Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumentet e CIA, ja si u lëshua në Shqipëri agjenti T5, përplasjet me armë me jugosllavët dhe grekët, vështirësitë gjatë misioneve dhe përballja me fshatarët, ja si shfrytëzoheshin nga UDB shqiptarët e arratisur

Dalin në dritë të tjera detaje mbi lëvizjet e shërbimit inteligjent amerikan gjatë regjimit komunist, për rrëzimin e Enver Hoxhës. Në disa dokumente të deklasifikuara tregohen detaje nga misionet. Në një dokument të vitit 1953 tregohet se si një agjent i CIA, i njohur si “T5” u dërgua në vendin tonë bashkë me një grup tjetër. Aty tregohen detaje nga aktivitetit i tij. Sipas dokumentit, agjenti gjatë lëshimit humbi kontaktet me grupin tjetër dhe u detyra të operonte i vetëm. Bëhet fjalë për një agjent me origjinë nga Kosova. Aty tregohet se si ai u detyrua të luftonte me ushtarë jugosllavë dhe grekë, teksa tregohen dhe kontaktet e tij me fshatarë të ndryshëm. Po ashtu tregohet se një pjesë e madhe e shqiptarëve që arratiseshin drejt Jugosllavisë kryesisht dërgoheshin për të punuar për hapje rrugësh dhe ndërtime, ose bëheshin agjentë të UDB.

23 nëntor 1951

Raport i detajuar operacioni infiltrimi

Për arsye të nervozizmit të lartë të shfaqur nga agjenti T5 para lëshimit, ka mundësi që të mos ketë marrë rrahjen në shpatull (sinjalin e hedhjes) para daljes nga avioni, edhe pse T5 insiston se është goditur nga shpërndarësi. Ndryshimi i planeve të grumbullimit gjatë udhëtimit për në vendin e lëshimit është diçka e vështirë për të kuptuar dhe kjo bëri që T5 të mendonte se po braktisej qëllimisht nga grupi. Pas lëshimit agjentët ishin aq të shpërndarë sa nuk u shërbeu as trajnimi i tyre për grumbullimin me anë të sinjaleve të zërit. Taktikat e rigrupimit kanë funksionuar me grupe të tjera kur ato kanë rënë në distancë të mbulueshme nga dëgjimi. T1 dhe pjesa tjetër e grupit kishin urdhër të vendosnin sa më shpejt komunikimet radio dhe nuk është e mundur që ato të kenë menduar të braktisin T5, veçanërisht kur vareshin prej tij për mbështetje. T1, 2 e 3 e njihnin mirë zonën dhe besonin se do të gjenin së shpejti T5, por ky gabim gjykimi ndodh shpesh dhe një plan i parapërgatitur është shumë më mirë sesa përpjekja për të gjetur njëri-tjetrin me shans.

Përplasja me jugosllavët

Tre të shtëna pushke të dëgjuara nga T5 mund të kenë qenë pistoleta e përdorur nga grupi për grumbullim, në rast urgjence. T5 pati disa përplasje me patrullat jugosllave dhe ka vrarë disa ushtarë jugosllavë, e në një rast një informator civil. Autoritetet jugosllave nuk kanë dyshime se T5 është një agjent i besueshëm shqiptar me mision të CIA. Por veprimet e T5 në Jugosllavi tregojnë një urrejtje të madhe të tij për Titon dhe kjo mund të ndikojë te informacionet e kaluara te ne mbi Jugosllavinë. Më 16 gusht 1951, T5 u nis me avionin drejt zonës së lëshimit, por raportonte disa detaje që mund të hedhin dritë mbi mungesën e organizimit të operacionit. T5 raporton se u ndje i trullosur sapo u hap dera e avionit dhe kjo nuk u shkaktua vetëm ngaqë shikonte jashtë por ngaqë dalloi disa shenja të dukshme zjarri që lëshoheshin drejt avionit. Agjenti T1 bëri dy ndryshime të instruksioneve gjatë rrugës, në lidhje me vendin dhe kohën e lëshimit. T5 raporton se ndryshimi i vendit të takimit iu tregua vetë agjentëve T1, 2 e 3. T1 instruktoi T2 e T3 që nëse nuk takoheshin në lëshim, ta gjenin njëri-tjetrin me anë të miqve që njihnin në zonë, kurse T5 nuk u përfshi në këtë plan, në një kohë që ai nuk e njihte zonën.

Kur iu dha sinjali i përgatitjes, T5 u pozicionua pranë derës së avionit, dhe do të lëshohej kur të merrte sinjalin e rrahjes në shpatull. Sapo e ndjeu atë T5 doli nga avioni dhe hapi parashutën. Ai thotë se u habit kur gjeti tokën e pjerrët me rreth 20-30 gradë, teksa parashuta e përfshiu dhe e bëri të rrokullisej poshtë dishezës. T5 nuk e njihte zonën por u mundua të qëndronte disa kilometra pranë zonës së lëshimit me shpresën për të rigjetur grupin e agjentëve të tjerë.

Takimi me banorët

Rreth shtatë ditë pasi u lëshua në Shqipëri T5 i foli në gruaje të vjetër në jë fshat për t’i kërkuar ushqim. Ajo e paralajmëroi se kishte patrulla pranë fshatit dhe se ishte e rrezikshme të shkonte në shtëpi me të. Ajo i dha më vonë ca bukë me djathë. Një ditë më vonë T5 mori drejtimin për në Jugosllavi. Rrugës hasi në disa fshatarë që e pyetën nëse ishte Liman Peposi. T5 u përgjigj fillimisht se ishte Peposi, por kur po dukej se nuk ishte Peposi, u tha se ishte njeriu i Peposit. Burri i vjetër i tha nuk kishin dëgjuar prej kohësh për të dhe vrisnin mendjen ç’ishte bërë me të.

Përplasja me grekët

Dy ditë para se T5 të arrinte në kufirin me Jugosllavinë, hasi tre patrulla në drejtim të tij, të cilat pasi morën pozicionet, hapën zjarr kundër tij. Uniformat e tyre ngjanin me ato të ushtarëve grekë. Pas rreth një orë përpjekje ai arriti të çante rrethimin. Më 30 gusht T5 kaloi në Jugosllavi dhe takoi një burrë të vjetër në zonën e ndaluar të kufirit. Burri i vjetër i tha se Gostivari ishte gjashtë orë larg nga juglindja. T5 eci për disa ditë por në vend të vazhdonte në drejtim të Greqisë, shkoi në fshatin e tij, Gjilan të Kosovës, ku ishte i sigurt se do të merrte ushqim dhe strehim. Më tej ai vizitoi fshatin e Kabashit ku vizitoi shtëpinë e Xhemal Hazizit. Ata fillimisht kishin frikë ta strehonin T5, por e pranuan me kusht që fëmijët e tyre të mos dinin për prezencën e tij. Pesë ditë pasi kishte ardhur në Kabash T5 i tha Selmanit të sillte kunatin e tij Rexhep Tërpeza, i cili është kryetari i komunës së Tërpezës. Pasi erdhi ai tha se shqiptarët e Kosovës ishin anti-titoistë dhe dëshironin fuqimisht bashkimin me Shqipërinë, qoftë edhe nën regjimin e Hoxhës. Sipas tij kosovarët mendonin se nëse bashkoheshin me Shqipërinë ata do të kishin mundësi të vepronin më shumë kundër regjimit të Hoxhës. Terpeza informoi gjithashtu T5 se kosovarët janë konfuzë me afrimin aktual në marrëdhëniet Jugosllavi-SHBA. Ata nuk e kuptojnë përse SHBA ndihmon Titon, i cili pretendon se është komunist. Kosovarët kanë parë shumë produkte amerikanë, edhe pse ato shiten me anë të kooperativave. Terpeza the se vetëm një pjesë e vogël shiten në tregun e lirë dhe kjo ndodh në qytetet e mëdha ku ka amerikanë. Terpeza tha se shqiptarët që largoheshin në Jugosllavi viheshin në punë në ndërtimin e rrugëve dhe në disa raste ato dërgoheshin si klandestinë ne Shqipëri për llogari të shërbimeve sekrete UDB. Ai tha se edhe një grup britanik kishte ardhur në Jugosllavi nga Shqipëria. Atyre u ishte thënë të largoheshin në Jugosllavi në rast nevoje, pasi jugosllavët do të siguronin lirimin e tyre. Por pasi u vunë në punë në riparimin e rrugëve disa prej tyre u larguan përsëri për në Shqipëri me shpresë të arrinin në Greqi.

T5 mësoi prej tij se jugosllavët kishin një kamp për refugjatët shqiptarë në Vuçiterna. Aty shqiptarët ndaheshin në dy kategori: ata që viheshin në punë dhe ato që merrnin ushqim dhe strehim pa punuar. Ai nuk dinte arsyet e kësaj ndarjeje. Terpeza tha se kishte aktivitete rezistence në zonat e Jakovës e Rugovës, por nuk dinte më shumë. Ai tha se Hasan Alia nga Remniku kërkohet nga forcat qeveritare që prej vitit 1944. Ai mund të ketë dalë në mal dhe mund të jetë aktiv me grupet e sipërpërmendura të rezistencës. Kur arriti në Greqi T5 u mor në pyetje nga një oficer grekpër rreth tre-katër orë, ku T5 tregoi detaje të aktivitetit të tij në Shqipëri dhe Jugosllavi.

Komentet

Meqenëse T5 nuk i gjeti dot shokët e tij të lëshimit, ai mendon se është braktisur nga tre anëtarë të grupit, të cilët ndryshuan vendin e takimit dhe nuk e përfshinë në planin e ri. Sipas një memorandumi të 17 prillit 1951, Liman Peposi dhe Tahir Vata janë rekrutuar nga CIA në prill 1951. Rekomanduesi i tyre ka qenë Muharrem Bajraktari. Ministria e Brendshme ka raportuar se agjenti T6 është vrarë prej tyre. Sipas edicionit të qershorit 1951 të gazetës Atdheu, Hasan Kabashi është vrarë gjatë përpjekjeve me komunistët jugosllavë më 15 tetor 1951. Atdheu është organ i partisë së Legalitetit. Duket se personi me të cilin janë takuar T2 e T3 në Kastoria, është Tahir Ademi.

6 tetor 1952

Memorandum

Dyshimet greke për bashkëpunim britaniko-jugosllav

Më 1 tetor 1952 ne bëmë një intervistë me Zyrtarin 2 të ministrisë së jashtme greke dhe raporti i mëposhtëm është informacioni i marrë prej tij: Zyrtari 2 nuk pranoi të jepte emrat e britanikëve që kishin vizituar kufirin Jugosllavo-grek, por na tha se njëri ishte një kolonel atashe i misionit britanik në Beograd që kishte vizituar Athinën kohët e fundit. Ai na informoi se kishte pasur një takim me një tjetër Zyrtar 3, temën e të cilin ata po përpiqeshin ta qartësonin në mendjet e grekëve. Ne lidhje me pozitën britanike mbi Shqipërinë dhe Lidhjen e Prizrenit të sponsorizuar nga jugosllavët, Zyrtari 3 pranoi se politika britanike është “larg duart” nga Shqipëria dhe se britanikët nuk do të bashkëpunojnë e nuk janë të interesuar në aktivitetet jugosllave, përveçse në një pozicion vëzhgues. Zyrtari 2 siguroi se grekët nuk besonin se kjo ishte politika e vërtetë e britanikëve, dhe se ai vazhdonte të besonte se ata janë të interesuar, apo deri në një farë mase mbështesin pozitën jugosllave. Zyrtari 2 theksoi se ministria e Jashtme greke mendonte se mendësia e SHBA mbi Shqipërinë ishte shumë e relaksuar, prandaj ata po mendonin që ambasadori i tyre në Uashington ta paraqiste çështjen te Departamenti i Shtetit, dhe nëse ishte e mundur të shtonte presionin mbi jugosllavët për të vetëpërmbajtur ambiciet dhe aktivitetet e tyre.

Zyrtari 2 përsëriti se Greqi nuk mund të lejonte nga ana morale apo logjike që jugosllavët të ndërhynin në Shqipëri, qoftë kjo e nxitur nga revolta e brendshme apo gjendja e luftës. Ai tha se “Greqia nuk do të qëndrojë duarkryq”, duke dhënë si arsye minoritetin grek në zonën e Gjirokastrës, të cilin Greqia duhet ta mbronte, dhe shtoi se kjo do të thoshte zhvendosjen e kufirit nga një vend komunist te një tjetër vend komunist, por më i fortë. Kur zyrtari 2 u pyet nëse ky problem ishte diskutuar me jugosllavët apo nëse do të diskutohej në të ardhmen, ai tha se nuk do të bëhej pasi në rast të tillë sipas tij, jugosllavët do të ndrinin menjëherë problemin e Maqedonisë greke, të cilin edhe grekët nuk pranojnë ta diskutojnë në asnjë rrethanë. Zyrtari 2 – Vasile Mostras; Zyrtari 3 – Sër Peake, ambasadori britanik;

24 prill 1953

Pozita e Titos

Ky memorandum do të shërbejë për të lidhur disa fije të shkëputura informacioni në lidhje me Shqipërinë dhe kohën e grushti shteti të mundshëm atje. Ju e mbani mend se gjatë javës së parë të prillit zoti Jackson deklaroi se e kuptonte zotin Adam Uatson të ambasadës britanike kur thoshte se gjatë vizitës së fundit të Titos në Londër, ai kishte deklaruar se grushti i shtetit kundër Shqipërisë duhet të bëhet menjëherë, dhe se ai ishte i gatshëm të negocionte me britanikët dhe amerikanët, nëse mund të arrihet një marrëveshje me grekët e italianët. Tito tha se do të ishte i lumtur të merrte pjesë në një ndërmarrje të tilla, ku nuk përfshihet aneksimi i Shqipërisë dhe ruhet integriteti politik e gjeografik i saj. Unë i thashë zotit Jackson se Tito nuk mendon ende se është koha e duhur për grushtin e shtetit në Shqipëri, dhe ashtu siç ka thënë më parë me departamentin e shtetit, ai mendonte se për momentin situata duhet të lihej pa u prekur. Ai është zotuar të mos ndërhyjë në pavarësinë e Shqipërisë, duke besuar se edhe qëllimet e grekëve ishin të ngjashme. Ai nuk kishte dhënë një përshtypje se mendonte se pushteti në Shqipëri mund të bjerë së shpejti.

biseda

Kur unë fola me zotin Uatson, ai më informoi se britanikët kishin biseduar si më poshtë:

Marshall Tito kishte ngritur vetë temën e Shqipërisë në bisedën me kryeministrin dhe mua më 17 mars. Ai tha se qeveria jugosllave ishte e bindur se Shqipëria duhet të mbetej e pavarur. Vetëm në një rast agresioni ndaj Jugosllavisë, kjo e fundit do të duhej të merrte masa mbrojtëse dhe veprimi do të kryhej vetëm pas konsultimeve me Greqinë dhe Turqinë. Zoti Uatson pranoi se kishte folur me Titon në linja dakordësie, por kishte pranuar se ministria e jashtme britanike mund të kundërshtonte veprimin në Shqipëri, derisa të ishin eksploruar të gjitha rrugët e paqes për Korenë dhe deri në mbarimin e zgjedhjeve në Itali.  Pas bisedës time me Uatson, Jackson pranoi se kishte keqkuptuar zotin Uatson duke dalë në konkluzionin e gabuar se Tito mendonte se ishte momenti për të vepruar. Unë kuptoj se nëse nuk marrim direktiva të reja nga nivele të larta të politikave, duhet të vazhdojmë aktivitetin në nivelet e programeve aktuale, që do të thotë ruajtja e nivelit aktual të propagandës dhe sulmeve mediatike, si dhe nxitja e rezistencës pasive të popullatës apo depërtimit me anë të agjentëve të nivelit të lartë dhe të zgjedhur. Gjithashtu duhet të vazhdojnë tentativat e përçarjes dhe të shkaktimit të frikës mes zyrtarëve të qeverisë duke shkaktuar dyshim e mosbesim mes tyre.

Tre të shtëna pushke të dëgjuara nga T5 mund të kenë qenë pistoleta e përdorur nga grupi për grumbullim, në rast urgjence. T5 pati disa përplasje me patrullat jugosllave dhe ka vrarë disa ushtarë jugosllavë, e në një rast një informator civil. Autoritetet jugosllave nuk kanë dyshime se T5 është një agjent i besueshëm shqiptar me mision të CIA. Por veprimet e T5 në Jugosllavi tregojnë një urrejtje të madhe të tij për Titon dhe kjo mund të ndikojë te informacionet e kaluara te ne mbi Jugosllavinë. Më 16 gusht 1951, T5 u nis me avionin drejt zonës së lëshimit, por raportonte disa detaje që mund të hedhin dritë mbi mungesën e organizimit të operacionit…

T5 mësoi prej tij se jugosllavët kishin një kamp për refugjatët shqiptarë në Vuçiterna. Aty shqiptarët ndaheshin në dy kategori: ata që viheshin në punë dhe ato që merrnin ushqim dhe strehim pa punuar. Ai nuk dinte arsyet e kësaj ndarjeje. Terpeza tha se kishte aktivitete rezistence në zonat e Jakovës e Rugovës, por nuk dinte më shumë. Ai tha se Hasan Alia nga Remniku kërkohet nga forcat qeveritare që prej vitit 1944…

Terpeza informoi gjithashtu T5 se kosovarët janë konfuzë me afrimin aktual në marrëdhëniet Jugosllavi-SHBA. Ata nuk e kuptojnë përse SHBA ndihmon Titon, i cili pretendon se është komunist. Kosovarët kanë parë shumë produkte amerikanë, edhe pse ato shiten me anë të kooperativave. Terpeza the se vetëm një pjesë e vogël shiten në tregun e lirë dhe kjo ndodh në qytetet e mëdha ku ka amerikanë…

Please follow and like us: