Albspirit

Media/News/Publishing

Uk Lushi: Shqiptaro-Amerikanët kanë kontakte me administratën e Presidentit Trump!

Uk Lushi, investitor dhe aktivist shqiptaro amerikan në New York, në intervistën për Gazeta Blic flet për raportet e shqiptaro-amerikane pas zgjedhjes së Administratës së re të SHBA-ve më në krye me Presidentin Donald Trump.

 

Gazeta Blic: Zoti Lushi, ju jeni një prej afaristëve dhe personaliteteve më aktive në lobin shqiptaro-amerikan në SHBA. Një pyetje për fillim: a mund të na thuani, a ka patur aktivistë apo lobiistë shqiptarë që kanë përkrahur Zotin Trump në fushatën e tij elektorale për President?

Lushi: Po ka pasur mjaft shqiptaro-amerikanë që kanë agjituar dhe sidomos që kanë votuar për Presidentin Trump.

Gazeta Blic: A ka lidhje komuniteti shqiptar me Administratën e re të Zotit Trump?

Lushi: Lidhjet e shqiptarëve të Amerikës me Presidentin Trump janë tashmë disa dekadëshe.
Ka pasur dhe ka dhjetëra shqiptarë që punojnë për kompanitë e familjes Trump. P.sh. menaxheri shqiptar Paul Nicaj e ka udhëhequr punën në njërin ndër objektet më të famshme në botë Plaza Hotel, kur ka qenë në pronësi të Trumpit.
Një tjetër bashkëpunëtor dhe mik personal i Presidentit dhe gruas së tij Melania Trump është fotografi Fadil Berisha, i cili ka qenë fotografi zyrtar i Miss Universe, eveniment ky në pronësi të firmave të Donald J. Trump.
Përveç kontakteve personale shqiptarët kanë pasur dhe kanë edhe lidhje politike me Trump dhe ekipet e Presidentit dhe njerëzit e tij. Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane me në krye ish-kogresmeninin arbëresho-italian Joe DioGuardi njeh dhe ka bashkëpunuar me shumë vendimmarrës që janë në orbitat e administratës së re dhe Shtëpisë së Bardhë në Washington D.C.

Gazeta Blic: Shqiptarët dhe Amerika. Një rrëfim i suksesshëm dhe një dashuri e pakusht e shqiptarëve për Amerikën. Lidhjet e dekadave të fundit ishin gjithnjë mbipartiake. Por kohët e fundit vërehej që si Prishtina ashtu edhe Tirana kishin tendenca për përkrahje të Demokratëve. Mediat dhe politika serbe bile tashmë e kanë ndarë mendjen që Trump do t’i përkrah ata. Si e shihni ju këtë çështje?

Lushi: Nuk do të komentoj gjatë gabimet e disa personaliteteve të larta politike në vendet shqiptare në Ballkan për dhe rreth zgjedhjeve të fundit në SHBA. Është dijeni bazike politike që nuk ka asnjë përfitim nga tentim-përzierja ndikuese në vendimin e elektoratit të shteteve tjera se kë person apo krah e duan t’i udhëheqë.
Patjetër më duhet të rikujtoj mençurinë dhe punën e vazhdueshme të mirë të Presidentit Rugova, që sa qe gjallë e aktiv, në çdo rast, është angazhuar të krijonte dhe mirëmbante marrëdhënie nga të gjitha spektret partiake dhe tjera me Amerikën dhe këto marrëdhënie i mbëltonte për shqiptarët dhe jo vetëm për veten.
Lidhja e shqiptarëve është dhe duhet të jetë lidhje me shtetin amerikan dhe unë jam i bindur që ka më shumë shqiptarë që e dinë këtë se sa që nuk e dinë, si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë dhe Shkup.
Sa i përket Serbisë, i përcjell me kujdes zhvillimet në Serbi dhe sjelljet e Beogradit, por nuk merrem shumë sidomos me fanitjet e tyre. Mua më duket më me rëndësi të merremi ne me punët tona dhe si të jemi proaktiv dhe si të bëjmë më shumë në forcimin e lidhjes sonë me Amerikën.

Gazeta Blic: Hashim Thaçi, President i Kosovës, qëndroi në Amerikë para disa javësh. Këso radhe ai vrapoi edhe pas Republikanëve për takime- tek z. Dole, z. McCain… A ishte vonë?

Lushi: Ne nuk duhet reshtur kurrë së punuari në përsosjen e relacionit SHBA- shqiptarë.
Thaçi ka bërë mirë që ka takuar Senatorët Dole dhe McCain dhe që ka pasur takime edhe me Kongresmenë dhe individë të rëndësishëm dhe bipartizanë nga prapavija nga disa “think tanks” që furnizojnë establishmentet e larta partiake dhe politike amerikane me informacione, ide dhe projekte.
Duket që Hashim Thaçi më në fund i ka vërejtur disa lajthitje të tij dhe si një dhelpër po përbin gabime si mospranimi të takonte Senatorin Bob Dole në Kosovë ndërsa Kosova digjej në flakët e zjarrit millosheviqian, ndërkaq miku ynë Dole punonte me zemër e shpirt për ne dhe donte të shihej me Drejtorin e UÇK-së.
Politikani Thaçi poashtu ka parë që sulmet e ashpra të vartësit të tij Petrit Selimi ndaj legjendës së kontributit të komunitetit për atdheun tonë në Ballkan, z. Dioguardi, kanë qenë të padrejta dhe dilentantizëm politik vetëm pse kryetari i Ligës kishte denjuar të kritikonte qeverinë e Thaçit ngase e do Kosovën të pakorruptuar dhe më të fortë.
Sido që të jetë, për hir të Kosovës dhe të së mirës së përgjithshme për shqiptarët në trojet tona, unë uroj dhe do të punoj që z. Thaçi dhe çdo përfaqësues i popullit tonë të kenë sukses në depërtimet e tyre në shtetin e Amerikës. Dua të besoj se secili prej tyre, mbi veten dhe interesat politike meskine, do të vendosin interesin nacional shqiptar.

Gazeta Blic: Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ende s’e ka uruar Presidentin Trump… Apo e ka uruar përmes kanaleve diplomatike?

Lushi: Republika e Shqipërisë përmes mekanizmave shtetëror i ka kryer obligimet protokolare bazike. Ambasadorja shqiptare Faber ka marrë pjesë në ceremoninë me diplomatët e akredituar në Washington D.C. pak para inaugurimit. Presidenti Nishani ka uruar Presidentin Trump.
Nuk e di nëse Kryeministri Rama e ka dërguar një urim formal, por nëse nuk e ka bërë, kjo nuk është sjellje e mirë dhe zgjuar, posaçërisht kur kujtohen gafat e tij absolutisht të panevojshme për gjoja dëmtimin e marrëshënieve shqiptaro-amerikane nëse Trump bëhet i pari i SHBA-së.
Rama nuk ka arsye të personalizojë një qëndrim të tijin naiv gjatë fushatës elektorale në SHBA duke e shndërruar në mundësi zarari potencial për Republikën e Shqipërisë.

Gazeta Blic: Lajmi për deklaratën e Sekretarit të Mbrojtjes z.Mattis për Ushtrinë e Kosovës ka bërë bujë të madhe në Kosovë dhe Ballkan. I pritur apo papritur?

Lushi: Nga këndvështrimi im një rikonfirmim i SHBA-së krejt normal. Amerika me Kosovën dhe shqiptarët ka plot interesa konvergjente. Shteti amerikan ka investuar shumë në Kosovë dhe Ballkan dhe nuk besoj që do të lejojë askënd të destabilizojë gadishullin ballkanik.

Sa i përket ushtrisë, Kosova duhet të ketë ushtri. Nuk ka shtet pa ushtri.

Ushtria e Kosovës do të jetë institucion që do të ingranohet në NATO dhe forcat e sigurisë së Republikës do të integrohen në sistemin euro-amerikan të mbrojtjes.
Kam dëgjuar disa argumente infantile për gjoja pamundësinë financiare të Kosovës të mbajë ushtri. Këta zëra nuk janë seriozë.
Ushtria e Kosovës dhe ushtritë në botën e sotme nuk janë vetëm insititucione shpenzuese dhe mbrojtëse në rast lufte. Ushtritë moderne janë faktor i zhvillimit ekonomik dhe inovacionit.
Ushtria e Kosovës duhet të jetë një institucion ushtarak, hulumtues dhe ekonomik si ushtria e Izraelit me sektorë të ndryshëm militar por edhe teknologjik dhe të zgjidhjes së problemeve të ndryshme që kërkojnë hulumtim dhe burime speciale.
Por ushtrinë duhet ta kërkojë dhe bëjë Kosova. SHBA dhe NATO do të qëndrojnë pas dhe me ushtrinë e Republikësn së Kosovës siç janë me Ushtrinë e Republikës së Shqipërisë bashkë në ndërmarje të ndryshme ushtarake dhe tjera.
Një ushtar i NATO-s sot në Kosovë kushton sa 12 ushtarë të FSK-së respektivisht Kosovës. Forcimi i Ushtrisë së Kosovës do të thotë win-win për Kosovën dhe mbrojtësit e Kosovës.
Gjenerali briliant James N. Mattis i di këto punë më mirë se ndoshta çdo ushtarak modern dhe duhet të ndihemi me fat që ai është në krye të Pentagonit. Por, e përsëris, ne duhet të kryejmë punët tona vetë dhe të mos sillemi si një foshnjë që pret Amerikën të sillet si dado e dashur përjetësisht.

Gazeta Blic: A mendoni që pas humbjes së Demokratëve shqiptarët do t’i kapin lidhjet edhe me këtë administratë të re të Republikanëve?

Lushi: Ah, jo, jo! Nuk duhet të shikohet gjendja ashtu!
Nuk ka lidhje që tash në pushtet janë republikanët. Ne duhet të lobojmë dhe punojmë edhe me demokratët. Sot President Trump, pas katër vitesh mund të jetë dikush tjetër në White House. Shqiptarët kanë miq dhe dashamirë në të dy taboret politike amerikane. Ne duhet të jemi në lidhje me shtetin dhe popullin e Amerikës.

Gazeta Blic: Para disa kohësh keni deklaruar në një intervistë për media shqiptare që nga politika e shqiptarëve në Ballkan ka patur sprova për monopolizim të lidhjeve direkte me politikbërjen në SHBA. A duhet të ndryshojë kjo qasje? Nëse po, si?

Lushi: Nuk e vlen të humbasim kohë me të metat dhe drejtimin I gishtit. Më mirë është të fillojmë të përmirësojmë ato.
Qëndroj pas konstatimit që sidomos nga shpallja e pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, qeveritë e shteteve tona në Ballkan kanë anashkaluar komunitetin dhe strukturat e tij duke besuar se vetëm lobimi me pagesë i firmave, në plot raste me mentalitet mercenar, që u shërbejnë më shumë duarve që paguajnë se shteteve tona, është zgjidhja më e mirë për realizim të interesave individo-kolektive të shqiptarëve.
Dua të shfrytëzoj rastin të lavdëroj punën e zellshme të Ambasadores së Kosovës në Washington D.C., znj. Vlora Çitaku, dhe ta marr si shembull se me vendosjen e një diplomateje të aftë arrihet më shumë se sa me pagesën e qindra mijëra dollarëve lobistëve profesionalë. Përfaquesuesja e Kosovës ka punuar shumë mirë edhe me komunitetin.

Qasja duhet të ndryshojë dhe iniciativën për koordinim të komunitetit, aparateve të shteteve tona dhe Washingtonit duhet ta ndërmarrin Ministritë e Punëve të Jashtme me ambasadat dhe misionet tona diplomatike në SHBA. Në fund të fundit për këtë paguhen, kurse aktivistët e komunitetit do të vazhdojnë të kontribojnë vullnetarisht dhe pa shpagim financiar.
Sigurisht ne duhet të jemi të vëmendshëm sepse qarkullimi demokratik i pushtetit në SHBA mund të sjellë ndryshime dhe sfida, mirëpo nuk e kam asnjë dyshim që nëse punojmë me mend, vend dhe bashkë, e ardhmja e raporteve SHBA-shqiptarë dhe e ardhmja e shqiptarëve në Ballkans nuk do të jetë më e mirë se  e tashmja. Nuk ka nevojë as për eufori gëzimi, por as për panik. Komuniteti shqiptaro-amerikan është në pritje të lëvizjeve nga shtetet tona dhe liderët e pushtetit dhe opozitës në vendet tona./GazetaBlic.com/

Please follow and like us: