Europë, gati heqja e roaming në 2017
Negociatorët e Parlamentit dhe Këshillit europian ranë dakord për çmimet e telefonisë. Ato janë shumë më të ulëta se sa kishte propozuar Komisioni dhe do të përcaktojnë se sa mund ta tarifojnë operatorët telefonikë njëri-tjetrin për përdorimin e telefonatave roaming.
Duke nisur nga 15 qershori i këtij viti tarifat roaming për konsumatorët e Bashkimit Europian do të përfundojnë, duke lejuar telefonatat dhe përdorimin e internetit me të njëjtën kosto si në shtëpi.
“Njerëzit nëpër vendet e BE kanë kohë që presin të heqim tarifimin roaming. Tashmë të gjitha negociatat janë gati dhe ne mund të realizojmë atë që kemi premtuar. Si organizatë konsumatori e shtirë në të gjithë Europën, edhe ne e shohim këtë si një fitore të madhe për konsumatorin europian”, u shpreh Miapetra Kumpula-Natri, e cila po e drejton legjislacionin në parlament.
“Çmimet e përcaktuara janë mjaftueshëm për të mbuluar kostot e operatorëve, si dhe janë mjaftueshëm të ulëta për të mbajtur një konkurrencë të drejtë në tregun e telekomunikacionit”, shtoi ajo.
Parlamenti dhe Këshilli ranë dakord për tarifat e mëposhtme:
- €0.032 për telefonatë
- Një tarifë në zbritje të vazhdueshme për internetin: nga €7.7 për gigabyte në 2017, deri në €2.5 për gigabyte në 2022
- €0.01 për mesazhe SMS
Tarifat më të ulëta për internetin do të mundësojë konsumatorëve europianë të aksesojnë më tepër materiale audio-vizuale gjatë udhëtimit nga një vend në tjetrin. Kështu hapet rrugë edhe për ngritjen e tregjeve të vogla dhe virtuale të operatorëve të telekomunikacionit.
Marrëveshje duhet të miratohet formalisht nga Komisioni i Industrisë, nga Parlamenti në tërësi dhe nga ministrat kombëtarë përpara se të hyjë në fuqi.