Dokumentet e CIA, ja si qeveria komuniste futi në delegacionin e OKB një pjesëtar të Sigurimit, misioni i tij në organizatën “Vatra” dhe tentativat për të zbuluar puçistët në emigracion
Aktivitete CIA gjatë regjimit komunist, por dhe Komitetit për Shqipërinë e Lirë për rrëzimin e Enver Hoxhës, kanë bërë në atë kohë që pjesëtarët e Sigurimit të Shteti të dilnin edhe jashtë vendit. Në një dokument të deklasifikuar nga CIA, tregohet se si pjesë e delegacionit shqiptarë në OKB ishte dhe një anëtar i Sigurimit të Shtetit. Aty tregohet se ai tentoi disa herë që të informohen mbi operimin e emigrantëve shqiptarë në SHBA dhe planet e tyre për të rrëzuar regjimin komunist. Aty tregohen detajet mbi diskutimet për organizatën vatra, teksa përmenden dhe vetë debatet që ekzistonin brenda saj. Ndërsa në dy dokumente të tjera gazeta tregon përmbajtjet e fletëpalosjeve që agjentët e CIA hidhnin me avionë në Shqipëri. Në disa prej tyre u bëhej thirrje komunistëve që të dezertonin dhe u premtohej mbrojtje dhe strehim.
Departamenti i Drejtësisë
29 dhjetor 1969
Më 13 gusht 1967 një burim që ka dhënë informacione të besueshme në të kaluarën, sinjalizoi se Kozma Moja, sekretari i dytë i delegacionit shqiptar në Kombet e Bashkuara, kishte pranuar fshehurazi se ishte anëtar i Sigurimit. Më 14 dhjetor 1969, i njëjti burim raportonte se kohët e fundit Kozma Moja kishte shprehur interes dhe kishte komentuar si më poshtë:
Djali 7-vjeçar i Kozma Mojës u kthye në Shqipëri më 5 dhjetor 1969 për të vazhduar shkollën në Tiranë, ku do të qëndrojë me të afërmit. Ai e kishte dërguar të birin në Shqipëri pasi nuk aprovonte që ai të shkollohej në Shtetet e Bashkuara apo në shkollat e OKB në Nju Jork. Moja është shumë i afërt me djalin e tij dhe ndjehet i vetmuar tani që ai është larguar. I biri i Mojës u kthye në Shqipëri bashkë me delegacionin që mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB. Grupi fluturoi me avion nga Nju Jorku në Romë, ku pritën për dy ditë avionin e Alitalia për të shkuar në Shqipëri. Kjo linjë ka vetëm një fluturim në javë për në Shqipëri.
Përplasjet për Vatrën
Vincent/Marko nga Connecticut, SHBA, duhet të kishte qenë në aeroportin e Tiranës ditën kur djali i Mojës mbërrinte. Marko është kthyer tashmë nga Shqipëria por Moja nuk e ka takuar.
Moja komentonte se e dinte se çfarë kishte ndodhur gjatë dy darkave të dhëna nga organizata Vatra në 28-29 nëntor 1969, në hotelin e Nju Jorkut, por ishte më i interesuar në atë që ishte zhvilluar gjatë seminareve të Vatrës në atë fundjavë. Moja tha se kishte dëgjuar gjatë seminareve se kishte opozicion, kritika dhe protesta ndaj faktit se elementë politikë u jepej e drejta të flisnin. Ai vazhdoi duke thënë se disa njerëz po akuzonin të tjerë se po e kthenin Vartën në një organizatë politike, dhe se të dy … Unicos dhe Antony Athanas, presidentët e vatra në vitet 196…e 1963 e kundërshtonin një lëvizje të tillë dhe ishin kritikuar për lejimin e elementëve si … Kuliqi, kreun e Bllokut Indipendent, dhe Hasan Dosin, kreun e Ballit Kombëtar, të flisnin në seminaret e saj. Moja tha se kishte lexuar gazetën Dielli, por asgjë nuk thuhej në të për seminaret.
Ndarja e emigrantëve
Burimi raportonte se federata mbarëshqiptare e Amerikës e njeh Vatrën si një organizatë të shqiptarëve të vjetër amerikanë dhe grup anti-komunist, me gazetën e përjavshme Dielli. Burimi identifikonte Bllokun Indipendent si një organizatë të shqiptarëve në emigracion, kryesisht të atyre katolikë. Burimi raportonte se Balli Kombëtar është gjithashtu organizatë e shqiptarëve në emigracion.
Moja ishte i interesuar të dinte mbi grupet që marrin pjesë në Komitetin e Shqipërisë së Lirë, dhe gjithashtu donte të dinte nëse Departamenti i Shtetit i dërgonte urimet e përvitshme Komitetit. Moja komentoi se kishte dëgjuar se folësi kryesor i eventit kishte kritikuar qeverinë shqiptare dhe komunizmin, prandaj MOja po hetonte përse ishte zgjedhur një folës i tillë. Ai tha se Buzi nuk e dinte për çfarë po fliste, dhe se Shqipëria kishte anulluar të gjitha taksat dhe ishte vendi i parë në botë që e bënte këtë. Më tej ai tha se Shqipqëria kishte ulur çmimet e ushqimeve dhe veshjeve.
Moja kishte thënë se donte të dinte më shumë për grupin e arbëreshëve që erdhën në Nju Jork për të marrë pjesë në celebrimet e organizuar nga Vatra më 28-29 nëntor 1969, duke përfshirë numrin e njerëzve në delegacion dhe kush paguante kostot e udhëtimit, ushqimin etj. Ai tha se vetë Vatra nuk kishte shumë para, prandaj donte të dinte kush i kishte sponsorizuar festimet. Prandaj ai donte të dinte çfarë kishte ndodhur gjatë udhëtimit në Uashington të presidentit të Vatrës, Vasil Gjermani, pasi udhëtimi ishte kryer vetëm disa ditë para ardhjes së arbëreshëve në SHBA. Moja shprehu habinë e tij dhe kënaqësinë që mësoi se në festimet e Vatrës nuk kishte dorë qeveria e SHBA, në nivel shtetëror apo lokal. Ai mendonte se Vatra është një organizatë politike pasi anëtarët e saj ndjekin linjën politike të administratës Nixon. Burimi ynë raporton se Arbëreshët janë pasardhës të shqiptarëve të larguar drejt Italisë që prej vdekjes së Skënderbeut në shekullin e 15-të dhe që kanë ruajtur prej atëherë traditat dhe koloninë e tyre.
Roli i Ernest Koliqit
Moja tha se Ernest Koliqi, kreu i Bllokut Indipendent, erdhi nga Italia për të marrë pjesë në festimet e Vatrës, dhe ishte ende në Shtetet e Bashkuara për t’u takuar me përfaqësues të Bllokut Indipendent në SHBA. Ai besonte se vizita e Maliqit kishte domethënie politike. Moja tha se dyshonte se qeveria e SHBA i kishte dhënë dorë të lirë Vatikanit për të drejtuar aktivitetet e grupeve shqiptare në Itali dhe se dark e Vatrës ishte vetëm fillimi i tyre. Ai tha më tej se Shqipëria do t’i japë vizë të gjithë atyre që duan ta vizitojnë. Ai këshilloi se janë dhënë tashmë disa viza për amerikanët dhe shpejt do të jepen të tjera. Moja ishte i interesuar të dinte vendndodhjen e Xhine Pipa dhe vëllait të saj, si dhe mënyrën e largimit të saj nga Shqipëria drejt Jugosllavisë dhe ata që e kishin ndihmuar për t’u arratisur. Burimi informon se Akshi Pipa është një prej intelektualëve të njohur në Shqipëri dhe që është mbajtur në një kamp përqendrimi për shumë vjet për arsye të kundërshtimit ndaj komunizmit. Ai erdhi në SHBA rreth 10-12 vjet më parë dhe punon si profesor në një shkollë apo universitet
1 prill 1953
Më poshtë kemi tekstin e pamfleteve të propagandës të aprovuar nga selia kryesore. Vonesat në kompletimin e tyre mund të shpjegohet me heshtjen e disa elementëve brenda degës, që nuk i shihnin ato në mënyrë favorizuese. Sektorë të ndryshëm të misionit kanë pasur mendime të ndryshme në stilin e veprimit apo në bashkimin në një, të të gjithë operacioneve.
Teksti
Pakti Turko-Greko-Jugosllav lajm i mirë për Shqipërinë
Që të qëndrojë në fuqi, Enver Hoxha me këlyshët e tij e dinë se populli duhet të mbahet në gjendje frike e në gjendje pasigurie. Prandaj mundohen t’i mbushin mendjen popullit se rënia e tyre do të sillte edhe copëtimin e atdheut tonë të dashtun. Ata bajnë çmos për të bindur gjithë botën se fqinjët e Shqipërisë kërkojnë dhunojnë kufijtë tanë, të aneksojnë tokat tona dhe të shuajnë kulturën tonë. Duan të bëjnë që populli të besojë se rënia e tyre do të ishte vdekja e Shqipërisë. Por kjo është një gënjeshtër me bisht. Ndodhja e tyre në pushtet nuk i ka sjellë veçse mjerim popullit tonë dhe është pengesa e vërtetë që populli ynë të përfitojë nga paqja. Kohët e fundit o bashkëatdhetarë, gënjeshtrat e tyne janë shtue edhe më tepër. Ata përpiqen të ç’vlerësojnë rëndësinë e paktit turko-greko-jugosllav, duke e kritikue ashpërsisht. Ata duan që të besoni se ky pakt është humbja e Shqipnisë dhe se qëndrimi i tyne është i vetmi shpëtim për Atdheun tonë. Motra e vllazën shqiptarë! S’ka gënjeshtër më të madhe se kjo. Pakti ballkanik i nënshkruar nga Turqia, Greqia e Jugosllavia në Ankara më 28 shkurt 1953 është në realitet një garanci më shumë nga ana e fqinjëve të Shqipërisë për të respektuar pavarësinë e Shqipërisë dhe integritetin e kufijve tona kombëtare. Le ta shqyrtojmë me urtësi e vërejtje këtë çështje.
Fqinjët
Tre fqinjët tanë megjithë mosmarrëveshjet e tyre, e kuptuan ma së fundmi se ata duhet të jenë të bashkuem që të mund të mbrohen nga një agresion rus. Solidarësia e këtyre tre shteteve u shton shpresën atyre kombeve fqinj që ndodhen nën zgjedhën e kuqe. Duke mbajtur e duke mbrojtur identitetin e tyre vetjak, ata u hapin shteg miqve të tyre të shtypur për të thye prangat e skllavërisë që i mbajnë të lidhur, dhe të krijojnë një mburoje kombesh të fortë që mund t’i tërheqin me vete. Marrëveshjet tregtare mes vendeve sjellim përfitime materiale për të gjithë, kondita më të mira jetese, më tepër ushqim dhe më tepër punë. Bashkëatdhetarë, pakti midis Greqisë, Turqisë dhe Jugosllavisë ka pasur efekte shumë të mira për udhëheqësit e Perëndimit të Lirë. Ata pranojnë se ky pakt është një provë pozitive se vendet ballkanike janë bashkue dhe do të bashkohen miqësisht, për të mbrojtur identitetin e tyre kombëtar e për të mbajtur larg skllavëruesit ambiciozë. Motra e vëllezër shqiptarë! Mos u mashtroni nga shërbëtorët që kanë për qëllim vetëm t’i shërbejnë padronëve të Moskës, dhe t’i zgjasin jetën pushtetit të tyre. Pakti i miqësisë i nënshkruar nga Greqia, Jugosllavia e Turqia është i mirë për shqiptarët liridashës. Ai është hapi i parë i krijimit të një atmosfere në të cilën mund të vendoset liria e Shqipërisë.
Vdekje komunizmit! Liri Shqipnisë!
Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë”
Për liri! Për Shqipëri! Për flamurin kuq e zi!
31 korrik 1953
Informacion sigurie
Teksti i aprovuar i pamfletit të dezertimit
Me qëllim dërgimin e shpejtë të këtij teksti, detyra e përkthimit iu besua Samuel M. Pashley. Meqenëse komiteti i propagandës ka kritikuar shpesh përkthimet e zotit Pashley në të kaluarën, është sugjeruar që ai dhe stafi i tij të punojnë me kujdes. Ne mendojmë se Londra duhet ta kalojë tekstin dhe sipas referencave të nisin printimet prej 5 gushtit, nëse nuk regjistrohen ankesa nga Londra deri atëherë. Sa i përket degës së Athinës, faqja e pasme e tekstit do të jetë në faqen e pasme të edicionit të parë të botimit të propagandës së atjeshme. Teksti do të çohet në Athinë me korrier jo më vonë se 11 gushti.
Mesazh për komunistët shqiptarë
Vëmendje, anëtarë të partisë komuniste të Shqipërisë: Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, e vetmja lëvizje çlirimtare e njohur dhe e mbështetur nga Perëndimi i Lirë, gjithmonë u ka zgjatur dorën e ndihmës refugjatëve që largohen nga shtypja komuniste në Shqipëri. Tani që regjimi komunist në Shqipëri, ashtu si në vende të tjera satelite po kryen spastrime dhe ndryshime, NCFA ka një ofertë të rëndësishme për të gjithë zyrtarët komunistë që nuk i kanë ndyrë duart me gjak shqiptar. Nëse jeni një anëtar i rëndësishëm i partisë komuniste apo oficer në ushtri apo në forcat e sigurimit, atëherë dëgjoni me vëmendje ofertën bujare të NCFA. Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë është në dijeni se shumë anëtarë të partisë i janë bashkuar asaj prej propagandës së rreme të komunistëve. Kjo propagandë ka premtuar liri, bollëk dhe lumturi për të gjithë popullin shqiptar, por i soli atij vetëm skllavëri, uri dhe mjerim. Ne e dinë mirë se ka shumë zyrtarë komunistë që janë penduar për gabimin e tyre por nuk guxojnë të largohen në botën e lirë prej frikës së dënimit nga NCFA apo mbështetësit e tij. Por ne duam të sigurojmë këta persona se kjo nuk është e vërtetë. Në fakt, ne u ofrojmë këtyre personave një mundësi për të ndihmuar në çlirimin e vendit tonë, për të fituar respektin ndaj vetes dhe të bashkatdhetarëve. Liderët moskovitë kanë nisur një luftë për jetë a vdekje mes radhëve të tyre dhe Rusia është aq e dobët sa ka anuluar disa nga masat shtypëse në vendet satelite dhe në Shqipëri, prej frikës së veprimit të popujve të skllavëruar. Partia komuniste zgjedh në mënyrë arbitrare njerëz për t’i bërë shembuj duke i sakrifikuar në vend të gabimeve dhe mëkateve të liderëve të partisë, apo të sistemit keqfunksionues sovjetik. Si rezultat i ndryshimeve në hierarkinë e regjimit të Tiranës, ju jeni të vetëdijshëm për përshpejtimin e shkatërrimit të perandorisë ruse dhe të sistemit të sja të skllavërimit. A dëshironi të bëni diçka për të çliruar popullin tuja nga skllavërimi? A doni të bëni diçka për të shpëtuar jetën tuaj dhe të rifitoni lirinë?
Ftesa për komunistët
Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë fton anëtarët e lartë të partisë komuniste të ndihmojnë në luftën për çlirimin e atdheut, por oferta në anën tjetër të faqes i bëhet vetëm atyre zyrtarëve, anëtarëve të partisë, të ushtrisë apo policisë që nuk i kanë ndyer duart me gjak. Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, me mbështetjen e Botë së Lirë, ju ofron një mundësi për të shpëtuar në botën e lirë dhe për të punuar për çlirimin e vendit tonë të dashur. Në disa raste përfaqësuesit tanë besnikë mund t’ju kontaktojnë, por ju mos prisni për këtë, merrni vetë iniciativën dhe arratisuni përpara se të jetë tepër vonë. Liderë të partisë komuniste, oficerë të ushtrisë dhe policisë, nëse nuk keni gjak shqiptari në ndërgjegje, ndiqni këto udhëzime: Bëni menjëherë planin për të arritur në një prej zyrave tonë në botën e lirë. Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë ka zyra në Nju Jork, Paris, Romë, Bari, Trieste dhe Athinë. Nisni menjëherë udhëtimin tuaj në një prej këtyre pikave. Kur të arrini në degët tona do t’ju kërkohet vetëm identiteti, besnikëria dhe sinqeriteti. Edhe jo-komunistët miqësorë do t’ju asistojnë për të kontaktuar në NCFA. Do t’ju jepet mbrojtje dhe mbështetje, dhe do të merret çdo masë për të fshehur identitetin tuaj për të ndaluar çdo dëm ndaj familjes. Ju do të mund të zgjidhni mënyrën sesi të ndihmoni në luftën kundër regjimit bolshevik që ka skllavëruar dhe po vret ngadalë popullin tonë. Ky është një premtim solemn i Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, që ka mbështetjen e botës së lirë. Sigurohuni që të përmendni këtë premtim pas kalimit të kufirit apo në kontaktin tuaj me NCFA, teksa kjo fletushkë mund të jetë leja e kalimit tuaj në botën e lirë.
Mesazh për jo-komunistët e Shqipërisë
Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë dëshiron të njoftojë të gjithë jo-komunistët e Shqipërisë se kjo ofertë nuk po bëhet nuk po bëhet për të kënaqur komunistët shqiptarë, të cilët i kanë sjellë vetëm mjerim dhe vuajtje vendit tonë. Kjo ofertë po bëhet me shpresën se ata komunistë që janë mashtruar duke besuar se Moska i ofronte paqe dhe bollëk vendit tonë, tani të dezertojnë anijen që p mbytet dhe të shlyejnë gabimet e tyre sa janë në kohë për të bërë diçka për çlirimin e popullit të skllavëruar nga kthetrat e përbindëshit komunist. Dyert e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë mbeten të hapura për të gjithë anti-komunistët që kanë vuajtur në duart e shtypësve të Moskës.