Albspirit

Media/News/Publishing

Tillerson: Ndershmëria, bazë e politikës

Në komentet e para për stafin e Departamentit të Shtetit, kryediplomati i ri amerikan, Rex Tillerson, i këshilloi ata dhe punonjësit e tjerë të mos lejojnë që bindjet e tyre personale të bëhen pengesë për të punuar si një ekip i vetëm.

Rex Tillerson i bëri komentet në hollin e Departamentit të Shtetit në ditën e tij të parë në detyrë. Vetëm pak ditë më parë, rreth një mijë zyrtarë të Departamentit të Shtetit, me anë të një memoje shprehën kundërshtimin e tyre ndaj ndalimit të përkohshëm nga ana e presidentit Donald Trump të hyrjes së njerëzve nga shtatë vende me shumicë myslimane.

Zoti Tillerson u zotua se personeli i Departamentit të Shtetit do të përdorej në mënyrën më të efektshme të mundur, por shtoi:

“Për këtë mund të duhen disa ndryshime në mënyrën se si punohet tradicionalisht në këtë departament. Ndryshimi për hir të ndryshimit mund të jetë kundërproduktiv dhe kjo nuk do të jetë kurrë mënyra e ime e veprimit.”

Sekretari i ri i shtetit pranoi ekzistencën e një hendeku të thellë në politikën amerikane, duke u kërkuar atyre, të cilët tani do të punojnë për të, që ta përqendrojnë vemendjen te misioni i tanishëm:

“Ndershmëria do të jetë bazë e politikës sonë të jashtme, dhe këtë do ta fillojmë me mënyrën sesi ndërveprojmë me njëri-tjetrin”.

Senati amerikan e konfirmoi të mërkurën emërimin e zotit Tillerson, ish-shef ekzekutiv i gjigantit të naftës dhe gazit Exxon Mobil. Vetëm tre demokratë votuan kundër tij.

Ish-ndihmës sekretari i Shtetit Thomas Countryman tha se pavarësisht ndarjeve politike në Uashington, departamenti do të jetë i bashkuar nën zotin Tillerson:

“Ai vjen në një departament ku ka dhjetëra mijëra profesionistë shumë të kualifikuar, të cilët i dëshirojnë atij sukses dhe do të bëjnë gjithçka që ai të ketë sukses.”

Zoti Tillerson trashëgon disa sfida globale, siç janë lufta civile në Siri dhe aftësitë në rritje të Koresë së Veriut në fushën bërthamore dhe të raketave.

Këtyre u shtohet edhe agresiviteti në rritje i Kinës, sidomos shtimi i pranisë së saj ushtarake në Detin e Kinës Jugore./VOA/

Please follow and like us: