Liderët evropianë revoltohen ndaj Presidentit Trump
Presidenti francez, François Hollande, ka udhëhequr nga Malta kryengritjen kundër homologut të ri amerikan Donald Trump, duke i kërkuar që të mos përzihet në punët e brendshme të funksionimit të familjes europiane.
Më i ashpër se Hollande u shfaq kancelari austriak, Cristian Kern, i cili akuzoi SHBA-të si përgjegjësit kryesorë që kanë detyruar miliona refugjatë të lënë shtëpitë e tyre më ndërhyrjet jo të matura ushtarake në Siri dhe në vende të tjera të Lindjes së Mesme apo Afrikës Veriore.
Kern u tha liderëve europianë në Maltë se “ne duhet t’i shohim vendet myslimane si aleate në luftën ndaj islamizmit radikal dhe terrorizmit ndërkombëtar”.
Akuzat ndaj Trump gjetën mbështetje nga shefja e diplomacisë europiane Federica Mogherini, e cila tha se Europa është kundër mureve, telave me gjemba dhe ndalimeve masive të lëvizjes mes shteteve.
Ndonëse, kancelarja Merkel u shfaq diplomatike ndaj Trump-it, komisioneri gjerman Gunther Oettinger tha se BE nuk do ta lejojë Presidentin amerikan të bëjë lojën e tij duke përçarë liderët europianë në qëndrimet themelore ndaj emigracionit, mbrojtjes kolektive dhe tregtisë botërore dhe vetë Europën në tërësinë e saj.
Sinjal i ashpërsimit të marrëdhënieve është edhe bllokimi i kandidatit të Trump-it për ambasador në Bruksel, Ted Malloch. Presidentin Trump e shohin si një shembull për t’u marrë liderët në Poloni, Hungari, Republikën Çeke dhe Sllovaki.
Është që nga koha e luftës në Irak që Europa nuk përjeton një tension të tillë me aleatin historik. Trump ka deklaruar se ishte kundër marrëveshjes së tregtisë së lirë mes SHBA-ve dhe Bashkimit Europian.
Nga Malta azilkërkuesit kanë marrë lajmin e keq se tanimë do të strehohen në Libi, Egjipt dhe Algjeri, ku do të presin fatin e kërkesave të tyre për azil politik në BE.