amerikanëve dhe britanikëve
Në diskutimet tona të ardhshme me britanikët në lidhje me Shqipërinë duhet të ngrihen disa pika që ndikojnë në pranimin ose jo të propozimeve të britanikëve. Një prej tyre është fakti se operacioni ynë BGFiend është shumë më i madh dhe më kompleks sesa operacioni britanik Valuable dhe gjatë viteve të fundit operacionet tona kanë qenë shumë më të suksesshëm se ato britanike, duke dhënë shumicën e inteligjencës dhe duke shtuar prestigjin amerikan në rrethet shqiptare anti-komuniste. Ka disa sinjalizime se britanikët duket disi të pakënaqur nga arritjet tona në Shqipëri, pasi shqetësohet se ne mund të fitojmë një pozitë më të favorizuar influence si brenda vendit ashtu edhe në rrethet e emigracionit. Megjithëse që prej fillimit britanikët janë tentuar që t’i kthejnë BGFiend dhe Valuable në një operacion të përbashkët, ne kemi arritur të ruajmë dhe të mbajmë distancimit operacional, aq sa për të siguruar se përfundimi i njërit nuk sjell detyrimisht përfundimin e operacionit tjetër. Britanikët kanë përfituar shumë nga operacionet shqiptare të financuara vetëm me fondet amerikane. Çfarëdo që të ndodhë me projektin britanik Valuable, projekti amerikan është në pozitë shumë të mirë për të vazhduar si një operacion ekskluzivisht amerikan. Departamenti i Shtetit ka sinjaliziuar se është i kënaqur me aktivitetet tona dhe do të vazhdojë ato në nivelin aktual. Në rast se britanikët vendosin të shkurtojnë ato të ndalojnë operacionet e tyre në Shqipëri, nuk ka arsye pse edhe projekti amerikan të ketë masa të tilla. Programi zbatohet në lidhje me direktivat e autoriteteve më të larta të SHBA në lidhje me satelitët e Bashkimit Sovietik. Por besojmë se edhe projekti britanik mund të ketë përshkallëzime për arsye të humbjes së prestigjit britanik dhe rritjes së influencës amerikane në rajonin e Ballkanit.