Albspirit

Media/News/Publishing

Gjyqi i Hamit Matjanit, CIA zbardh dëshmitë kundër tij, ja rrëfimet e dëshmitarëve për vrasjet në Peqin, si ekzekutoi Zeni Maganin dhe shumë qytetarë të tjerë, terroret nëpër fshatra

Të tjera detaje dalin në dritë sa i takon gjyqtarit ndaj Hamit Matjanit. Teksa dje gazeta publikoi një pjesë të dëshmisë së tij në sallë, CIA ka zbardhur dhe dëshmitë e shumë personave të tjerë kundër tij. Sipas deklaratave të shumë individëve, Matjani akuzohet për vrasje dhe ekzekutime në masë. Shumë dëshmitarë flasin për disa ekzekutime që kishte bërë në Peqin, teksa përhapte terror në fshatrat përreth. Në gjyq ishin thirrur dëshmitarë nga shumë zona dhe të gjithë e akuzonin Matjanin për vrasje. Nga ana tjetër kanë dëshmuar dhe ekspertë të mjekësisë ligjore, të cilët zbuluan se armët dhe veshjet e tij ishin perëndimore, duke akuzuar amerikanët dhe vendet e tjera se kishin gisht në lëvizjet e tij. Matjani është një emër i njohur në historinë shqiptare. Ai njihet si një ndër bashkëpunëtorët e CIA dhe më pas u dërgua në Shqipëri për dhjetra misione. Por gjatë zbritjes me avion nga një mision, ai u kap nga forcat e sigurisë dhe pas gjyqit u dënua me vdekje.

10 prill 1954

Gjyqi në Tiranë i Hamit Matjanit

Kë keni vrarë tjetër?

Nuk e mbaj mend.

A keni bashkëpunuar me Ram Adilin?

Po.

Nga e njihni?

Kemi bashkëpunuar sepse një prej njerëzve tanë, Gjas Arapi u plagos në Burrasaj dhe Rama e dërgoi në një shtëpi për ta ushqyer, por i zoti i shtëpisë u largua me vrap kështu që ne e qëlluam dhe ai u plagos.

A keni bashkëpunuar me kriminelin Alush Leshanjaku?

Po. Alushi merrej me gjëra të mëdha, me organizata të rëndësishme. Ai më ftoi të shkoja me të në Elbasan ku kishin bazën e tyre. Qëndruam aty dhe kur ra nata Dem Mustafaja, Alush Leshanjaku dhe Cela vendosën t’i vrisnin ata …

Ti me ata ishte?

Isha me ata por ata kishin urrejtje personale.

Vazhdo…

Dem Mustafaja donte t’i vriste sepse ata kishin vrarë nipin  e tij Dem Culhane. Pastaj shkuam në fshatin Munqe. I kapëm, i lidhëm dhe Alush Leshanjaku mbajti një fjalim të vogël.

Cilët ishin këta njerëz? A ishin me poste në Administratën e Popullit?

Më duket se ishin këshilltarë.

-Prokurori: Shokë gjyqtarë, Hamit Matjani është përpjekur gjatë gjithë gjyqit të fshehë aktivitetet e tij kriminale. Siç thashë në fillim është e vështirë të gjurmohen të gjitha aktivitetet kriminale të të akuzuarit. Ai ka kryer aq shumë krime sa nuk i mban mend. Ai ka vrarë, ka grabitur dhe përpiqet të justifikojë krimet që ka kryer me Alush Leshanjakun. Të dy së bashku janë përpjekur të paralizojnë aktivitetin e popullit, por nuk ia arritën qëllimit të tyre sepse populli patriot nuk pranoi të krijonte baza për kriminelët. Pasi nuk mundën të krijonin baza Hamit Matjani bashkë me Leshanjakun e të tjerë shkuan në Greqi. Ata po përpiqen të gënjejnë gjykatën sepse këto nuk janë për çështje personale.

Më herët deklaruat se keni vrarë Lhat Agën dhe trupin e tij e hodhët në Lumin Shkumbin…

Ai u vra pa dijeninë time. Natën që u vra, po largohesha me tre njerëz për në fshatin Kasharaj. Gjatë rrugës ata hasën një të panjohur dhe e vranë.

Përse e vranë?

Nuk e di përse e vranë.

Nuk ju dhanë arsye përse e kishin vrarë?

Ata më thanë se kishin hasur një të panjohur pranë Lushnjes. Nuk kishin ditur ç’të bënin, kështu që e vranë dhe trupin e tij e hodhën në Shkumbin.

A keni luftuar me forcat e Sigurimit gjatë periudhës së largimit?

Po, disa herë.

A është vrarë njeri gjatë kësaj periudhe?

Po, janë vrarë nipi im, vëllai im, dhe dy a tre të tjerë.

Kush u vra nga forcat e sigurimit?

Nuk e di, nga fjalët që kanë dëgjuar, një oficer, Lef Taca është vrarë.

Keni vrarë njeri tjetër nga forcat e sigurimit?

Në përplasjen në Gjyza është vrarë njëfarë Naum Gjykja, dhe një tjetër është plagosur.

A keni kryer grabitje gjatë largimit tuaj?

Po. Grabitëm rezervat e shtetit në Bodo.

Me kë ishe?

Isha me Semer Kacolin dhe grupin e tij.

Çfarë vodhët atje?

Vodhëm ca para e ca djathë.

A vodhët një orë?

Demer Kacoli vodhi një orë, por nuk na tregoi. Kur shkuam në Greqi e pyeta për orën.

A keni kontaktuar me të tjerë gjatë kësaj periudhe?

Jo me asnjë. Kam marrë lajme nga Raman Arifi që më tha se më kërkon Sigurimi.

Kur ndodhi kjo?

Në verën e 1945.

Si ju informoi ai?

Me anë të Zyber Tacit dhe Can Docit.

 

Folësi: Ky është fundi i marrjes në pyetje të Hamit Matjanit, agjentit të shërbimeve greke dhe amerikane të spiunazhit. Më tej dëgjojmë dëshmitarët e prokurorisë.

Presidenti:Të vijë dëshmitari Muharrem Minolli

Çfarë dini për Hamit Matjanin?

Një herë kur po shkoja në Pazar, pashë Hamit Matjanin që dilte nga shtëpia e Abdulla Maganit dhe po shkonte te dyqani i Zeni Maganit. Qëndroi për pak aty pastaj mori automatikun dhe e vrau.

A dini gjë tjetër?

Pasi vrau Maganin …

A dini gjë tjetër?

Nuk di gjë tjetër.

A e patë ju të vriste Zeni Maganin?

Po e pashë.

Çfarë i tha i akuzuari?

Ai tha: “E pashë kur doli nga shtëpia. Kur e vrava Maganin ai nuk ishte në shtëpi, po shkonte në shtëpi”.

Po ju dëshmitar Ismail Mehmeti, çfarë dini?

Atë ditë Hamit Matjani dërgoi Avalla Beun në Tiranë me rreth 30-40 njerëz. Më pas u kthye te dyqani i Zeni Maganit dhe e qëlloi me automatik. Unë isha në kafen e Zenit. Sapo dëgjova krismat dola jashtë dhe pyeta çfarë kishte ndodhur. “Kanë vrarë Zenin” më thanë. “Kush e vrau?” pyeta unë. Hamiti, më thanë. Hamit kush?, pyeta. Hamit Matjani, më thanë. Më pas u ktheva në kafene. Pas 3-4 minutash ai hyri në kafene i ndjekur nga njerëzit e tij dhe tha: “Ku janë ata komunistët që duan të më vrasin?”. Kurse unë i thashë: “Zoti Hamit nuk ka komunistë që duan të të vrasin”. Pastaj ai doli dhe shkoi në kafene të tjera. Atë natë e takova përsëri në një tjetër kafene, ku unë isha me oficerin e Ballit Kombëtar Rexhë Kosovari. Ai tha “Më lër ta vras, më lër ta vras”, por Rexhë Kosovari ndërhyri dhe i tha “Ky nuk është nga ata”. Pastaj ata e çuan se kryesia e Ballit dhe pas 2 orësh e liruan. Njëherë tjetër, takova një tjetër mik, Islam Cufalin, dhe i thashë: “Do të shkojmë të marrim Zenin?” Ai më tha “Jo, sepse Hamiti do të na vrasë”. Pastaj shkuan të një prej njerëzve të Hamitit që të na lejonin te merrnim trupin e Zenit për ta vënë në arkivol. E morëm dhe më pas e lëvizëm rreth 200 metra për ta çuar në shtëpinë e tij.

Çfarë keni për të thënë, i akuzuar?

Nuk kam gjë për të thënë. E pranova vetë vrasjen e Zeni Maganit (Zhurmë në sallë. Presidenti i bie ziles.)

Partizan Fatime Magani, çfarë dini ju?

Dua të flas për babanë tim Zeni Magani nga Peqini, i vrarë nga krimineli i popullit Hamit Matjani. Ai e vrau me duart e veta.

Ali Zenun Karaj, çfarë dini për të akuzuarin Hamit Matjani?

Shoku president, unë e akuzoj banditin Hamit Matjani dhe Ballistët e tij për vrasjen e babait tim. Ai gjithashtu më ka grabitur (zhurmë në sallë).

Dëshmitar, Hamit Cullaj, çfarë dini për aktivitetet e të akuzuarit Hamit Matjani?

Në 1946 kam qenë këshilltar në fshatin Veti në Peqin. Një natë në qershor. Hamit Matjani erdhi në shtëpinë time dhe … (të qeshura në sallë, presidenti i bie ziles). I thashë përsëri se ai nuk ishte në shtëpi, por ai kërkonte përsëri që Zenit të dilte pasi e dinte që ishte brenda. Kur e pyeta se kush ishte ai tha: “Jam Hamit Matjani” dhe qëlloi mbi mua. Edhe unë qëllova… Në mars 1947 ai vrau djalin tim. Djali im ishte në fushë mëngjesin kur u vra. Hamit Matjani i doli përpara dhe e vrau. Gani Muhamet Cullaj u plagos. Kur shkova atje dhe e pyeta se kush e kishte qëlluar, ai tha: “Krimineli i paturp Hamit Matjani”. Para se ta vriste Matjani i kishte thënë: “Hajde këtu komunist i fëlliqur” dhe e kishte qëlluar. Ganiu ishte qëlluar dy herë, më pas ishte hequr si i vdekur dhe krimineli ishte larguar. Ai tha se Hamit Matjani ishte me kriminelë të tjerë. Djalin tim e dhashë për partinë. Edhe djalin tjetër ja kam dhënë partisë. Rroftë Partia! (duartrokitje e fuqishme) Rroftë shoku ynë Enver Hoxha! (duartrokitje të fuqishme)

Folësi i gjyqit: Rustem Gresa nga Gjyzaj të vijë të japë dëshminë…

Çfarë dini për të akuzuarin Hamit Matjani?

Hamit Matjani ka plagosur një prej kushërinjve të mi dhe pas 2 muajsh ka vrarë djalin tim, që ishte shumë i ri. Edhe gruaja ime Esma ishte aty. Vdiq 24 orë pasi u qëllua.

Dini gjë tjetër?

Ai ka vrarë Musa Hasain dhe Halil Topallin për arsye partie. Kur i vrau ata ishte me Isa Toskën, Isa Monastirin … (zhurmë në sallë).

Dëshmitare Bame Hasallaj, çfarë dini për Hamit Matjanin?

Ai ka vrarë burrin tim dhe kunatën time dhe më ka bërë shumë gjëra mua. Hamit Matjani është kriminel i popullit. Rroftë partia jonë (Duartrokitje e fuqishme) që na dha mundësinë për ta gjykuar!

Dëshmitar Haki Xhemal Muça!

Në gusht 1951 po shkonim në pazarin e fshatit… dhe kaluam natën në Dushku Teke. Kur po hanim darkë, hynë brenda dy njerëz me uniformë dhe u prezantuan si të forcave të Sigurimit. Na kërkuan të shkonim me ta. Ata na morën… por kur u zgjuam në mëngjes mësuam se Hamit Matjani i kishte vrarë.

Folësi i gjyqit: Pas dëshmitarëve, gjykata merr në pyetje kriminologët, të cilët kanë treguar për analizën e armëve, këpucëve, veshjeve, dokumenteve dhe tabletave helmuese.

Shefi Haxhiu

Po.

Na tregoni për eksperimentet tuaja.

Që prej shtatorit 1952, në laboratorin tonë janë dërguar një numër materialesh të grupit diversant të kryesuar nga Zenel Shehu për të zbuluar nëse janë përdorur, ku janë prodhuar, tipin, modelin apo datën e prodhimit. Sipas rregullores ne ekzaminuam një nga një të gjitha materialet dhe hartuam një listë të karakteristikeve të tyre. Armët e tyre ishin katër tipe, automatike, pushkë, pistoleta dhe thika. Automatikët ishin tip gjerman model i vitit 1940, me kalibër 9. Nga ekzaminimet tona ato rezultonin të gatshme për të qëlluar. Disa prej tyre ishin qëlluar dhe disa nuk ishin qëlluar. Pas ekzaminimeve të pistoletave u zbuluar se ishin model gjerman Parabel i vitit 1905, dhe ishin gjithashtu të gatshme për të qëlluar. Bombat e granatat ishin modele britanike të prodhuara në vitin 1943. Thikat ishin dy modele, njëra është britanike e prodhuar në Angli kurse tjetra nuk kishte numra identifikimi. Ato ishin tepe që p[ërdoren për të vrarë, dhe të afta të shkaktojnë plagë të thella.

Veshjet

Këpucët e veshjet ishin të shumta në numër por shumica kishin karakteristike të atyre që përdoren nga ushtria amerikane. Shenjat e identifikimit ishin hequr në shumicën e rasteve por në një prej tyre u zbuluan shenjat e prodhimit amerikan. Të brendshmet e pambukut janë material që nuk është prodhuar në vendin tonë, por të gjitha i kishin të hequra markat për të fshehur origjinën e tyre. Markat e tyre ishin hequr ose ishin mbuluar me bojë shkrimi. Në një prej veshjeve shkruhej në anglisht “Pantallona ushtarake të prodhuara në vitin 1951”. Edhe dorezat ishin amerikane. Kurse syzet dhe hartat e Shqipërisë jugore ishin gjermane. Elektrikët e dorës ishin një pjesë gjermane dhe një pjesë amerikane. Prandaj shokë gjyqtarë, arritëm në konkluzionin se të gjitha materialet janë prodhuar në vende kapitaliste si Amerika, Gjermania, Anglia dhe Greqia.

Neki Ahmeti, çfarë keni ekzaminuar?

Autoritetet na kanë dërguar një numër dokumentesh të kapura nga grupi i diversantëve, i drejtuar nga Zenel Shehu. Ato ishin dokumente identifikimi false, por për të kompletuar hetimet tona ne shkuam në zyrën e pasaportave, ku rezultoi se dokumentet nuk janë të falsifikuara, por të lëshuara për qytetarët përkatës, të cilëve më pas dokumenti u është vjedhur.

Please follow and like us: