Albspirit

Media/News/Publishing

Propozimi i Blushit për Donald Lu: Një listë e zezë edhe për politikanët

Në prezantimin e pikave kryesore të programit të LIBRA, Ben Blushi hodhi idenë e një listë të zezë të ambasadës amerikane për politikanët e korruptuar, njësoj si prokurorët dhe gjykatësit e tillë. Blushi e bëri propozimin e tij në formën e një pyetjeje për ambasadorin, ndërsa fliste për reformën në drejtësi.
“Situata në Shqipëri është shumë e pastabilizuar. Reforma në Drejtësi duket sikur po bllokohet sërish. Ne e kishim thënë se ata që kanë bërë ligjin, do bëjnë gjithçka për të kapur ata që ligji i emëron. Kjo praktikë e cënon frymën e reformës në drejtësi. Shqiptarët sot për fat të mirë kanë një perceptim të drejtë për atë që po ndodh, e dinë që klasa e tyre politike po bën gjithçka për ta bllokuar reformën, ndërsa SHBA po bën shumë më shumë për ta zhbllokuar dhe për të ecur përpara.
Duket se reforma në drejtësi po kthehet në amnisti për prokurorë e gjyqtarë që kur nuk duan të kalojnë vetingun mund të parkojnë qetësisht në lëndinat e qeta të harresës duke u falur me gjoba që kanë vetë në të shkuarën.
Në Parlamentin e Shqipërisë ka me dhjetëra deputetë e ministra që janë përgjegjës për korrupsionin. Pyetja është a do t’u hiqen vizat atyre? A do të ketë një listë të zezë për politikanët, për ata që ndajnë çdo ditë paratë e krimit, të korrupsionit.
Siç e pranoi edhe një ministër pak ditë më parë, paratë ndahen në qeveri, thërrimet ndahen ne gjykata. Dikush po kërkon të krijojë mjegull për të na bllokuar shikimin.
Ambasada ka reaguar për këtë situatë, dhe u janë bllokuar vizat disa prokurorëve dhe gjyqtarëve. Drejtësia nuk është një mall politik. Drejtësia nuk duhet të ketë lidhje me zgjedhjet”, tha Blushi.
Sipas tij, ka shumë njerëz që pyesin nëse është Amerika e Trump apo Obamës ajo që do reformën shqiptare në drejtësi.
“Unë them se Amerika është demokraci mbi drejtësinë.  Amerika është aleat yni kundër armikut të përbashkët, armiku ynë nuk janë serbët, grekët e turqit, është korrupsioni”- tha Blushi.

Please follow and like us: