Fatos Klosi: Bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit gjenden në politikë
Ish-Kreu i Shërbimit Informativ Shqiptar, Fatos Klosi, ka deklaruar se në politikën shqiptare ka shumë politikanë që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.
Klosi theksoi se bashkëpunëtorët ndahen në kategori të ndryshme. Në një prononcim për gazetën “Sot”, ish-kreu i SHISH tha se edhe sot ka bashkëpunëtorë.
“Në politikë ka bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit, dhe këta i kanë shërbyer shtetit. Edhe sot ka bashkëpunëtorë. Ka pasur disa bashkëpunëtorë: bashkëpunëtorë për të bërë reprezalje, për të ndjekur spiunët e serbit, për të ndjekur hajdutët. Pra, dikush që i ka shërbyer shtetit, nuk duhet parë si armik. Por Autoriteti nuk do të hapë dosjet e bashkëpunëtorëve, por dosjet e atyre që janë ndjekur nga Sigurimi. Pasi ky proces të funksionojë, të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh Klosi.
Më tej, ai shtoi se shumica më e madhe e dosjeve janë asgjësuar, janë shpallur të pavlefshme.
“Hapja e dosjeve pas 26 viteve, më duket qesharake! Një pjesë e dosjeve janë asgjësuar; domethënë janë shpallur të pavlefshme”, tha ai.