Sayed mbyll misionin në Shqipëri: Harmoni politike për ekonominë
Drejtoresha e Bankës Botërore në Tiranë, Tahseen Sayed ka përfunduar misionin e saj 3 vjeçar në vendin tonë.
Pak orë përpara largimit nga Shqipëria, ajo ka dhënë intervistën e fundit ku tregon eksperiencën e saj të bashkëpunimit me autoritetet shqiptare për reforma të rëndësishme, mes të cilave për reformën në energji, reformën e pensioneve etj.
“Pak muaj më parë, ne patëm një raport për gjendjen e ekonomisë në rajon dhe parashikimet janë për rritje ekonomike 3.5% këtë vit për Shqipërinë. Konsolidimi fiskal po ecën përpara, deficiti fiskal ka rënie me 2% dhe gjithashtu edhe borxhi po bie pak nga pak. Ka zhvillime pozitive, por duhet ta them me kujdes këtë. Ka përmirësime të lehta në tregun e punës, edhe pse papunësia është në shifra në 14.7%, kjo është e pamjaftueshme, pasi duhet të ketë një krijim të mëtejshëm të vendeve të punës që kjo të ndihet te njerëzit. Nga ana tjetër, kemi ritëm të qëndrueshëm të të ardhurave, edhe pse duhet të ketë një bazë më të gjerë të mbledhjes së tyre dhe një përmirësim në fushën tatimore. Gjithashtu, kemi një riekuilibrim të ekonomisë, që po orientohet nga investimet dhe eksportet dhe kjo është një nga sfidat kryesore që do të ketë vendi” shprehet Sayed në intervistën dhënë gazetares Aurora Sulçe në “Ora News”.
E në fund të intervistës, drejtuesja e Bankës Botërore lë edhe një mesazh në të cilin apelon për dakordësi jo vetëm për çështjet e integrimit e për harmoninë fetare, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Më shumë se sa sugjerime, doja të ndaja mendimet e mia. Por përpara se ta bëja këtë, doja të jepja një mesazh për shqiptarët dhe veçanërisht për të rinjtë: Jepini një shans Shqipërisë sepse ky është një vend special. Në botën e sotme që është tejet e polarizuar, nuk më vjen ndër mend një tjeter vend që ka një harmoni të tillë fetare dhe ky është një thesar. Shqipëria është një vend që do të shkojë diku përpara, por ju mos shkoni diku tjetër. Përsa i përket klasës politike, unë doja të ndaja mendimet e mia në ikje. Ashtu siç ka harmoni mes njerëzve, duhet harmoni edhe mes klasës politike me objektivin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo harmoni, duhet të zhvillohet më tepër brenda tyre dhe midis tyre. Edhe pse ka mjaft dallime politike dhe kjo është të natyrshme në një shoqëri demokratike, ka edhe gjëra të tjera që janë baza, për të cilat për të cilat duhet rënë dakord, si rritja ekonomike apo krijimi i vendeve të punës dhe duhet rënë dakord që kjo të bëhet duke luftuar korrupsionin, duke ndërtuar shtetin e së drejtës, duke krijuar një mjedis që tërheq më shumë investime të huaja dhe të lejojë zhvillimin e sektorit privat që të krijojë më tepër punë dhe të ndihet efekti i tyre. Nga ana tjetër, duhen ofruar shërbime publike të tilla, që njerëzit ta ndjejnë se qeveria po punon për ta. Pavarësisht dallimeve, ka gjëra për të cilat duhet rënë vërtetë dakord” e mbyll intervistën e saj Sayed e cila u mandatua për misionin e saj në Shqipëri në fund të vitit 2013.