Albspirit

Media/News/Publishing

Vrasja e parë në kufi në 1990

Ish-drejtori i Arkivit në ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi, duke zbardhur fakte historike lidhur me sistemin komunist, por jo vetëm së fundmi ka zbardhur edhe emrin e personit të parë që është vrarë në kufi në vitin 1990. Kanë qenë kohët kur shqiptarët tentonin nga çdo rrugë për tu larguar nga Shqipëria, ku mesa duket viktimë në këtë rast në kufi ka mbetur një 30 vjeçar me ermin Ilirian Zari.

Vrasja e parë në kufi e vitit 1990

Përgjatë gjithë vitit 1990 në të gjithë kufirin shtetëror të Shqipërisë repartet e kufirit vranë shumë qytetarë që u orvatën të largoheshin nga vendi. Vrasja e parë është shënuar më 3 shkurt 1990 në postën kufitare të Rehovës në Rrethin e Kolonjës. Kjo ngjarje është raportuar kështu në komunikatën nr.28, datë 3.2.1990 të Ministrisë së Punëve të Brendshme: 

“Më datën 2.2.1990, rreth orës 24.00 njësiti i shërbimit i postës kufitare Rehovë, në rajonin e piramidës 6, kuadrati 6776, ra në përpjekje me tre shkelës të kufirit nga brenda jashtë. Si rezultat i zjarrit të njësitit mbeti i vrarë Ilirian Ismail Zari, vjeç 30. Dy shkelësit e tjerë u kthyen në thellësi të tokës sonë. Si rezultat i masave, në orën 5.00 të datës 3.2.1990, u kap Agim Ismail Zari – vëllai i të parit. Vazhdon kërkimi për kapjen e të tretit që është Ylli Qemal Keti, me origjinë nga Kolonja, banues në Tiranë, martuar me motrën e dy shkelësve të mësipërm”. Ushtar Albani, i cili ishte në shërbim së bashku me ushtar Astritin, i pyetur në hetuesi një ditë pas vrasjes dha këtë dëshmi ndër të tjera:

“Në këtë kohë desh të largohej edhe ai që ishte i pari. Në këtë moment neve të dy qëlluam në drejtim të tij. Me qenë se e goditëm, ai u rrëzua dhe tha: O më vratë. Sa dëgjuan krismën e automatikëve tanë, ata të dy u larguan me vrap poshtë. Astriti i ndoqi ata. Unë pashë personin që kishim qëlluar, i cili kishte vdekur. Pasi u sigurova që kishte vdekur, kalova në bllokim të kufirit, të mos kalonin ata të dy. Unë di të them se ai që vramë ishte i pari dhe dy të tjerët, ishin pas tij, rreth 3 – 4 metra larg njëri – tjetrit. Pas pak erdhi njësiti tjetër për ndihmë. Unë di të them se ata të dy që nuk i vramë ikën poshtë në drejtim të fshatit Starje”. Fotografia tregon viktimën Ilirian Zari, ushtarët që kryen krimin dhe hetuesit që qëndrojnë sipër të vrarit me duar në xhepa gjatë procesit të përpilimit të dokumentacionit se ushtarët vepruan siç duhej.

Please follow and like us: