Albspirit

Media/News/Publishing

Prokurori i Përgjithshëm: Ka filluar hetimi për kryeministrin Edi Rama

Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimet kryesisht ndaj Kryeministrit Edi Rama për falsifikim të dokumenteve shtetërore.

Këtë fakt e ka konfirmuar vet kryeprokurori Adriatik Llalla, i cili gjatë një interviste në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut tha se hetimi nisi pas deklaratës së ish-ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani. “Po, ka nisur hetimi kryesisht”, u shpreh Llalla.

Llalla tha se Prokuroria do të thërresë për të dëshmuar dhe ish-ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani lidhur me akuzat që ka bërë ndaj zyrtarëve të lartë.

Ylli Manjani deklaroi tre ditë më parë se Kryeministri Edi Rama merr vendime pa bërë fare mbledhje qeverie. Tashmë prokurori do të duhet të sekuestrojë dokumentacionin e mbledhjeve të qeverisë.

Fillimi i hetimeve për kryeministrin dhe qeverinë nga Prokuroria shënon një stad të ri të përplasjeve mes organit të akuzës dhe kryeministrit.

Me tej kryeprokurori Llalla tha se ambasadorë të vendeve të ndryshme në Tiranë i kanë kërkuar para dy vitesh arrestimin e disa ministrave dhe ish-ministrave pa asnjë provë, por vetëm mbi bazë të opinioneve të tyre.

Në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, Llalla konfirmoi se këto kërkesa të ambasadorëve ia përcolli Presidentit Bujar Nishani.

Ky i fundit, tha Llalla, ka komunikuar me ambasadorët të cilët më pas mohuar që t’i kenë kërkuar kryeprokurorit këto arrestime.

“Në zyrën time kanë ardhur ambasadorë të tillë duke kërkuar arrestimin e zyrtyarëve të lartë. Nuk kanë sjellë fakte. Kanë përmendur emra konkretë, zyrtarë të lartë. Ministra, ish-ministrat dhe zyrtarë të tjerë. Ma kanë kërkuar më shumë në bazë të opinioneve që kanë patur. Qëndrimi im ka qenë i prerë në të gjitha rastet. Nuk mund të veproj në bazë të opinioneve. Por vetëm në bazë të parave.

Për këtë kam njoftuar Presidentin e Republikës. Presidenti ka marrë kontakt me ambasadorë përkatës. Një pjesë e tyre pasi kanë folur me Presidentin kanë deklaruar që nuk i kanë kërkuar këto arrestime. Por, Prokuroria i mban të regjistruara të gjitha takimet, dhe janë bërë në prani të personave të tjerë. Këto takime janë bërë dy vjet”, tha Adriatik Llalla.

Please follow and like us: