Misionet e CIA, agjentët shqiptarë të rekrutuar nga amerikanët rrëfejnë tentativat për rrëzimin e regjimit komunist, si i infiltruari rus Kim Philby dekonspiroi gjithçka, informonte Sigurimin e Shtetit
Shërbimi inteligjent amerikan gjatë regjimit komunist tentoi disa herë që të rrëzonte Enver Hoxhën nga pushteti, por pjesa më e madhe e misioneve kanë dështuar. Vetë CIA në disa dokumente të deklasifikuara, përmend dy reportazhe të bëra nga “Reuters” dhe “The Indipendent” në vitin 1994, ku jepen detaje mdi arsyet që misionet dështuan. Aty tregohet se pjesë e agjentëve të rekrutuar nga SHBA, por dhe nga britanikët ishte një person që punonte për KGB ruse. Ai dekonspiroi gjithçka dhe informonte sigurimin e shtetit. Falë informacioneve të tij Sigurimi i dinte të gjitha zonat ku lëshoheshin agjentët dhe në këtë mënyrë shumë persona u vranë dhe u arrestuan. Në reportazhet e realizuar jepen dëshmitë dhe të vetë shqiptarëve që dikur punuan për CIA, të cilët rrëfejnë lëvizjet, por dhe tentativat për të gjetur eshtrat e atë afërmve të tyre.
Rrëfimet e ish-agjent ëve
Një amerikan që kërkon të vendosë qetësi mbi një mister familjar që e ka shqetësuar disa dekada me radhë, po zbulon prova të një misioni sekret të CIA në vitin 1951, në një zonë kodrinore të Shqipërisë. 66 vjeçari Shaqir Kabashi thotë se ka qenë një operativ i CIA në Shqipëri në vitet 1950 dhe se është kthyer atje muajin e kaluar për të gjetur kockat e vëllait të tij të humbur Ibrahim Xhem Kabashi, që besohet se është vrarë gjatë misionit, bashkë me katër agjentë të tjerë. Shaqiri, punonjës në një fabrikë makinash në Ëilliamsville, Neë York, thotë se gjeti një skelet që besohet se është i vëllait të tij, në një gropë rreth tre metra të thellë, bashkë me mbetjet e një njeriu tjetër. “Kishte dy Ibrahimë në atë varr”, thotë Shaqiri, shqiptar i lindur në Kosovë, i cili ka shpenzuar mijëra dollarë me kërkimet e tij. Ai beson se ata të dy janë vrarë gjatë misionit të CIA në gusht të vitit 1951, por trupat nuk janë identifikuar dhe qeveria amerikane nuk prononcohet për çështjen. “Jemi në dijeni të disa rasteve, disa me qytetarë amerikanë e disa të tjerë jo, trupat e të cilëve mund të kenë mbetur në Shqipëri”, tha një zyrtar amerikan, duke shtuar se nuk ishin bërë përpjekje nga qeveria, edhe pse Shqipëria po kërkonte në terrenin e saj malor, që prej viteve 1990 mbetjet e disa mijëra të burgosurve politikë që besohet se janë vrarë gjatë regjimit komunist.
Identifikimi i trupave
Identifikimi i tyre është i vështirë, edhe pse është sugjeruar identifikimi me anë të ADN-së. Zëdhënësi i CIA, David French, refuzoi të komentonte. “Edhe detaje të operacioneve të vjetra normalisht nuk përhapen në media”, tha ai për agjencinë Reuters, duke shtuar se nuk kishte dëgjuar për kthim të trupave të agjentëve të vrarë gjatë Luftës së Ftohtë. Shaqiri u kthye në SHBA me disa fragmente kockash nga dy skeletet, që besoj se janë të vëllait të tij dhe të agjentit tjetër shqiptar të CIA, Ilmi Ibrahimi. Pjesa tjetër e mbetjeve u varrosën në varrezën fshatit Hamil, pranë Fierit, tha ai. Vëllezërit Kabashi dhe kushëriri i tyre Ahmet Kabashi, të gjithë nga Kosova, merrnin pjesë në operacionin sekret të spiunazhit, të pranuar nga shërbimet sekrete të CIA dhe britanikët e MI6, për përmbysjen e pushtetit komunist në Shqipëri, thotë ai. Ky operacion njihet mirë pasi u dekonspirua nga agjenti i famshëm rus në brendësi të CIA, Kim Philby, i cili asokohe ishte oficer i ndërlidhjes me MI6 në Uashington. Ibrahim Kabashi besohet se ka vdekur gjatë misionit të drejtuar nga Ahmeti, ku agjentët u lëshuan me parashutë pranë fshatit Mjeshov në Fier. Shaqiri thotë se ky ishte infiltrimi i dytë i asaj vere, teksa i parë dështoi me vrasjen e dy agjentëve. Shaqiri nuk ishte në lëshimin e parë por thotë se dy agjentë thyen këmbën pas lëshimit në zonën e ashpër shkëmbore, prandaj u braktisën aty nga kolegët, për të evituar kapjen nga forcat komuniste.
Destan Berisha
Por Destan Berisha, tashmë 70 vjeç, i vetmi i mbijetuar i misionit, kujton se Ibrahim Kabashi është vrarë më vonë dhe se trupi i dytë në varr është i një tjetër agjenti. Vraja e kolegëve të tyre për të mos rënë në dorë të armikut, ishte e pranuar mes tyre nga agjentët shqiptarë të migracionit, dhe jo një urdhër i CIAs. Ata kishin gjithsesi tableta cianidi me vete, thotë Shaqiri.
Misionet e Kabashit
Asim Jakova, 90 vjeçar, është një emigrant shqiptar që i ka takuar vëllezërit Kabashi dhe agjentë të tjerë në kampin e Athinës. Ai kujton se raportimet për misionin e Kabashit në vitin 1951 thoshin: “Ahmet Kabashi kishte vrarë kolegun e tij agjent për t’i ndaluar vuajtjet”. Shaqiri mësoi fillimisht mbi vendin e varrosjes nga një emigrant shqiptar në Massachusetts. Kur shkoi në Tiranë ai kishte kërkuar ndihmën e konsulles amerikane atje Barbara Cummings, por ajo ishte shprehur se kishte shumë vështirësi me të tillë ekspertiza në Shqipëri. Edhe koloneli britanik David Smiley, tashmë në pension, i cili po kërkon mbetjet e 46 ushtarëve britanikë të Luftës së Dytë Botërore, e ngriti çështjen Kabashi me presidentin shqiptar Sali Berisha, dhe thotë se kërkimi është shumë i vështirë. Por megjithë këto këshilla, në gusht 1993, ai u nis për në Shqipëri dhe atje punësoi rreth dymbëdhjetë fshatarë për të gërmuar në faqen e kodrës të rrahur nga dielli i gushtit. “Ata njerëz ia kishin lënë historinë djemve e nipërve të tyre prej, aq sa çdo fëmijë e i ri i fshatit që kullosin lopët në lëndina, e dinte se në atë kodër janë varrosur dy burra”, thotë Shaqiri, duke iu referuar traditës së njohur shqiptare të kalimit të historisë me anë të gojëdhanës. Skeletet u zbuluan më 18 gusht dhe kafkat nuk tregonin vrima plumbash, thotë Shaqiri. “Nuk i mbaja dot lotët, dhe më pas u mpiva”, thotë ai, duke shtuar se disa fshatarë të zonës thoshin se kishin takuar njerëz që punonin si agjentë amerikanë, të cilët shpresonin të merrnin një pension nga SHBA. Zëdhënësi i CIA, French tha se agjencia është kontaktuar nga njerëz që pretendojnë se kanë pasur të afërm që kanë vdekur duke punuar për CIA gjatë kohës së Luftës së Ftohtë. Por Shaqiri thotë se nuk shkonte pas parave. “Si mund të kërkoja unë para? Unë nuk kam shkuar aty në vitin 1950 për para, kam shkuar për të çliruar vendin tim … ose të vdisja aty. Jo për paratë.”
6 shtator 1994
Dekonspirimi nga agjenti rus
Javën e kaluar, kreu i parlamentit shqiptar i shkroi ankandeve britanike Sotheby’s të merrnin në konsideratë dëmshpërblimin e familjeve të agjentëve shqiptarë që u tradhëtuan nga Kim Philby, pas njoftimit të muajit të kaluar se do të kryenin shitjen e objekteve personale nga apartamenti i Philby-t në Moskë, teksa të tjerë mendojnë se tani që Lufta e Ftohtë ka marrë fund, keqardhjet duhet varrosur për ato që ai kreu 45 vjet më parë. Në kohën e Luftës së Ftohtë shumë mendonin se lufta e vërtetë do të fillonte nga një ditë në tjetrën. Shërbimet sekrete britanike dhe të Shteteve të Bashkuara kishin nisur projektin ambicioz të zvogëlimit të kufijve të perandorisë sovietike dhe Kim Philby ishte një prej aseteve kyçe të Britanisë në këtë aventurë. Agjentë të rekrutuar nga komunitetet e emigracionit në Britani po dërgoheshin në vendet komuniste të Evropës lindore e qendrore. Ish-ushtarë polakë hynin e dilnin fshehtësisht nga Polonia nën komandën e britanikëve, ashtu si dhe agjentë bullgarë, ukrainas apo shqiptarë që përpiqeshin të nxisnin rebelimin anti-sovjetik. Philby ishte në zemër të këtyre përpjekjeve dhe duke parë sesa thellë ai ishte i përfshirë, nuk është çudi që të gjitha misionet dështuan. Njohuritë e ti të detajuara për misionin ukrainas për shembull shihen në librin e tij “Lufta ime e heshtur”, ku shkruan: “Brenda një muaji britanikët kishin lëshuar gjashtë grupe. Avionët niseshin nga Qipro dhe agjentët lëshoheshin në mes të Lvov e Tarnopol, ndërsa një tjetër pranë ujërave të Prut, pranë Kolomiya. “Më tej rrëfimin e përfundon me ironinë tipike: “Nuk e di saktësisht se çfarë u ka ndodhur atyre por mund ta marr me mend”.
Aktiviteti i Kim Philby
Por aktiviteti më vrasës i Philby duket se ka qenë gjatë tentativave britanike e amerikane për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri, pas viteve 1949. Grupet e para me agjentë shqiptarë u infiltruan në Shqipëri në kohën kur Philby sapo kishte ardhur në Washington për të marrë postin e tij, që përfshinte komandën e përbashkët të operacioneve shqiptare. Përpara se të largohej nga Anglia ai u informua mbi to nga krerët e shërbimeve britanike MI6 çka bëri që ai të informonte miqtë e tij në KGB përpara se të nisej për në New York. Të gjithë 20 agjentët u sulmuan disa orë pas lëshimit dhe katër prej tyre u vranë. Më pas amerikanët nisën stërvitjen e shqiptarëve për hedhje me parashutë. Selim Daci ishte një prej të lëshuarve në 19 nëntor 1950. “Shumë shpejt e kuptuan se lëshimi ynë ishte i ditur nga forcat e sigurisë”, thotë ai sot. Ai u arrestua ditën pasi u lëshua, u torturua, u vu në punë të detyruar dhe u lirua vetëm në vitin 1990, 40 vjet pas kapjes. Sot ai heton në Tiranë, duke mbijetuar me të ardhurat e familjes. Adem Gjura, një tjetër i lëshuar në nëntor të 1950, kuptoi se shumë fshatarë dinin edhe emrin e tij, kur iu afrua. Disa ditë më parë policia e kishte bërë të ditur se Adem Gjura do të binte nga qielli dhe fshatarët duhet ta kërkojnë. Ai arriti të shpëtonte vetëm sepse u lëshua disa kilometra larg zonës së parashikuar. Pas disa ditë arratie dhe i plagosur në këmbë, ai arriti të kalonte kufirin në Jugosllavi dhe më në fund arriti në Amerikë. Nga zemërimi që nuk arritën ta kapnin, autoritetet komuniste vranë dhe burgosën rreth 40 njerëz nga familja e tij.
Pasojat e tradhtisë
Halil Nerguti, i cili ishte pjesë e të njëjtit mision, më ka thënë në 1983: ‘Philby është përgjegjës për shumë vuajtje. Ai ka tradhtuar misionin tim, dhe tani në Shqipëri për këtë janë burgosur 100 familje.’ Eksperimenti i subversionit në Shqipëri u dizenjua nga shërbimet sekrete kundër perandorisë sovjetike, për të provuar forcën e saj. Në vende të tjera si Poloni, Ukrainë dhe zonat Balltike misionet sekrete kishin qëllime njohjeje e zbulimi, kurse agjentët shqiptarë ishin të armatosur dhe të gatshëm për veprim. Ata nuk kishin urdhra të përziheshin në popullatë për të spiunuar, por të rekrutonin grupe të armatosur apo të përdornin automatikët e tyre. Ata pajiseshin të jetonin për kohë të gjatë në pyje, male e shpella. Shqipëria ishte zgjedhur pasi ishte hallka më e dobët e zinxhirit perandorak sovjetik. Prishja e Stalinit me Marshall Titon e Jugosllavisë do të thoshte se Shqipëria ishte shkëputur nga pjesa tjetër e bllokut sovjetik edhe pse ishte aleate e BRSS, prandaj ishte e mundur shkëputja e saj nga orbita, sipas këndvështrimit të inteligjencës Perëndimore. Kjo është dhe arsyeja pse u bënë përpjekje kaq të mëdha për pushtimin e këtij vendi të vogël dhe pse në krye të veprimeve u vu një njeri i rëndësishëm si Philby. Shqipëria llogaritej të binte nga pema sovjetike si një kumbull e pjekur dhe shpejt do të ndiqej nga të tjera kumbulla. Ideja ishte shumë e bukur, por nuk funksionoi. Kjo histori ka një aspekt edhe më të egër. Në fillim të vitit1951, Guy Burgess, i ftuar i Philby-t në Uashington, u thirr në Londër. Siguria britanike ishte gati për ta arrestuar por më 25 maj ai dezertoi drejt Moskës. Këtu nisën dyshimet edhe mbi Philby dhe ai u tërhoq nga ambasada. Gjatë gjithë asaj vere ai u mor në pyetje por në fund u lëshua nga inteligjenca britanike. Ai nuk u arrestua pasi nuk mund të provohej akuza e tradhtisë, dhe ai nuk e pranoi. Por konkluzioni ishte që nuk mund të mbahej më në poste delikate.
Dështimet e misioneve
Por përsëri, më 23 korrik, teksa hetimi mbi Philby ende vazhdonte dhe vetëm 2 muaj pas dezertimit të Burgess, 12 shqiptarë të tjerë të rinj u lëshuan në Shqipëri. Policia komuniste po i priste me krahë hapur. Katër u dogjën të gjallë në një shtëpi, gjashtë u vranë me armë dhe dy të tjerët, Kacem Shehu e Muhamet Zeqir Hoxha u kapën. Një prej operativëve të CIA thotë sot: ‘Tani e kuptoj që po luanim poker me një pasqyrë para letrave të mia”. Zeqir Hoxha, më ka shkruar kohët e fundit: “Mesnatën e 23 korrikut 1951, ne zbritëm në fushën e Vergoi. Por në vend që ta gjenim vetën në një vend të sigurt, u rrethuam menjëherë nga forcat e sigurimit dhe nga civilë të armatosur”. Ai u kap, u torturua, dhe doli në gjyqin publik në kinemanë e Tiranës në tetor 1951. Ai thotë: ‘Gjyqi ishte një farsë reklamuese, që përpiqej të tregonte disfatën e anglo-amerikanëve dhe triumfin e forcave të sigurimit. Kishte megafonë në kinema dhe jashtë nëpër rrugë. Ai kaloi disa dekada në uri dhe tortura në kampet e përqendrimit, dhe tani, 43 vjet më vonë, jeton në një pension për të vjetrit në Gjirokastër. Shpërblimet me të cilat KGB mbushi Philby-n mesa duket ishin të merituara. Ai shkaktoi kaos dhe mejhem, e si shpërblim mori 25 vjet jetë të privilegjuar dhe dhurata materiale në Moskë, të cilat po shiten nga ankandet Sotheby’s kësaj jave. Mendoj se çështja kryesore është jo vetëm se këto janë sende të fituarave ligësi, tradhti dhe duke shkatërruar shumë jetë, por ato gjithashtu thyejnë ligjin britanik. Si një akt i vogël dëmshpërblimi, një pjesë e fitimeve duhet të shkojnë për Muhamet Hoxha, Selim Daci, dhe familjen e Adem Gjura apo shumë të tjerëve në Ukrainë apo në vendet Balltike ku politika perëndimore e “shtyrjes së kufijve sovietikë” dështoi tërësisht, dhe jo për familjen e Philby-t pasi ato janë fituar me akte ilegale që arrijnë në vrasje masive.