Albspirit

Media/News/Publishing

BE duhet t’i dalë ballazi Donald Trump

 


 

SHBA ishte një vend i mrekullueshëm…por një ditë u fut në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump. Politika e tij do ta dëmtojë Europën, e duhet ta dëmtojë, po të ishte për Trump. Por BE duhet të mbrohet, kërkon Bernd Riegert.

Gazeta franceze e përmbledh më mirë: Kryeartikullin e së martës (31.01) ajo e titullon “Trump- a mund të ndalet ai?” A munden europianët të ndalin biznesmenin dhe showmanin e ngjitur në një president egoman? Kjo do të jetë një nga detyrat më të vështira që ka pasur BE. Sepse ky njeri, që me një shpejtësi të paparë po shkund fort shtyllat e emokracisë amerikane, dhe në botë po sjell irritim, ky njeri e ka vërtet seriozisht. Të gjitha ato fjalë, se posti do ta ndryshojë Trumpin, nuk kanë më vlerë tani.

Gjermania një objektiv i mundshëm

Donald Trump – thënë hapur – përbën rrezik për Bashkimin Europian dhe demokracitë liberale europiane. Ai simpatizon hapur me Putinin. Ai i mbështet lëvizjet nacionaliste dhe populiste në BE. Nuk ka çudi që admirimi atij i vjen nga Wilders në Holandë, Le Pen në Francë, Strache në Austri, Grillo në Itali. Më keq se kaq: Presidenti amerikan flet madje për shpërbërjen e BE-së, e sheh si gjë të mirë daljen e Britanisë së Madhe dhe pjesën tjetër të unionit e sheh si një bashkim të udhëhequr nga Gjermania.

Në përfytyrimet e tij të paqarta për botën, Trump e sheh BE, pra Gjermaninë si një konkurrente ekonomike, të cilën duhet ta mundësh. Gjermania me eksportet e zhvilluara, edhe në SHBA, me sa duket është epiqendra e së keqes për administratën e re. Trump kërkon ta ndryshojë në mënyrë radikale deficitin e bilancit tregatar me parulla si “buy american, hire american” – bli produkte amerikane, punëso amerikanë”.

Ai do të vendosë tatime të reja dhe do të fusë doganat, pa menduar për pasojat ekonomike. Prandaj Bashkimi Europian duhet të përgatitet që tani për një luftë tregtare dhe ekonomike të përmasave të papara ndonjëherë. Po qe se presidenti i ri e prish rendin e deritanishëm të ekonomisë botërore, Europa duhet të jetë e përgatitur, të gjejë partnerë të rinj në Azi. Mund të thuash se Trump me këtë kthesë radikale drejt izolacionizmit dhe dirigjimit të shtetit, vë në rrezik kredibilitetin e SHBA-së. Por a e kanë ndalur atë deri më tani argumentat e arsyeshëm?

Riegert Bernd Kommentarbild AppBernd Riegert

Tone të tjera nga Donald Tusk, po veprat?

Më në fund, në ditën e 11-të pas marrjes së pushtetit në Uashington është shprehur edhe kryetari i Këshillit të BE-së, Donald Tusk. Ai e klasifikoi SHBA -në si kërcënim, i afërt me kërcënimin nga Rusia, Kina, apo edhe terrori islamist. Tusk kërkon hapa radikalë për shpëtimin dhe ruajtjen e BE-së. Tingëllon e ashpër, por e vërtetë. Për një kohë të gjatë nuk u dëgjua nga Brukseli asgjë për zhvillimet e rrezikshme në SHBA.

Vetëm nga Berlini dhe Parisi dëgjohet protestë e vakët. Polonia, Çekia, Hungaria nuk e kanë kritikuar ndalimin e përkohshëm të udhëtimit për myslimanët nga shtatë vendet kryesisht myslimane, sepse aty dihet që veprojnë forca nacionaliste. Por më së voni, kur të vijë puna tek zhvillimi ekonomik dhe kërcënimi i mirëqenies, të cilën e kërcënon administrata e Trumpit, shpresojmë që europianët të bashkojnë radhët.

Sinjal nga Malta në Uashington?

Në takimin jozyrtar të premten e kësaj jave të 28 vendeve anëtare të BE-së, ekzsiton mundësia e një përgjigjeje të qartë për Trumpizmin. A mund të ndalet ai? Po, por vetëm të bashkuar. Një kryeministre duhet ta heqim nga lista. Kryeministrja britanike, May i është hedhur në qafë Trumpit, me shpresën e një marrëveshjeje tregtare. Por edhe Britania e Madhe eksporton më shumë produkte në SHBA se sa importon, prandaj May nuk duhet të ketë shumë shpresa për sigurimin e avantazheve. Edhe në Britaninë e Madhe fjalën e kanë izolacionistët dhe nacionalistët.

Një shpresë mbetet: Kongresi amerikan dhe në rast nevoje edhe gjykatat mund ta ndalin marshin e fitimtarit Trump. Po ata miliona vetë që kanë votuar për të? Pse votuan ata për një shtrembërues të fakteve dhe sharlatan për ta futur atë në Shtëpinë e Bardhë? Kjo pyetje ende nuk ka marrë përgjigje.

Please follow and like us: