Albspirit

Media/News/Publishing

Sherefedin Shehu: Projekti 1 miliardësh, skenar grek

Projekti 1 miliardësh i bërë publik nga Rama shënon një thellim të mëtejshëm të skenarit Grek në financat publike. Në veprimtarinë e organizuar për këtë qëllim, Rama, ndonëse na ka keqqeverisur për 4 vjet, përsëri foli për ato që ka ndërmend të bëjë dhe nuk tha një fjalë për ato që premtoi dhe nuk i bëri. Por në fund të fjalimit dhe ndërhyrjeve të tij u kuptua se skenari i borxhit Grek i filluar me koncesionet abuzive të shëndetësisë, do të thellohet me atë që Rama e propagandoi si “….mbështetje buxhetore afatmesme, por që do të realizohet në afat shkurtër”.

Si gjithmonë premtimet e Ramës duken joshëse, por bëmat në zbatim të tyre janë tronditëse. Të gjithë e pamë dhe e dëgjuam Ramën kur tha se rrugët, shkollat, qendrat shëndetësore dhe disa kështjella që i kanë mbetur pa pushtuar akoma, në vend që të ndërtoheshin me paratë e buxhetit në 10-13 vjet do të ndërtohen nga kapitali privat në 2-3 vjet dhe buxheti do t’i shlyejë detyrimet ndaj tyre për 10-15 vjet. Dhe nëse kjo do të ishte e vërtetë dhe e sinqertë është një gjë e mirë. Por në të ka vetëm një të vërtetë që është mashtrimi i shqiptarëve për një mandat tjetër qeverisës.

Rama tha që detyrimet ndaj biznesit që do të na ndërtojë shkollat dhe spitalet do t’i shlyejmë pa marre borxh. Por gjithkush e kupton se kështu siç e tha Rama në fakt po merret borxh nga biznesi, mbasi ai thirret të ndërtojë me paratë e veta për llogari të Qeverisë sot dhe Qeveria do t’ja shlyejë këtë detyrim për 15 vjet. Është e kuptueshme që kemi të bëjmë më një skemë borxhi të fshehtë ndaj biznesit sepse borxhi ndaj tij premtohet por nuk shkruhet dhe raportohet si borxh në rregjistrat e Qeverisë.
Ata që e njohin, e kuptojnë që ky është skenar i pastër Grek ku borxhi i fshehur doli në shesh kur qeveria nuk kishte mundësi që ta paguante. Edhe Rama ka shpikur një mekanizëm që biznesi të paguajë për atë që duhet të bëjë Qeveria sot dhe qeveria ta paguajë këtë detyrim nga buxheti pas 15 vjetësh. Kuptohet që kjo nuk është ndonjë zgjuarsi apo shpikje e madhe e Ramës por mekanizëm i ri për të vjedhur vota. Në 4 vjet Rama nuk ndërtoi as rrugë, as shkolla dhe as spitale. Ai e di se edhe skenari i ri nuk do të funksionojë sepse biznesi shqiptar nuk ka kapacitet që t’i japë kredi Ramës sot dhe të presë që t’ja shlyejë mot. Pra, kjo është retorika më e mirë për Ramën që të mbyllë muajt e mbetur në qeveri.

Zbatimi i këtij projekti do të ishtë goditje e rëndë për financat publike. Lista e objekteve të Rama-projektit përfaqëson projekte që duhej të ishin ndërtuar në këto 4 vjet por u zëvendësuan me kulla, palma dhe shatërvane. Nëse ndonjë biznes do të pranojë të ndërtojë shkolla dhe spitale sot për t’i marrë paratë pas 10-15 vitesh, këto projekte do të kushtojnë 3-fish. Në koston e tyre do të shtohet pjesa që shkon në xhepin e Ramës, kostoja e kredisë që biznesi do të marrë në vend të shtetit dhe kosto e parave që do t’i mungojnë biznesit për 15 vjet. Dhe këtë kosto do ta paguajnë qytetarët dhe buxheti, por jo sot, por kur Rama të mos jetë më në Qeveri.

Kryeministri mburret se me projektin e tij mund t’ja hedhë biznesit mbasi paratë e marra borxh prej tij nuk do të kenë garanci sovrane. Por detyrimin për garanci sovrane Rama e ka shfuqizuar me ligj 2 vite më parë dhe ky fakt përbën një rrezik tjetër fiskal. Nga njëra anë biznesi nuk do ta besojë Qeverinë dhe nga ana tjetër Rama mund të bëjë çfarë të dojë me paratë e shqiptarëve. Këtë e kemi parë tek koncesionet e shëndetësisë dhe do ta shohim edhe tek mashtrimi 1 milardësh që do të uzurpojë buxhetin e investimeve të ministrive perkatëse për 15 vitet e ardhëshme.

Projekti i Ramës nuk është partneritet me biznesin por mashtrim elektoral. Ai është në mendjen e Ramës, sepse për të nuk ka as studime, as projekte të gatshme dhe, siç e pohoi vetë Rama, as bazë ligjore. Ligji njeh kontraktim të investimeve dhe shërbimeve dhe koncesionim të shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe të të drejtave publike. Kështu biznesi mund të ndërtojë rrugë por me paratë e qeverisë ose të qytetarëve në rastet kur rrugët do të administrohen privatisht. Bizneset mund të ndërtojnë edhe shkolla apo spitale por për llogari të tyre dhe për shërbime që ju ofrohen qytetarëve me pagesë.

Pra, biznesi nuk ka nevojë për projekt-deklarimin e Ramës por për rritje të pjesës së investimeve publike në buxhetin e shtetit dhe përdorimin më të mirë të paravë të buxhetit. Këto i japin mundës biznesit që të kontraktohet për zbatimin e projekteve dhe kryerjen e shërbimve publike me financim nga buxheti. Ndërsa paratë e veta mund t’i investojë ku t’i interesojë atij, qoftë edhe në koncesione për shfrytëzimin e burimeve natyrore apo të të drejtave publike. Dhe kjo është është më e mirë edhe për vendin mbasi investimet publike realizohen me eficence me të madhe nga subjektet private. Ndërsa investimet private në koncesione të mirëfillta publike po kontribojnë në rritjen e qëndrueshme ekonomike. Në sajë të tyre është rritur eksporti i mineraleve dhe sigurohet 30 % e prodhimit të energjisë elektrike duke e shndërruar Shqipërinë në eksportues neto të këtij malli strategjik.

Please follow and like us: