Ish-shoqja e dhomës e Melania Trump zbulon disa sekrete nga e kaluara e zonjës së parë
Suedezja Victoria Silvested i kujton ditët e shkuara, kur me Melania-n, zonjën e parë aktuale të Amerikës, ka jetuar në apartament në Paris. Si bashkëshorte e presidentit të sapozgjedhur amerikan Donald Trump, Melania Trump tani është gruaja më popullore në botë. Këtë vit bëhet zonja e parë e Amerikës, kurse njëzet vite më herët, ka qenë manekine e re e suksesshme e cila ka pasur para vete qëllim të qartë – të bëj diçka të madhe në emrin e saj, shkruan faqja wwd. com.
Në mesin e viteve të 90-ta, në apartamentin në Paris, Melania ka jetuar me shoqen e dhomës dhe kolegen nga bota e modelimit, Suedezen Victoria Silvested. Victoria e ka përshkruar si “vajzë mjaft të vendosur, ambicioze me vullnet të fortë, kurse para se gjithash me shpirt të mirë”. Të dyja kanë qenë në fillim të karrierës dhe si çdo fillim, nuk e kishin aspak të lehtë. “Në fillim të karrierës vërtetë duhet të vraponi në 12 prova në ditë me librin e modës në dorë, çdo ditë duke garuar me mijëra vajza tjera.
Në fakt ditën e kemi kaluar në metro, hekurudhë nëntokësore. Ishte koha, kur nuk kishte telefona mobil. Ishim në shtet të huaj, gjuhën e të cilit nuk e njihnim”, tregon Victoria dhe shton: “Nuk është lehtë të jetosh në vend të huaj, përveç kësaj edhe ne dyja vijmë nga dy vende të ndryshme. Megjithatë, jemi përshtatur shumë mirë.
Ajo kurrë nuk dëshironte të dilte dhe të argëtohej. Ishte shumë e vendosur me qëllim arritjen e suksesit në punën e saj”. Victoria Silvested, person televiziv, modele dhe dizajnere e linjës së rrobave të banjës dhe të brendshmeve, zbulon se me Melania ka jetuar disa vite dhe shton: “Melania vërtetë ka punuar shumë që të ketë sukses.
Nuk vjen nga familja më e pasur në botë.
Dëshironte të punojë shumë dhe me mundin e saj të ndihmojë familjen e saj, sikur çdo person tjetër kariera e të cilit është në ngritje. Më ka mbetur në kujtime si luftëtare shumë e madhe me ambicie të larta. Ajo kurrë nuk tërhiqet – kjo është e sigurt. Mund të shihej në sytë e saj se do të ketë sukses”, thot Victoria.
“Kam vetëm gjërat më të mira për të thënë për këtë grua! Ajo vërtetë është e veçantë, shumë e dashur. Nëse e keni mike, mund t’i besoni”.
Si shoqe dhome, shpesh kanë drekuar bashkë në banesë, duke bërë sallata të ndryshme, ku nga më të preferuarat ka qenë sallatë toni. “Çdoherë pas ngrënies, i thonim vetes – tani duhet të stërvitemi.
Shpesh vraponim poshtë-lart nëpër shkallë që t’i djegim kaloritë.
Kemi qenë shumë të përkushtuara ndaj punës sonë”, kujtohet suedezja.
Duke e përshkruar si “grua të këndshme, joshëse dhe elegante”, Victoria konsideron se Melania do të përballet mirë në rolin e zonjës së parë të Amerikës.
Në pyetjen se a planifikon t’i telefonojë, suedezja thotë se “nuk është duke menduar për këtë”. “Nëse takohemi, do të jem e lumtur. Tani është vështirë të arrish deri te ajo”.
Suedezja zbulon se kë ka pasur si idhull, kush ka qenë ylli i saj udhëheqës.
“Melania e ndjek shumë modën. Do të jetë vërtetë shumë e bukur si zonja e parë – kjo është e sigurt. Jam e sigurt se shumë dizenjatorë botërorë do të garojnë, se kush do ta stilizojë.
Një herë erdhi mamaja ime për vizitë” kur jetonim në Paris dhe Melania atëherë i tha: ‘Një ditë do të bëhem e famshme si Sophia Loren’.
Atë e kishte idhull – pamjen e saj, bukurinë, misterin.
Kur e pashë në Shtëpinë e Bardhë, mu kujtua kjo. Mendova – ja ku ka arritur.
Sigurisht ka pasur ndonjë forcë të brendshme dhe ndjenjën se po e pret diçka e madhe në jetë. Nuk e di – plotësisht e pabesueshme”, përfundon Victoria Silvested, shoqja e dikurshme e dhomës në ditët e rinisë.