CIA: Dhjetëra agjentë u futën në Shqipëri dhe si disa prej tyre u ekzekutuan nga sigurimi, bazat i kishin në Veri dhe në kufi me Greqinë, SHBA-Britani konflikt të ashpër për operacionet në vendin tonë
Gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri, me dh jetëra agjentë të CIA kanë arritur të futen në vend, me qëllim nxitjen e revoltave kundër Enver Hoxhës. Në dy dokumente të deklasifikuara nga shërbimi amerikan, të viteve 1950 dhe 1952, zbulohet plani që kishin fillimisht amerikanët për futjen e disa agjentëve në vendin tonë dhe se si disa prej tyre u futën, por pati dhe nga ata që u ekzekutuan nga shërbimet shqiptare. Në dokument tregohet se CIA ka përdorur avionë për të futur agjentë, të cilët janë hedhur me parashuta në zona të ndryshme të vendit, kryesisht në Veri dhe Jug. Shumë prej tyre kanë qëndruar dhe kanë pasur baza aty. Nga ana tjetër tregohet dhe një përplasje e fortë mes britanikëve dhe amerikanëve sa i takon ndërhyrjeve në Shqipëri. Kjo për faktin se britanikët kryenin operacione të ndara dhe CIA tentoi që të bënin operacione të përbashkëta. Planet e CIA për dërgimin e agjentëve Siç është konceptuar prej fillimit, projekti për Shqipërinë ka një objektiv minimal, nxitjen e konfliktit të brendshëm në Shqipëri, me qëllim reduktimin e aftësisë së saj për mbështetjen e grupeve guerile në Greqi, dhe objektiv maksimal përmbysjen e regjimit Hoxha. Aktualisht kemi një koordinim të ngushtë të politikave me britanikët, por jo angazhim operacional. Që prej aprovimit të projektit, kanë ndodhur dy ndryshime madhore të situatës ndërkombëtare: ndalimi i luftës guerile në Greqi dhe përkeqësimi i marrëdhënieve mes Titos dhe vendeve sovjetike. Rritja e presionit të Kremlinit ndaj Titos ka sjellë ndryshime në politikat e SHBA, e cila dëshiron që të ruajë regjimin e Titos si një bllok pengues i influencës sovjetike në rajon. Ndryshimet e fundit kanë sjellë zhvendosje edhe në kushtet bazë të projektit dhe rishikim të objektivave të tij. Kështu, më 6 shtator 1949, Departamenti i Shtetit dhe Ministria e Jashtme britanike vendosën se objektivi maksimal i përmbysjes së regjimit në Shqipëri, duhej braktisur për momentin. Objektivat e tjerë duhet të ndiqeshin nga afër, me fokus në krijimin e kushteve të tilla në Shqipëri, që aftësojnë OPC (grupi i CIA që punonte për Shqipërinë) të kryejë operacione guerile në kundërveprim të ndonjë sulmi të mundshëm të sovjetikëve drejt Jugosllavisë, apo ndaj një ringjalljeje të mundshme të aktivitete guerile komuniste në Greqi. Lufta ekonomike Pas krijimit të tij, detyra e Komitetit për Shqipërinë e Lirë (NCFA) ishte dhënia e ndihmës në zgjedhjen e agjentëve të përshtatshëm për infiltrim në Shqipëri, dhënia e asistencës në objektivat e propagandës, dhe në përgjithësi ndihma në të gjitha fazat e operacioneve dhe mbulim i fshehtësisë së projektit. Një zyrë për NCFA është krijuar në Nju Jork nën emrin e Komitetit Kombëtar për Evropën e Lirë. Zyra drejtohet nga dy anëtarë të komitetit ekzekutiv, dhe përveç funksioneve të tjera është përgjegjëse për një gazetë në gjuhën shqiptare. Elementi evropian i NCFA e ka selinë e tij në Romë. Elementi evropian i Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë përfshin një organ shtypi dhe propagande që veprojnë sipas udhëzimeve të OPC, me një staf prej tre shqiptarësh dhe një specialist propagande amerikane. Njësia e propagandës është përgjegjëse për përgatitjen e teksteve si ato të broshurave dhe karikaturave që shpërndahen ilegalisht ose nga ajri në Shqipëri, nga kanalet amerikane e britanike. Propaganda radiofonike Përveç stabilimentit thuajse të hapur të propagandës së përmendur më sipër, OPC ka krijuar dhe një qendër propagande në Greqi për përgatitjen e propagandës së “zezë” dhe “gri” për Shqipërinë dhe Bullgarinë. Kjo qendër aktualisht ka në dispozicion edhe dy transmetues radio me valë të shkurtra, të lëvizshëm që pritet të nisin transmetimet në shtator. Përveç këtyre, një transmetues me valë të mesme është instaluar në një mjet detar që lundron në detin Jon ose Adriatik, që përdoret për transmetime propagande në Shqipëri. Anija është me bazë në Greqi dhe e aftë të operojë për periudha prej dy javësh, përpara se të kthehet në bazë për furnizime. Transmetimet nga kjo anije pritet të nisin në fund të vjeshtës, mundësisht në 15 nëntor. Si një shtesë ndaj transmetuesve të anijes dhe dy transmetuesve të lëvizshëm po nisin prokurimet edhe për një transmetues tjetër me valë të mesme prej 50 kilowat, që do të ketë një fuqi më të madhe se aparaturat e përmendura më sipër. Fletëpalosjet dhe trajnimet Një lëshim broshurash propagande u krye më 16 qershor 1950. Njëqindmijë fletë të pagatitura nga OPS në SHBA u lëshuan me avion mbi Shqipëri nga britanikët. Broshura të ngjashme janë përsëri duke u përgatitur dhe sapo organizmi i lëshimit të tyre të përfundojë, do të nisin lëshimet e përmuajshme të fletëve të propagandës. Një kamp për grumbullimin e shqiptarëve të përshtatshëm për agjentë infiltrimi në Shqipëri po operon në formën e kampi të gardës në Gjermani. Për momentin, ai përbëhet nga 250 shqiptarë, një numër i vogël i të cilëve do të tërhiqen nga kampi për t’u trajnuar në shkolla të fshehta agjenture. Tre instruktorë tanë janë tashmë atje dhe tre të tjerë po shkojnë në Gjermani. Plani për lëshimin e agjentëve me avion Po mendojmë për lëshimin me avion në Shqipëri të pesë grupeve me nga katër agjentë, më datë 30 shtator. Për këtë qëllim është siguruar një avion C-47 nga OPC, i cili do të operohet nga një ekuipazh polak. Avioni do të raportojë në Gjermani më 25 shtator. Dy avionë C-47 janë caktuar nga ushtria për operacionet e OPC në Gjermani, për operacione komunikimi tokë-ajër, të frekuencave ultra të larta, me agjentët e OPC në Shqipëri. Pajisjet e nevojshme të komunikimit po instalohen aktualisht në avionë, të cilët do të operojnë prej një baze greke, dhe do të fluturojnë me personel ushtarak amerikan. Është duke u organizuar një kamp në Greqi për agjentët e kthyer nga infiltrimi në Shqipëri. Krijim i kampit u bë i nevojshëm për eliminimin e ndërhyrjeve të autoriteteve greke me këta të infiltruar (shpeshherë janë detyruar të rikthehen në Shqipëri nga rojet kufitare) dhe marrjen e kujdestarisë së tyre nga OPC. Për arsye të natyrës primitive të ekonomisë shqiptare, vendi nuk është objektiv i përshtatshëm i luftës ekonomike, por mund të bëjmë ndërhyrje në tregtinë shqiptare në Trieste apo nxitjen me anë të propagandës së ndalimit të dërgimit të ushqimit të fshatarëve drejt qyteteve. Futja e agjentëve në Shqipëri Një grup prej gjashtë njerëzish ka hyrë në Shqipëri në këmbë gjatë natës së 9-10 gushtit 1951. Guida që i drejtonte ata në zonën kufitare u kthye mbrapsht dhe tha se infiltrimi kishte qenë i suksesshëm. Dy burime raportonin se një grup prej katër njerëzish të lëshuar me parashutë në Jug të Shqipërisë gjatë një operacioni të fshehtë të OPC më 22-23 korrik, u zunë në pritë nga forcat shqiptare të sigurisë. Të dyja burimet raportonin se një agjent u vra, dy kryen vetëvrasje dhe i fundit i shpëtoi grackës. Ky grup besohet se është tradhtuar nga një prej guidave. Një tjetër grup prej katër njerëzish të parashutuar në Shqipëri natën e 22- 23 korrikut, arritën të shpëtonin duke u tërhequr jashtë kufirit grek në datën 15 gusht. Grupi kishte humbur të gjithë materialet që ishin lëshuar bashkë me ta dhe u tërhoqën prej mungesës së ushqimit. Anëtarët e këtij grupi do të infiltrohen përsëri në Shqipëri gjatë muajit shtator, në varë- si të moralit të tyre (aktualisht morali i tyre është pozitiv). Deri në fund të gushtit një total prej dymbëdhjetë njerëz kanë hyrë në Shqipëri; dy grupe, një prej dy njerëzve dhe një prej katër njerëzve janë në Veri të saj, kurse një grup me gjashtë njerëz janë në Jug. Lëshimet e furnizimeve Një tentativë për lëshime furnizimesh për grupin tonë prej katër personash në Jug të Shqipërisë më 11 gusht, rezultoi e pasuksesshme për arsye të kushteve të motit. Një tentativë e dytë më 12 gusht ishte gjithashtu e pasuksesshme për arsye se nuk u dalluan dritat e palës pritëse. Gjatë kryerjes së këtij misioni u has edhe zjarri i avionëve armiq, që u dalluan në afërsi të zonës së lëshimit. Një tentativë e tretë për furnizimin e grupit, e planifikuar për natën e më- passhme u anulua për arsye të aktivitetit armik të hasur më parë. Natën e 16-17 gushtit, një mision rifurnizimi fluturoi në zonën e dy grupeve në Veri të Shqipërisë. Dhjetë pako u lëshuan për grupin e agjentëve me dy persona, pas njohjes në terren të sinjaleve të rëna dakord më parë. Ndërsa në zonën e grupit me katër agjentë nuk u bë lëshimi i programuar për arsye të mosnjohjes së sinjaleve paraprake. Një tentativë rifurnizimi e një avioni sekret të OPC për grupin e OSO në Shqipërinë jug-qendrore, natën e 22- 23 gushtit ishte e pasuksesshme për arsye të mosdallimit të sinjaleve paraprake. Një tentativë lëshimesh furnizime për grupin me gjashtë persona në Jug të Shqipërisë, natën e 25-26 gushtit, ishte e pasuksesshme për arsye të motit. Megjithëse ka pak të dhë- na mbi misionin, arsyeja zyrtare ishte mosdallimi i sinjaleve të lëshimit. Në total, nga pesë misione furnizimi gjatë muajit gusht, njëri dështoi për arsye të motit, njëri prej veprimit armiqësor, dhe dy prej mosdallimit të sinjaleve përkatëse të lëshimit. Njëmision i 16-17 gushtit arriti të lëshonte me sukses furnizimet për grupin e caktuar, por nuk arriti të dallonte sinjalet në zonat e tjera të lëshimit. Vlerësime e komente Parashikohet se shtimi i operatorëve radio për grupet e agjentëve që do të infiltrohen së shpejti, do të rrisë dobinë e punës së tyre. Aparatet e më- parshme të radios të grupeve tona kanë rezultuar të padobishme dhe komunikimet mes grupeve janë kryer vetëm me anë të korrierëve. Sapo operatorët e rinj të stabilizohen në terren, numri i lëshimeve të furnizimit do të shtohet mjaft, pasi ata do të paralajmërohen kur grupet nuk mund të arrijnë orarin e lëshimit. Mjete të tjera po dërgohen për uljen e numrit të lëshimeve të pasuksesshme. Bashkëpunimi me britanikët Operacionet shqiptare të degës së OPC po kryhen në baza të përbashkëta me agjencinë përkatëse të qeverisë britanike. Vendimi për të hyrë në këtë marrëveshje të përbashkët u nxit nga shqyrtimi i politikave dhe nga rrethanat aktuale që u zhvilluan gjatë hyrjes së OPC në fazën aktive të operacioneve. Sa i përket politikave, ishte konkluzioni i planifikuesve të operacioneve shqiptare se instrumentet në dorë të SHBA për ekzekutimin e politikës së saj ndaj Shqipërisë nuk mjaftonin në vetvete, prandaj duhej kërkuar dhe marrë mbështetja e plotë e qeverisë britanike. Konkluzioni u mbështet edhe nga Departamenti i Shtetit, që ka thënë se dokumentet e politikave se “qeveria britanike duhet fillimisht informuar mbi zhvillimet, me qëllim kuptimin e mendësisë së britanikëve për problemin shqiptar dhe arritjen e një marrëveshjeje të plotë për programin dhe politikat”.
Përveç kësaj, diskutimet paraprake me zyrtarë të stabilimentit ushtarak sollën shqetësimin se Britania po përdor situatën aktuale në Shqipëri për zmadhimin e influencës së tyre në Ballkan, në Itali dhe në Mesdheun lindor, në kurriz të interesave të SHBA dhe gjithashtu në dëm të ndalimit të zgjerimit të influencës sovjetike. Duke marrë në konsideratë këto politika, OPC zbuloi se jo vetëm britanikët ishin përfshirë në përpjekje aktive për rifitimin e prestigjit të tyre në Greqi, por edhe se ishin në fazat e para të një operacioni në Shqipëri, i cili dyshohet se ka si qëllim forcimin e pozitës së tyre në Greqi. Prandaj për këto arsye, OPC ftoi britanikët të nisnin operacione të përbashkëta në Shqipëri. Ishte e qartë se britanikët po përgatiteshin të vazhdonin me operacionet e tyre sido që të ndodhte, me apo pa pranimin tonë. Operacio- net e veçanta amerikane dhe britanike do të krijonin konfuzion të madh në Shqipëri me pasoja negative sigurie, dhe rrjedhimisht do të sillnin konkurrencën mes dy agjencive për të fituar mbështetjen e elementëve shqiptarë dhe zonave gjeografike, çka do të vinte në rrezik të gjithë operacionin, pasi Shqipëria nuk është aq e madhe sa të përballojë përpjekjet e dy fuqive për kontroll të popullsisë dhe territorit. Roli i britanikëve Rrjedhimisht u zbulua se Britania nuk e fshihte identitetin në sponsorizimin e operacioneve të saj, duke treguar se kishte vërtet qëllime të zgjerimit të hapur të influencës në rajon. Përveç kësaj, ishte e qartë se britanikët ishin më të avancuar në operacionet e tyre sesa OPC, prandaj u mendua se duke hyrë në operacione të përbashkëta do të eliminoheshin aspektet e influencës britanike, dhe ata nuk do të mund të merrnin avantazhe të pamerituara nga operacioni. Parashikohet gjithashtu se megjithë marrëveshjet e bashkëpunimit mes nesh, do të ketë një- farë konkurrence për pozita mes amerikanëve dhe britanikëve, dhe ndoshta pasoja pas çlirimit të mundshëm të vendit. OPC mendon se edhe nëse ka konflikte të tilla, do të jetë shumë më mirë nëse ato kufizoheshin në zona ku të mos dallohen nga shqiptarët apo krerët sovjetikë të Shqipërisë, duke mos komplikuar qëllimet e aktiviteteve. Ishte e qartë prej fillimit se vetëm marrëveshjet e ndërlidhjes nuk do të mjaftonin për arritjen e qëllimeve dhe vendosjen graduale të dominimit tonë në operacion. Ishte e qartë se duke parë mungesën e zonave të dominuara nga amerikanët në Mesdhe, ne duhet të mbështeteshim në plane alternative, sipas komplikacioneve politike mes grekëve dhe italianëve për Shqipërinë.