Nënë Tereza në qendër të Ditës së 39-të Italiane për jetën
Nënë Tereza, së bashku me Papën Françesku, në qendër të Ditës së 39-të Italiane për jetën, që kremtohet sot. Tema e zgjedhur sivjet nga ipeshkvijtë italianë është “Gra e burra për jetën, në gjurmët e Shën Terezës së Kalkutës”. Mesazhi për këtë ditë është bërë i njohur që në tetor, siç citon shpesh Papën Françesku e shenjten bamirëse shqiptare, shkruan Radio Vatikani.
Kujdesi për gjyshërit e fëmijët, theksohet më tej në Mesazh, “kërkon përpjekje për t’u rezistuar sirenave të një ekonomie të papërgjegjshme, që shkakton luftë e vdekje. Të edukosh për jetën do të thotë të hysh në një revolucion civil, i cili e shëron nga brenda kulturën e hedhurinave, shëron nga logjika e lindjeve të pakta, nga kriza demografike, duke favorizuar mbrojtjen e çdo njeriu, që nga lulëzimi i jetës e deri në fundin e saj të natyrshëm”.
“Kur Papa komenton Fjalën e Zotit në mëngjes, ose kur mban fjalime në udhëtimet e ndryshme apostolike – shkruhet në Mesazh – nuk mungon të na inkurajojë të bëjmë ëndërra të mëdha” e familjeve u kujton se ëndërra e Zotit “vijon të realizohet në ëndërrat e shumë çifteve, që kanë guximin ta kthejnë jetën në familje”.