Albspirit

Media/News/Publishing

MESAZHE TË QARTA NGA ANGELA MERKEL NË ANKARA

“Opozita është komponente e demokracisë”. Kjo ishte fjalia e thjeshtë por qendrore e kancelares gjermane të enjten (02.02) në kuadër të vizitës në Ankara. Me shumë gjasë presidenti turk Erdogan këtë fjali e injoroi. Por kancelarja foli hapur, atë që shumë do të kishin dashur t’ia thonin më qartazi në sy presidentit të pushtetshëm në Turqi: t’i jepet fund shtypjes së lirisë së mendimit! Të ruhet ndarja e pushteteve! Të zbardhen menjëherë dhe me rigorozitet akuzat për tortura!

Ne nuk e dimë, se sa hapur ishin në të vërtetë fjalët, që ka përdorur kancelarja në bisedën personalisht me Erdogan-in. Por ishte dhe është e rëndësishme, që një sundimtari, i cili prej muajsh vepron me kaq kokëshkretësi, t’i bëhet një kritikë kaq e qartë dhe e hapur nga ana tjetër prej një gruaje të fuqishme që qeveris në mënyrë demokratike – edhe pse në disa pika ato ishin formuluar indirekt.

Po aq i rëndësishëm është edhe takimi me dy partitë e mëdha opozitare turke. “Të dëgjohet dhe të respektohet zëri i atyre që mendojnë ndryshe!” Ky mesazh i kancelares gjermane vlen jo vetëm për Erdoganin dhe rrethin e tij të ngushtë të përkrahësve, por ai duhet të tërheqë vëmendjen edhe ndaj gjysmës tjetër të Turqisë, që nuk është dakord me kursin aktual të qeverisjes në vend, e që dita ditës po i hiqet e drejta e fjalës.

Kësisoj dita e vizitës së Merkelit pavarësisht kohës së kufizuar të qendrimit mund të mbështesë ata, të cilët kryejnë me vështirësi vërtetë punë opozitare duke rrezikuar jetën. Vizita e Merkelit, pavarësisht se si e paraqesin atë mediet turke, është një sukses – për kancelaren, por edhe për njerëzit në Turqi, të cilët nuk e konsiderojnë pa alternativë Erdogan-in dhe regjimin e tij.

Please follow and like us: