Plani i CIA, UDB dhe Greqisë për grusht shteti në Shqipërinë komuniste, synohej kapja e të gjithë liderëve politikë, 10 mijë forca do sulmonin bazat ushtarake, qeveria e re do përbëhej nga shqiptarët në emigracion
Shërbimi sekret amerikan, bashkë me Greqinë dhe Jugosllavinë përgjatë viteve 1949-1954, bënë një sërë tentativash për të rrëzuar regjimin komunist në Shqipëri. Marrëdhëniet e asaj kohe me Bashkimin Sovjetik shiheshin me sy kritik nga amerikanët, pasi Shqipëria kishte një pozicion strategjik në rast lufte dhe për ta mund të shërbente si një bazë ushtarake e rusëve. Për këtë arsye ka pasur shumë tentativa për rrëzimin e Enver Hoxhës. Gazeta po publikon më poshtë të gjithë planin që CIA kishte për krijimin e një grushti shteti më 1 korrik 1954. Bëhet fjalë për një dokument të datës 6 shkurt 1953, ku baza e CIA është informuar mbi tentativat e agjentëve të saj për të rrëzuar Enver Hoxhën nga pushteti. Plani ishte i sofistikuar dhe në të përfshiheshin Jugosllavia, SHBA, Greqia, si dhe Italia me Francën e Anglinë, por që këto të fundit do kishin një rol më të kufizuar. Sipas asaj që tregohet në dokument, rreth 10 mijë forca greke, amerikane dhe jugosllave do të futeshin në kufi dhe do të godisnin të gjitha bazat ushtarake. Ndërsa më pas do të niste rebelimi për rrëzimin e qeverisë. Plani tjetër ishte që të kapeshin të gjithë drejtuesit e pushtetit dhe qeveria të përbëhej nga anëtarë të Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë. Bëhet fjalë për një organizatë që mblidhte të gjithë intelektualët e emigracionit, që punonin kundër regjimit si dhe mbështeteshin nga CIA. Në dokument theksohet se palët i trembeshin dhe një sulmi të mundshëm nga jugosllavët, dhe këtu më pas do ndërhynin aleatët e tjerë për të shmangur çdo lloj incidenti.
Plani i grushtit të shtetit në Shqipëri
1. Situata e përgjithshme: Është marrë vendimi për të kryer një grusht shteti të fshehtë në Shqipëri, të mbështetur multilateralisht nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e Jugosllavisë, për të përmbysur regjimin aktual të Enver Hoxhës dhe zëvendësimin e tij me një qeveri shqiptare të lirë e të pavarur. Ndër forcat mike listojmë grupet e mëposhtme, sipas negociatave të kryera nga Departamenti Amerikan i Shtetit:
a. Lidhja e Prizrenit, e cila është shkrirë me Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë sipas udhëheqjes së përbashkët amerikane e jugosllave. NCFA do të jetë më tej instrumenti i krijimit të qeverisë së përkohshme në Shqipëri.
b. Jugosllavia do të lejojë operacionet e nevojshme paramilitare të nisin dhe të mbështeten nga bazat brenda territorit të saj, nën mbikëqyrjen e selisë kryesore të përbashkët të drejtimit.
c. Jugosllavia do të furnizojë operacionin me forcat e refugjatëve shqiptarë dhe të vullnetarëve, për kompletimin e fazës paramilitare të grushtit të shtetit, dhe do të japë asistencë të mëtejshme për zhvillimin e planit të detajuar.
d. Forcat e armatosura greke dhe jugosllave do të punojnë për të mos lejuar përforcimin e forcave armike shqiptare, nga sovjetikët apo satelitët e tyre, duke ndaluar fluturimet mbi territorin e tyre derisa grushti i shtetit të jetë siguruar.
e. Shtetet e Bashkuara dhe Britania do të japin mbështetje ushtarake për Jugosllavinë dhe Greqinë, në rast të një pushtimi të mundshëm nga forcat sovjetike apo satelitët e tyre.
f. Forcat detare amerikane do të nisin manovrat ushtarake në Detin Adriatik që prej nisjes së sulmit deri në sigurimin e grushtit të shtetit, për të dekurajuar një afrim të forcave sovjetike apo të satelitëve të tyre.
Hipoteza të tjera
Me anë të negociatave që kanë nisur nga Departamenti Amerikan i shtetit, Franca, Turqia dhe Italia do të njihen deri në një farë mase me qëllimet e Aleatëve për nisjen e grushtit të shtetit dhe do të aprovojnë grushtin e shtetit moralisht. SHBA, Britania, Franca, Italia e Turqia do të njohin qeverinë e re të përkohshme shqiptare sapo ajo të vendoset. Aleatët do të marrin të gjitha masat e deklaruara për të ruajtur pavarësinë e plotë të Shqipërisë së çliruar.
Misioni dhe koncepti
Misioni është përmbysja e regjimit të Hoxhës dhe vendosja e regjimit të një qeverie të lirë e të pavarur në Shqipëri, me anë të një grushti të fshehtë të shtetit gjatë një periudhe ende të pacaktuar, me ditë të parashikuar të nisjes së sulmit 1 korrik 1954. Me anë të sulmit synohet të kapet dhe të sigurohet zona e Tiranës dhe të neutralizohen apo të sigurohet kontrolli i forcave kryesore kundërshtare në zonat rrethuese. Të kapet çdo lider i rëndësishëm qeveritar dhe të vendosen zyrtarë të qeverisë së përkohshme në vend të tyre. Të reklamohet çlirimi i Shqipërisë. të konsolidohet kontrolli i qeverisë qendrore.
Llojet e operacioneve
a) Operacionet paraprake – Zhvillimi, organizimi, pajisja dhe trajnimi në Jugosllavi, Greqi e vende të tjera të huaja i forcave të përbashkëta që nevojiten për fazën paraprake të grushtit të shtetit. Zhvillimi i njësive të forta të rezistencës brenda Shqipërisë, që do të mbështesin dhe do të shtojnë numrin e forcave që vijnë nga jashtë Shqipërisë. Përfitimi i të gjithë inteligjencës operacionale që nevojitet për kryerjen e suksesshme të grushtit.
b) Operacionet sulmuese nga pikat e selektuara në Jugosllavi e Greqi dhe pikat e përbashkëta të komandës, të nisin lëvizjet operacionale të natës, drejt objektivave në Shqipëri bashkë me dërgesat e furnizimeve. Forcat e përbashkëta në terren të sulmojnë gjatë natës për të kapur dhe siguruar zonat e synuara. Elementët e sulmit të neutralizojnë ushtarët e kufirit dhe të marrin kontrollin e instalacioneve ushtarake, të ndërpresin komunikimet dhe të shkaktojnë dezertimin ose izolimin e forcave kundërshtare ushtarake dhe të sigurisë. Të gjitha fushat ajrore dhe avionët bashkë me qendrat e transportit të sigurohen. Më tej të kapen dhe të mbahen të gjithë liderët e rëndësishëm të qeverisë. Qeveria e përkohshme të përbëhet nga liderët e NCFA( Komiteti për Shqipërinë e Lirë). Ata të njoftojnë publikisht krijimin e qeverisë së lirë e të pavarur të Shqipërisë, dhe të detyrojnë liderët e regjimit Hoxha të pranojnë publikisht largimin nga pushteti, në mënyrë që të nxitet mbështetja për qeverinë e përkohshme. Me anë të qelizave të organizuara paraprakisht dhe me grupet e terrenit të bëhet ngritja e grupeve të rezistencës vendase për kompletimin e grushtit të shtetit.
c) Konsolidimi i operacionit. Të eliminohen elementët e mbetur të opozicionit. Të riorganizohen e të forcohen forcat e qeverisë së përkohshme dhe agjencitë e forcat e tjera mike.
Detyra për njësitë dytësore
Forcat e përbashkëta të terrenit të zhvillojnë, organizojnë dhe të trajnojnë forcat e jashtme operacionale me një fuqi të përgjithshme prej 10.400 si më poshtë:
Në bazat e zgjedhura në Jugosllavi forcat arrijnë në numrin 4800, duke përfshirë task-force me 2500, dhe komandën veriore operacionale me fuqi prej 1300 njerëz, rezervat e përgjithshme prej 1000. Në bazat e Greqisë, forcat operacionale arrijnë në 5600, duke përfshirë komandën e terrenit me 2500 forca dhe rezervat e përgjithshme e task-force. Sulmi simultan i tre fronteve do të nisë natën në ora 01 00, me neutralizimin dhe marrjen nën kontroll të njësive ushtarake dhe të forcave të sigurisë. Të kapen dhe të sigurohen objektivat e përcaktuar në Tiranë, Durrës dhe Elbasan nga komanda qendrore e terrenit. Komanda veriore të sulmojë për kapjen e Shkodrës, Kosovës, Dibrës dhe zonën lindore të Elbasanit, me objektiva kryesorë neutralizimin e opozicionit në zonat rreth Shkodrës. Komanda jugore të kapë zonat e Beratit, Korçës, Vlorës dhe Gjirokastrës, me objektiva kryesore neutralizimin e forcave armike në rrethinat e Vlorës, Korçës e Gjirokastrës.
Forcat e brendshme të rezistencës. Nën kontrollin e komandantit të tyre, forcat e përbashkëta dhe ato të terrenit të bashkëpunojnë për arritjen e objektivave të mësipërme, me një masë të përafërt të zgjerimit të elementëve të armatosur nga 1000 në ditën e parë, në 5000 në ditën e tretë duke arritur në 10 000 në ditën e 30-të. Zgjedhja e bazave të përshtatshme, zhvillimi, organizimi, pajisja dhe trajnimi i të gjithë njësive të mbështetjes së jashtme, mbështetja logjistike, transportimi i forcave të terrenit drejt zonave të shënjestruara.
Forumi i Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë (NCFA)
Në një përpjekje për të bashkuar të gjithë elementët shqiptarë të emigracionit në një front të bashkuar kundër terrorit komunist, u formua Komiteti Kombëtar i Shqipërisë së Lirë dhe selia ndërkombëtare u hap në Nju Jork më 17 korrik 1950. NCFA u krijuar për të tejkaluar linjat e ndarjeve politike mes shqiptarëve dhe për të përfaqësuar të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të mbajnë lart të drejtat e njeriut në vendin e tyre. Aktivitetet e Komitetit drejtohen nga selia e tij e Nju Jorkut. Ne mbajmë gjithashtu një zyrë në Romë e cila përpiqet të qëndrojnë në kontakt me bashkë-atdhetarët tanë që vuajnë brenda Shqipërisë. Aktiviteti kryesor i NCFA është koordinimi i përpjekjeve të rezistencës së shqiptarëve në emigracion që luftojnë kundër komunizmit.
Përbërja e Komitetit për Shqipërinë e Lirë
Hasan Dosti- president. Zoti Dosti është një anëtar i njohur i Lëvizjes Balli Kombëtar dhe përpara Luftës konsiderohej si juristi më i aftë në Shqipëri. Ai vjen nga një origjinë e thjeshtë, por pati mundësi të studiojë në Francë dhe u kthye në Shqipëri për t’u bërë një prej qytetarëve kryesorë të saj.
Abaz Kupi – aktualisht ndihmon aktivitetet e NCFA në Rome. Kupi konsiderohet si një prej heronjve të luftës për drejtimin e tij të përpjekjeve guerile kundër pushtuesve italianë. Në vitin 1943 ai krijoi Partinë e Legalitetit, që kishte si qëllim të ruante legjitimitetin e ish-mbretit Zog. Megjithë mungesën e shkollimit formal, Kupi krijoi emrin e tij si një nga mbrojtësit më të ashpër të lirisë së Shqipërisë.
Said Kryeziu – I emëruar në degën e NCFA në Romë, Said Kryeziu është gjithashtu president i Partisë Agrare Shqiptare. I arsimuar në Paris, Kryeziu ka punuar shumë për të vënë nën një flamur grupet shqiptare të emigracionit për të luftuar kundër pushtuesit. Për këtë ai ka luftuar kundër gjermanëve dhe italianëve gjatë luftës dhe u bë një prej anëtarëve të Komitetit të Parisit, i cili ishte pararendësi i NCFA.
Zef Pali – Anëtar i komitetit të NCFA në Rome dhe aktualisht në Nju Jork për konsultime. Pali është një lideri i njohur dhe aktiv i Ballit Kombëtar, i arsimuar në Kolegjin e Mësuesve në Elbasan. Ai respektohet si një njeri i letrave dhe i idealeve demokrate. Pali u detyrua të largohej nga vendi gjatë luftës dhe u bë një prej anëtarëve të parë të NCFA.
Nuçi Kotta- është një zyrtar i NCFA në New York, dhe anëtar i partisë së Legalitetit. Ai ka qenë prej kohësh në shërbim të mbretit shqiptar në emigracion, Zog, dhe ka studiuar për drejtësi në France. Kotta u kthye në Shqipëri për të shërbyer si kryeministër i Zogut për disa vjet. Edhe ai është një prej anëtarëve të parë të Komitetit të Parisit në gusht l949. Ai është përgjegjës për publikimin e gazetës së komitetit, Shqipëria.