Raporti i CIA para vdekjes së Enver Hoxhës, ja sëmundjet nga të cilat vuante diktatori që më 1976, si mjeku i tij personal jepte informacione, dyshimet që u ngjallën gjatë paradës së 1 Majit 1984
Periudha e viteve 1980-1985, njihet në Shqipëri si një ndër periudhat ku flitej shumë për shëndetin e diktatorit Enver Hoxha. Për këtë gjë kishin të dhëna edhe agjentët e shërbimit inteligjent amerikan. Në një dokument të klasifikuar nga CIA, jepen detaje mbi shëndetin e diktatorit gjatë viteve 1983-1985. Aty thuhet se që në vitin 1976, Enver Hoxha kishte nisur të kishte probleme me zemrën dhe kurohej. CIA kishte arritur t’i merrte të gjithë informacionet nga mjeku personal i diktatorit, Nikoll Shurbani. Ata kishin futur një mik të tijin që të kontaktonte me të dhe ai i kishte treguar sëmundjet nga të cilat vuante diktatori. Në dokument tregohet një tjetër moment, ai i paradës ushtarake të 1 majit 1984. Sipas CIA, atë ditë Hoxha u pa shumë i plakur dhe kishte ngjallur dyshime pasi rrinte vetëm ulur në kolltuk, duke mos u çuar në këmbë asnjëherë. Në një tjetër dokument të publikuar nga gazeta, tregohet se si amerikanët dhe rusët përplaseshin për shkak të ndërhyrjeve në vendet, ku BRSS kishte marrëdhënie. CIA në Shqipëri hodhi disa herë pako me ushqime dhe Moska e akuzonte se po tentonte të helmonte qytetarët.
Mars 1985
Përmbledhje e gjendjes shëndetësore të Enver Hoxhës
Raport për selinë qendrore mbi gjendjen e liderit të Shqipërisë, Enver Hoxha.
Një mik i agjentit tonë, Prof. Zorzoli udhëtoi në Shqipëri me rastin e një seminari mjekësor. Ai është specialist në sëmundjet e mushkërive dhe me këtë rast ekzaminoi dhe Enver Hoxhën. Sipas Zorzolit, Hoxha kishte probleme me diabetin dhe me qarkullimin e gjakut. Në vitin 1976, Albert Zurani kishte vizituar Shqipërinë me një grup biznesmenësh nga Gjermania Perëndimore dhe ishte takuar me Dr. Nikoll Shurbanin, të cilin e kishte mik pasi kishin qenë bashkë në shkollë të mesme në Shkodër, nga viti 1934 deri në 1938. Dr. Shurbani është specialist i zemrës dhe mjek privat i Enver Hoxhës. Shurbani i tha Zhuranit se Hoxha ka pasur probleme me zemrën në 1976 dhe mjekohet e kontrollohet rregullisht. Ai thotë se Zhurbani e ka urdhëruar Hoxhën të evitojë stresin dhe të kalojë dimrin në bregdet në Himarë. Dr. Nikoll Shurbani është diplomuar në universitetin e Bolonjës në 1943 dhe ka kryer tre vjet stazh në Moskë, në fund të viteve 1940-të.
Gjendja në vitin 1983
Në këtë vit, një mjek francez udhëtoi drejt Shqipërisë, por nuk ka më shumë informacione. Raportimi u bë nga Dr. Angelo Sferazza, gjatë një bisede me agjentin tonë në Romë më 1984.
Gjendja më 1984
Një mjek në Tiranë, raporton se gjatë paradës së 1 Majit, lideri Enver Hoxha dukej shumë i plakur brenda një viti. Për herë të parë, gjatë asaj parade, ishin vendosur kolltukë të rehatshëm në platformën e autoriteteve. Duket qartë se kjo ishte bërë për të evituar dhimbje apo lodhje nga lideri Hoxha. Parada zgjati rreth dy orë dhe Hoxha qëndroi ulur thuajse gjatë gjithë kohës. Të njëjtën gjë bënë dhe anëtarët e tjerë të byrosë politike. Vërehej se Hoxha kishte humbur shumë peshë dhe dukej e zbehtë në fytyrë. Edhe duart raportohej se i lëvizte me vështirësi. Një tjetër faktor për gjendjen e tij shëndetësore është dhe anulimi i udhëtimeve të tij periodike në qytetet e Shqipërisë.
Situata më 1985
Viti 1985: Burimi ynë kishte shansin të fliste me Liljana Prendushin më 11 mars, ditën që sapo kishte ardhur nga Shqipëria. Në bisedë u përmend edhe shëndeti i Hoxhës dhe Prendushi tha se ai raportohej të ishte sëmurë dhe askush nuk e kishte parë prej katër muajsh.
Të tjera informacione mbi shëndetin e Hoxhës erdhën nga zonjusha Silvia Zorzoli, mikeshë e ambasadorit shqiptar në Romë, dhe gjithashtu mike e Seladin Bekteshit, doktorit shqiptar që ka udhëtuar në Itali, Francë e Zvicër dhe merret me blerjen e mjekimeve jashtë shtetit
28 shtator 1954
Konkluzione mbi objektivat e projektet e Shqipërisë
Ndër objektivat e ndjekur aktualisht është ruajtja e shpresës së çlirimit me anë të komitetit të liderëve shqiptarë në emigracion, i cili është besnik ndaj popullit të skllavëruar shqiptar dhe ka mbështetjen e vendeve të botës së lirë. Disa prej objektivave në direktivat kombëtare janë neglizhuar, veçanërisht ato në lidhje me ngacmimet ndaj regjimit dhe inkurajimit të rezistencës pasive, e cila nuk sjell dënim apo reprezalje. Në lidhje me objektivat e forcimit të aseteve tona në vend dhe përgatitja e terrenit për rezistencën ndaj sovjetikëve, u pranua se progresi ishte i ngadaltë për arsye të mangësive në agjentë të kualifikuar. Dega mendon se është e dëshirueshme të krijohen asetet e brendshme me ngadalë dhe në mënyrë të sigurtë.
Roli i Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë
Pranohet se operacioni ka krijuar në mendjen e shqiptarëve idenë se Komiteti Kombëtar i Shqipërisë së Lirë është i vetmi grup liderësh në emigracion besnik dhe me mbështetjen e fuqive të mëdha. Mes mangësive përmendim mungesën e programeve për nxitjen e rezistencës pasive dhe të ngacmimeve ndaj regjimit. Ka pasur një masë suksesi në programet e dezertimeve, teksa një numër refugjatësh të ardhur kohët e fundit në Greqi ishin në dijeni të tyre. Një shpjegim për mangësitë e operacionit është mungesa e inteligjencës mbi kushte brenda Shqipërisë. Një vëmendje e konsiderueshme po i kushtohet mangësive, veçanërisht në lidhje me nxitjen e dezertimeve selektive, që tashmë janë objektiv i propagandës intensive nga Athina. Nxitja e rezistencës pasive ka hasur probleme në lidhje me arritjen e rezultateve pa shkaktuar pasoja mbi elementët anti-komunistë.
Hedhja e fletëpalosjeve
Për reduktimin e mangësive në të ardhmen pritet që dega të hetojë mundësinë e lëshimit të dokumenteve false që i japin gjetësit privilegje të veçanta si për shembull racione ushqimi, pushime në kampet bregdetare etj. Dega do t’i kushtojë rëndësi mundësive të ngacmimeve me anë të hapjes, kohët e fundit të kanaleve të postës në Shqipëri nga vendet e Evropës Lindore. Do të shqyrtohen aspekte të tjera të fushatës me postë, për ta bërë sa më efektive si një instrument ngacmimi. Dega dhe stafi do të rishikojnë instruksionet e fushatës së ngacmimeve për të zgjedhur më të përshtatshmet për Shqipërinë, dhe në të njëjtën kohë do të inkurajohet njohja më e mirë e mundësive të rezistencës pasive, me pasoja sa më të vogla.
Furnizimet ushqimore
Do të vazhdojë përpjekja për të siguruar furnizime ushqimore, që të shpërndahen në emër të komitetit si brenda Shqipërisë ashtu dhe për refugjatët shqiptarë në nevojë jashtë saj.
Për transmetimin në kuadër të operacionit OBTEST, kemi vetëm disa prova të shpërndara për dëgjimin e mesazheve në Shqipëri dhe është rënë dakord se projekti duhet të vazhdojë pa afat. Arsyet për këtë janë fakti se zhurmuesit kohët e fundit janë reduktuar në forcë dhe nga fakti se refugjatët nga zona të ndryshme të Shqipërisë i njihnin programet. Përveç kësaj, kostoja e projektit është e vogël dhe pajisjet janë tashmë të instaluara. Stafi i tyre përdoret në të njëjtën kohë dhe për programin e lëshimit të broshurave, dhe ndalimi i tij do të tregonte për një rënie të interesit nga Perëndimi, si për autoritetet dhe për popullin shqiptar. Gjithashtu besohet se operacioni ka pasur sukses në formimin e reputacionit të Komitetit në Shqipëri.
Në lidhje me programin e teksteve nga ajri, u pranua se ai ishte arsyeja e suksesit tonë në krijimin e reputacionit të Komitetit të Emigracionit në Shqipëri. Mes problemeve të diskutuara ishin vështirësitë në krijimin e rrugëve të tjera të dërgimit, disa vështirësi me mjetet e printimit të teksteve dhe raportimet se broshurat nuk janë lëshuar në zona shumë të populluara, por asnjë prej këtyre problemeve nuk është i pakalueshëm. Mangësitë e agjentëve të terrenit për të plotësuar numrin e agjentëve vendas, gjithashtu u përmendën. Lëshimi i mallrave ishte pritur kryesisht negativisht, pasi në intervistat me disa refugjatë ishte përshkruar njëfarë zemërimi ndaj Komitetit për dhënien e mallrave për komunistët. Kjo bie në kundërshtim me llogaritjet tona se zemërimi do të drejtohej te komunistët që konfiskonin mallrat nga popullata. Por meqënëse asnjë reagim nuk është vërejtur që prej rinisjes së tyre vitin e kaluar, u mendua të bëhej vlerësimi i iniciativës kur të mbaroheshin paketat e mallrave në Athinë. Në lidhje me këtë do të mundohemi të marrin raporte të përmuajshme nga terreni.
Konkluzionet
Në konkluzion, dega pranoi se sipas rekomandimeve të terrenit, të përgatitej programi vjetor për 1955. Ndër rekomandimet e marra ishin vazhdimi i përpjekjeve për zhvillimin e inteligjencës brenda Shqipërisë, funksioni i së cilës është furnizimi me informacion i programit mbështetës nga jashtë. Do të studiohet mundësia e lëshimit nga ajri të dokumenteve të falsifikuara me qëllim ngacmimin e regjimit, e cila do të mbështetet me fushatën e postës së rreme kërcënuese.
Fushata e nxitjes së dezertimeve do të vazhdojë, e shoqëruar me sugjerime të reja për mënyra të nxitjes së rezistencës pasive në popullatë. Gjithashtu do të vazhdojnë transmetimet klandestine radio, të shoqëruara me fushatën mbështetëse të broshurave të propagandës.
1 prill 1952
Subjekti: Akuzat për luftë biologjike
Dokumenti është buletini i lajmeve në lidhje me akuzat e Moskës për luftë biologjike ose helmesh, si një tentativë për të diskredituar ndihmat materiale për popujt e vuajtur nga uria në vendet satelite sovjetike, të dërguara nga grupet e emigracionit. Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, ngriti sot akuzat se Moska ka nisur taktikat e luftës psikologjike duke akuzuar Perëndimin se po përpiqet të helmojë popullsinë e vendeve satelite me pakot e ndihmave të lëshuara nga ajri. BRSS po përpiqet me çdo çmim të ndalojë ndjenjën e simpatisë që po përhapet me shpejtësi në botën komuniste, pas dhënies së ndihmave materiale nga grupet e emigracionit në Botën e Lirë, për popujt e shtypur. Zëdhënësi i NCFA përmendi Shqipërinë si një shembull ku ndihmat materiale kanë ndikuar në rritjen e mbështetjes për Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, dhe kanë çuar në kaos qeverinë e kuqe kukull. Sipas NCFA, ky lajm po përsëritet në detaje që prej vjeshtës. Emisarët e NCFA brenda Shqipërisë kanë përhapur lajmin se megjithë një prej sezoneve më të mira të korrjeve në historinë e Shqipërisë, sasia e madhe e të korrave është sekuestruar nga qeveria kukull e Enver Hoxhës, për t’u dërguar në Rusi, dhe popullsia e vendit është lënë me rezerva të pamjaftueshme për të mbijetuar.
Telegrami për Hoxhën
Pas hetimeve të kujdesshme të liderëve të NCFA, ata ishin të vendosur të ndihmonin popullin e tyre të vuajtur, edhe me rrezikun e kapjes nga organet e qeverisë komuniste kukull. Kështu më 14 shtator 1952, kreu i NCFA në Nju Jork i dërgoi një telegram liderit Enver Hoxha ku shprehte se ai dhe mbështetësit e tij janë të vendosur për përmbysjen e qeverisë kukull të Shqipërisë, pasi nuk mund të qëndronin duarkryq teksa vëllezërit e tyre vdisnin urie. Ata i kërkuan të lejohej dërgim i ndihmave në veshje dhe ushqime për popullin nëse Hoxha lejonte që ato të shpërndaheshin nga një organizatë neutrale ndërkombëtare. Shumë javë kaluan por Hoxha nuk ktheu përgjigje, dhe me ardhjen e dimrit emisarët e NCFA raportonin se njerëzit ishin të detyruar të hanin rrënjët e bimëve apo lëvoret e pemëve, prandaj nisi shpërndarja e fshehtë e ushqimeve, sipas mënyrave që zëdhënësi i NCFA nuk pranonte të tregonte, prej frikës se qeveria do të ndalonte kalimin e ndihmës.
Frika e Hoxhës
Kryeministri Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij janë trazuar shumë për rritjen e simpatisë për NCFA, pas kalimit të ndihmave humanitare. Fillimisht, qeveria hapi fjalën se pakot ushqimore ishin dërguar për të mbështetur ushtritë armike që së shpejti do të pushtonin Shqipërinë, por kur kjo gënjeshtër nuk pati efekt në përhapjen e entuziazmit (dhe nuk shkaktoi rikthimin e pakove të ushqimit siç kishte bërë thirrje qeveria) dhe qeveria kukull nisi një fushatë për të bindur njerëzit se Perëndimi i Lirë po shpërndante ushqime të mbushur me mikrobe në Kore, për të përhapur një epidemi në të gjithë vendin. Kjo ishte sigurisht një tentativë për të përhapur frikë në mendjen e popullit shqiptar se edhe pakot e ushqimeve të lëshuara në Shqipëri nga NCFA ishin të infektuara apo të helmuara. Duket qartë se kjo gënjeshtër po propagandohet në këtë mënyrë për të evituar pranimin e hapur se regjimi kukull i Hoxhës ka frikë nga aktiviteti i NCFA dhe efekti i tij i gjerë në rritjen e simpatisë ndaj Perëndimit. Prej disa ditësh, tashmë Radio Tirana po e fryn këtë fushatë. Lajmet për luftën biologjike që ato po përhapin sipas urdhrit të shefave të Moskës, janë një provë e vërtetësisë së këtyre ideve. Nuk ka dyshim se në mendjen e liderëve të NCFA, kjo është një skemë e zhvilluar e gjitha prej Moskës. Programi i ndihmave materiale është nisur nga NCFA që prej vjeshtës së kaluar dhe është përdorur nga shumë grupe të tjera refugjatësh. Natyrisht që qeveritë kukull të Perdes së Hekurt e dinë se grupet e emigracionit veprojnë nga baza në Perëndimin e Lirë, kështu që ata fajësojnë qeveritë perëndimore për mbështetjen e tyre.
Në vitin 1976, Albert Zurani kishte vizituar Shqipërinë me një grup biznesmenësh nga Gjermania Perëndimore dhe ishte takuar me Dr. Nikoll Shurbanin, të cilin e kishte mik pasi kishin qenë bashkë në shkollë të mesme në Shkodër, nga viti 1934 deri në 1938. Dr. Shurbani është specialist i zemrës dhe mjek privat i Enver Hoxhës. Shurbani i tha Zhuranit se Hoxha ka pasur probleme me zemrën në 1976 dhe mjekohet e kontrollohet rregullisht…
Një mjek në Tiranë, raporton se gjatë paradës së 1 Majit, lideri Enver Hoxha dukej shumë i plakur brenda një viti. Për herë të parë gjatë asaj parade ishin vendosur kolltukë të rehatshëm në platformën e autoriteteve. Duket qartë se kjo ishte bërë për të evituar dhimbje apo lodhje nga lideri Hoxha. Parada zgjati rreth dy orë dhe Hoxha qëndroi ulur thuajse gjatë gjithë kohës. Të njëjtën gjë bënë dhe anëtarët e tjerë të byrosë politike…