Rajerson: Greqia të ndalë persekutimin e shqiptarëve të Çamërisë dhe t`u njohë të drejtën e pronësisë
Deklarata e ambasadorit Amerikan në vitin 1992 në një rrëfim të njërit prej nismëtarëve për krijimin e shoqatës Çamëria, historianit Nexhat Merxhyshi
Si lindi ideja për krijimin e shoqatës Çamëria më 10 janar 1991? Cilët ishin disa nga nismëtarët më të njohur? Kur filloi përgatitja dhe kur u miratua zyrtarisht krijimi i shoqatës? Diçka për programin dhe mënyrën e organizimit…
Politika izoluese e regjimi komunist e arshivoi çështjen çame si një çështje të harruar.
Çamët asnjëherë nuk kanë reshtur përpjekjet në kërkim të të drejtave të tyre kombëtare dhe njerëzore, pavarësisht heshtjes 45 vjeçare të regjimit komunist, i cili ndaloi organizimin e popullsisë çame pas vitit 1953, vit kur edhe iu hoqi arbirtrarisht, “en blok”, shtetësia greke, me një dekret të posaçëm antikushtetues. Përndjekjet e regjimit totalitar ndaj kësaj popullsie vitale tashmë janë të njohura dhe kulmuan me inskenimin e “grupit çam antiparti”, pas të cilit çamët u trajtuan si qytetarë të dorës së dytë. Por ja që ngjarjet rrodhën ndryshe nga llogaritë e bëra dhe tashmë koha filloi të punonte për Çamërinë. Pluralizmi politik në Shqipëri ishte edhe për çamët një ngjarje historike, sepse ngjalli shpresën e demokracisë dhe të rikthimit në vatrat amtare. Intelektualët çamë, të përkrahur nga njerëzit e thjeshtë patriotë, pa ndonjë ndihmë nga jashtë, filluan menjëherë organizimin për krijimin e “Shoqatës Patriotike Çamëria”, qysh në dhjetor 1990, me biseda të veçanta me grupe . Biseda bëheshin pafund, por ende ishte e rëndë hija e diktaturës. Çuditem se si nuk e kuptojnë disa hijen e diktatures dhe flasin sipas qejfit se SHP Çamëria, është pjellë e Ramiz Alisë. Ai që ka jetuar në atë kohë e di fort mirë se kjo hije u vinte pas deri vonë njerëzve sepse ishte e tille, e frikshme. Por patriotët çamë, të frymëzuar edhe nga bashkëkombasit e tyre, u organizuan vetë, pa i shtytur njeri, në familjen e tyre çame, për të kontribuar edhe në çështjen kombëtare. Organizimi, me synim krijimin e shoqatës, filloi nga mesi i dhjetorit 1990. Takimet e para u bënë në studion e Ilmi Kasemit, në shtëpinë e Ferhat Sejkos, në shtëpinë e Sali Bollatit, të Ilmi Saqes dhe dy herë në një dhomë të veçantë te pallati i Kulturës. Në lëvizjen për zgjimin e vetëdijes sonë kombëtare u përfshinë shumë emra të spikatur të komunitetit si: Abaz Dojaka, etnograf, Lutfi Saqe pedagog, Ilmi Kasemi skulptor, Ferhat Sejko, mjek, Sali Bollati, inxhinier, Petrit Kasemi pedagog, Emin Sejko, pedagog, Ilimi Saqe , inxhinier, Arshin Rexha gazetar, Hasan Minga historian (një nga ideologet e SHP Çamëria nuk pushoi deri ne minutën e fundit të jetës, duke nxjerrë ekstrakte nga autore të ndryshëm që bënin fjalë për Çamërinë), Gazali Sejko, jurist, Abas Hado piktor, Resul Taipi ushtarak (një nga organizatorët e palodhur në ngritjen e seksioneve në lagjet e Tiranës dhe të Degëve nëpër Rrethe dhe bashkë me të tjerë, krijuan mundesinë në shtrirjen e kësaj organizate në gjithë Shqipërinë) , Hasan Musaj kaldaist, Jaho Saliu ushtarak, Martin Demi arsimtar, Rexhep Çami elektricist, Ramazan Banushi pensionist, Bejdo Mehmeti mjek, Petrit Demi historian, Daut Xhaferi oficer, dhe katër pesë – ditë më vonë iu bashkuan këtij grupi, unë Nexhat Merxhushi, Fatos Mero Rrapaj folklorist, Laurant Bici pedagog e historian, Ballkize Halili gazetare, Ibrahim Hoxha historian, Gjin Varfi piktor etj. Megjithëse Ibrahim Hoxha kishte shumë kohë më parë që shkruante për Çamerinë.
Viti 1991 shënon fundin e heshtjes së madhe. Popullata çame, me inteligjencën e saj të përgjegjshme, e kapën këtë moment dhe me anë të një deklarate të afishuar në 10 Janar 1991 njoftuan botërisht themelimin e Shoqërisë Çamëria.Vendimin për miratimin e shoqatës nga Ministria e Drejtësisë, me firmën e ministrit Enver Halili, unë e çova në TVSH më 10 janar 1991 në orën 19 e tridhjetë, ku zbriti znj. Tefta Radi dhe e mori, për ta transmetuar në lajmet e orës 20. Selia e shoqatës u vendos fillimisht ku është sot ambasada italiane dhe më pas në rrugën e Kavajës. Logon e shoqatës e ideoi dhe e realizoi grafikisht piktori Gjin Varfi, i biri i shkrimtarit të njohur Andrea Varfi. Menjëhërë në Tiranë dhe në rrethe filloi puna për ngritjen e seksioneve në lagje. I pari seksion që u krijua ishte ai i lagjes Ali Demi. Në lagjen Ali Demi , në shtëpinë time, vinin veteranët Muharrem Matraku,(i cili dhuronte shpesh pensionin për shoqatën), Avdul Malo, Sali Dobrani, Bukurie Matraku, të cilët kërkuan që çdo lagje të kishte seksionin e vet. Dy herë te Varri i Bamit u bë mbledhja për ngritjen e komisioneve pranë shoqatës. Jo me pak kontribut kane dhene dhe rrethet. Në Vlorë: Fadil Zeqiri, Hajri Xhemali, Doktor Abdullai, Skënder Beqiri etj Në Sarandë: Skënder Bajrami, Hekuran Halili, Nuredin Çapari, Nuredin Izeti,etj. Në Fier: Naim Dalipi (një aktivist I pa lodhur me një magazinë materialesh historike dhe folklorike pasuroi kulturen çame), Agush Veliu etj. Në Durrës: Masar Rushiti, Ismail Hamiti, Avdul Sulejmani, Adem Hyseni, Safet Cino etj. Në Delvinë: Fuat Omeri, Sami Maksuti, Vera Çeço. Në Konispol Ali Maliqi. Në Ksamil Luan Zeneli. Në Elbasan punoi me devotshmeri patrioti Daman Sinani, duke mos perjashtuar dhe Emine Sadikun dhe Hyqmet Zanin.Diskutimet e Damanit ne Kryesi dhe ne Keshillin e Pergjithshem ngjallnin optimizem tek pjesemarresit. Në Lushnje Xhelo Zeqiri dhe Zeneli. Në Kavajë Hasan Tahiri. Në Shijak Subi Dino etj.
Kur nisën aktivitetet e para të organizuara të shoqatës?
Nga fundi i muajit janar 1991, në Pallatin e Madh të Kulturës në Tiranë u organizua një mbledhje me pjesëmarrje të gjerë për të zgjedhur drejtuesit definitivë të shoqatës. Abaz Dojaka u zgjodh kryetar dhe Arshin Rexha sekretar i përgjithshëm. Si aktivitet me rëndësi duhet të përmendim daljen e numrit të parë të gazetës “Çamëria”, më 25 mars 1991, nën drejtimin e Bashkim Kuçukut dhe Arshin Rexhës. Ndërsa tubimi i parë i shoqatës u organizua me rastin e ardhjes së kryeministrit grek Micotaqis, më 31 janar 1991, ku për t’u theksuar është episodi me camin Tahir Dervishin, i cili me një megafon, doli para benzit të zotit Micotaqis, në bulavard, para kryeministrisë dhe i foli me një greqishte të kulluar, aq sa Kryeministri grek qëndroi i hutuar dhe e dëgjoi me vëmendje, kuptohet pa i dhënë përgjigje. Veç aktivitetit politik, sensibilizues dhe njohës, vijoi puna dhe për krijimin e ansamblit Çamëria, me artistët Bashkim Braho, Qani Biraçi, Agush Meleqi etj Ansambli dha shfaqje në gjithë Shqipërinë dhe në Turqi, Kroaci, Spanjë, duke marrë dhe çmime të para.Për të njohur të rinjtë me traditën e valleve karakteristike, si Vallja e Osman Takes etj. u thirrën veteranët çamë Ibrahim Hoxha dhe Xhemil Demi. Takimi i parë masiv i komunitetit çam u bë me rastin e 27 qershorit 1991, në Akademinë e Arteve për të përkujtuar ditën e gjenocidit. Këtu u mbajtën dy referate: Hasan Minga referoi për kontributin e çamëve në luftën kundër nazizmit gjerman në bashkëpunim me EAMI-n grek. Referati i dytë u mbajt nga unë, me temë” Genocidi grek ndaj çamëve në Filat e Paramithi”. Referatet krijuan emocione të mëdha te të pranishmit, një pjesë e madhe u shkrehën në lot.
Menjëherë filloi në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë regjistrimi i popullsisë çame, në bazë seksionesh. Seksionet në Tiranë I sillnin tek unë dhe unë I hidhja në një regjistër të madh.Rrethet ishin më teë shpejtë për regjistrimet. Në Tiranë figuronin 29700 çamë, kurse në gjithë Shqipërinë 204 255 vetë.
A kishit një strategji për sensibilizimin e problemit çam?
Për të prezantuar problemin çam kemi takuar pothuaj pjesën më të madhe të përfaqësive diplomatike në Tiranë.Perfaqesia diplomatike e Iranit, kerkoi te hante nje Iftar tek nje familje came. Kryesia I dergoi tek shtepia ime ne rrugen “Zonja Curre”. Ata u kenaqen. Tek Perfaqesia Diplomatike Palestineze, pasi Abazi paraqiti Problemin Cam ata na thane : “Cfare kerkoni nga ne, financiarisht nuk ju ndihmojme dot. Doni arme? Kur kerkohet e drejta, deres I bihet me shkelm…”. Në materialet tona historike e diplomatike, që u vumë në dispozicion, ne argumentonim se çamët u dëbuan nga trojet e tyre si bashkëqytetarë të padëshirueshëm. Një takim me rëndësi ishte edhe ai në ambasadën greke, në vjeshtë të vitit 1991, ku përfaqësinë e shoqatës e përbënin : Abaz Dojaka, Petrit Kasemi, Nexhat Merxhushi, Arshi Rexha dhe Hasan Minga, e priti sekretari i ambasadës, Leonidhas, i cila na tha: “Kërkesat tuaja ne do t’ia përcjellim Athinës, por ndërkohë jeni të lutur të mos e bëni publik takimin”. Dihet që përgjigja nga Athina nuk mbërriti asnjëherë. Pas këtij takimi nga Athina erdhën tre gazetarë grekë, kërkuan takim me përfaqësuesit e shoqatës, dhe u takuam në hollin e hotel Tirana. Në takim ishte Abaz Dojaka, Petrit Demi, Nexhat Merxhushi, Arshin Rexha. Mbajtën shënime, pa ndërhyrë, vetëm në fund pyetën:çdo të bëhet me ndërtimet që janë ngritur në tokën tuaj? Ne u përgjigjëm: nuk do i prishim, por do vjelim qeratë dhe për vete do ndërtojmë në pronën tonë. Në dhjetor 19991 u bë një takim me Viktor Çamin ,korespondent i BBC, i biri i Azis Çamit. Ai mori përsipër të lobonte për çështjen çame. U takuam disa herë në hotel Dajti me Nermin Vorën, edhe kjo një lobuese e njohur e çështjes kombëtare. Nga fundi i vitit 1992, një përfaqësi e shoqatës shkoi në Izmir për të krijuar degën e shoqatës, aktivitet që u shoqërua me një intrevistë të kryetarit Dojaka në gazetën “Hyrjet”. Në këtë delegacion bënin pjesë, kryetari Abaz Dojaka, Petrit Kasemi, unë Nexhat Merxhushi dhe Hasan Minga.Në verën e vitit 1993 në Sharki, qytet i vogël afër Stambollit, Ansambli ynë, drejtuar nga Bashkim Braho dhe Agush Meleqi, zuri vendin e parë.
A kishte presione nga politika zyrtare e kohës dhe nga segmente të pushtetit të sapokrijuar pluralist?
Për hir të së vërtetës ne kishim idenë e krijimit të një partie politike, por gjetëm pengesë në Ministrinë e Drejtësisë, ku na thanë se nuk lejohet krijimi i partive mbi baza etnike, kur vetëm pas një muaji, çuditërisht u krijua PBDNJ, që mbronte hapur interesat e minoritetit grek. Presione të tjera nuk kemi pasuar, gënjeshtra po. Delegacionet qeveritare na thonin se e kemi ngritur problemin, kurse mediat e të dy anëve jepnin vetëm intervista jashtë bisedimeve. Qeveria asnjëherë nuk na dhënë një seli të shoqatës, zyrtarisht, kurse në një ambient që morëm tek Zëri I popullit, policia na nxori me dhunë se do ti jepej Mehmet Elezit.
Kujt ia paraqiti kërkesat e saj shoqata?
Paraqitja e kërkesave filloi qysh kur kryeministri grek Konstantin Micotaqis erdhi më 31 janar të vitit 1991 për herë të parë për vizitë zyrtare në Shqipëri. Delegacioni i nivelit të lartë grek erdhi për të testuar politikën shqiptare në adresë të saj në prag të ndryshimeve të mëdha. SHP “Çamëria” e sapo krijuar reagoi me anë të një letre, duke ja prezantuar edhe ambasadës greke në Tiranë në adresë të Kryeministrit Micotaqis, por dhe mikpritësit, presidentit të asaj kohe Ramiz Alisë. Çamëria me këtë rast riformuloi dhe bëri prezente kërkesat e saj të pandryshuara, që nga kongresi i parë i Shalësit, fundi i shtatorit 1944 dhe ai i Dytë Çam në Vlorë, shtator 1945, nëpërmjet Komitetit Antifashist Çam, si përfaqësuese e vetme legjitime e popullatës çame në atë kohë. Rikthimin apo riatdhesimin, Ripronësimin dhe Gëzimin e të gjitha të Drejtave Njerëzore dhe qytetare në vatrën e tyre. Ramiz Alia, i pyetur nga një gazetar shqiptar para takimit, nëse parashihej një ngritje e Çështjes Çame , ai deklaroi për herë të fundit të karrierës së tij se “Çështja Çame ekziston në një mënyrë të caktuar dhe do të zgjidhet në një kohë të caktuar”. Pritej qe Ramiz Alia ta ngrinte këtë çështje, por ai preferoi të heshtte përsëri gjate bisedimeve zyrtare, duke mos i dhënë me këtë rast një shkasë Kryeministrit grek të prononcohej zyrtarisht.
Kryeministri Micotaqis, i pyetur vetëm nga gazetarë shqiptarë, në kthim nga vizita e tij e parë në Shqipëri, deklaroi: “Problemi Çam nuk ekziston dhe për qeverinë greke konsiderohet i mbyllur”. Mbas kësaj shoqata Çamëria fillon të rivendosë kontaktet e mohuara me institucionet dhe figurat më të larta politike në Tiranë.
Në qershor të atij viti (1991) kemi vizitën e MJ shqiptar Muhamet Kapllani në Korfuz ku pritet nga homologu i tij grek Samaras. Në këtë takim si pa pritur për të dyja palët, Ministri shqiptar z.Kapllani shtron në tryezën e bisedimeve për herë të parë zyrtarisht pas heshtjes së madhe, si problem që ekziston në marrëdhëniet dy palëshe shqiptaro-greke, “Çështjen Çame”. Ministri grek, si i dalë nga një gjumë i thellë, i befasuar reagon dhe bën si i paditur. Sipas pohimeve të z Kapllani në atë kohë, ajo dhe përfaqësuesit e saj nuk e prisnin një gjë të tillë mbasi ishte llogaritur si një çështje e mbyllur për diplomacinë greke. Me insistimin e ministrit të Jashtëm shqiptar, ministri i Jashtëm grek Samaras detyrohet të deklarojë se: “ Kjo çështje duhet studiuar në thellësi ”.
Me ardhjen në fuqi të forcave demokratike, cili ishte predispozicioni për çështjen çame?
Në një intervistë me gazetarët datë 23 mars 1992, lideri demokrat Berisha deklaroi se:“Çamët u dëbuan nga një qeveri jo demokratike dhe duhet tani të pranohen nga qeveria demokratike (RD, datë 24 3. 1992). Deklarime këto që sinjalizonin për një ringjallje të re dhe shumë shpresëdhënëse për shqiptarët e Çamërisë. Por që në fakt nuk sollën atë që shpresonin çamët, zgjidhjen e problemit të tyre.
Flitet në këtë kohë edhe për një deklaratë të ambasadorit amerikan Rajerson…
Ishte e paharrueshme në këtë kohë deklarata e ish Ambasadorit Amerikan në Tiranë, z.Uilliam Rajerson, i cili shfaqi drejtpërsëdrejti interesin e SHBA për ardhjen në fuqi të PD-së dhe forcave te reja demokratike ne pushtet ne Shqipëri. Zoti Rajerson, duke vlerësuar momentin ne fushatën elektorale të zhvilluar, deklaron ndër të tjera dhe i bën thirrje qeverisë dhe shtetit grek që “t`u japin fund persekutimit politik të shqiptarëve të Çamërisë dhe t`u njohë atyre të drejtën e pronësisë…”. Por njëkohësisht kjo merret edhe si një mesazh orientimi për forcat e reja që do të vinin së shpejti në pushtet. Greqia zyrtare protestoi dhe i kërkoi Përfaqësisë Amerikane në Athinë që të distancohej nga kjo deklaratë e ambasadorit Rajerson në Tiranë. Por shteti i madh mbetet gjithmonë i madh dhe fillon të demonstronte kujdes për shqiptaret e vuajtur. Ky pozicionim përbën pa me të voglin dyshim një eveniment të rrallë e me peshë të madhe për Çështjen Çame. Këtu kemi të bëjmë me riprononcimin për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore të SHBA, e cila tregoi respekt e kujdes për të drejtat e mohuara të çamëve duke u rreshtuar kështu në anën e këtyre të drejtave universale.
Të kthehemi te qeveria e PD-së, si i formuloi ajo kërkesat për popullsinë çame dhe si vazhduan negociatat me palën greke?
Qeveria e parë Demokratike shqiptare, e sapoardhur në pushtet, formuloi në programin e saj për politiken e jashtme edhe interesimin zyrtar për “Çështjen Çame”. Në këtë program thuhej : “Politika e fqinjësisë se mirë përbën një dimension të një rëndësie të veçante dhe për këtë do t`i kushtohet vëmendje zhvillimit te mëtejshëm te marrëdhënieve me Greqinë. Qeveria shqiptare do të vazhdojë të respektojë të gjitha të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri dhe do të ndërmarrë hapat e nevojshme për zgjidhjen e problemit të popullsisë çame, në përputhje me dokumentet ndërkombëtare.”. Nga ky moment kemi një konturim dhe një klimë të favorshme për ecurinë e “Çështjes Çame”. Në 3 maj të po këtij viti, pa rënë akoma entuziazmi i fitores, fluturon me shpejtësi për në Tiranë përsëri Kryeministri grek K. Micotaqis. Kjo vizitë e shpejtë ngjalli një interesim në atë kohë, pasi pritej të hidheshin hapat e një fryme dhe politike të re në marrëdhëniet shqiptaro –greke me kaq shumë probleme të mbetura nga e kaluara, por dhe të diktuara nga një element i ri, vërshimi i madh i emigracionit shqiptar në Greqi. Priteshin nga kjo vizitë pozicionime për të afruar zgjidhje konkrete dypalëshe, shumë të interesuara si nga opinioni i të dy vendeve, por dhe ai ndërkombëtar. Por edhe kjo vizite shërbeu për matje pulsi, ku më tepër palët shprehën qëndrimet e tyre, se sa afruan zgjidhje të problemeve. Ajo qe është e rëndësishme te shënohet, është pritja me anë të një demonstrate masive të popullsisë çame, organizuar nga shoqata Çamëria , demonstratë që bëri jehonë në shtypin e vendit dhe të huaj.
Tirana zyrtare kaloi disa çaste tensioni dhe ankthi se mos ndodhte ndonjë incident. Çamët, ndonëse nuk u lejuan ligjërisht, ata të vendosur protestuan në mënyrë të qetë e paqësore. Në pankartat e tyre kërkohej vetëm njohje e të drejtave të mohuara. Kjo atmosferë elektrizoi si bisedimet dhe konferencën e shtypit, ku gazetarët shqiptarë, por edhe grekë, përqendruan të tërë vëmendjen tek Çështja Çame. Kryeministri grek, i vënë para një presioni të gazetarëve që donin me çdo kusht prononcimin e tij për Çamërinë, duke humbur qetësinë, deklaron se:
“ Bëra të qartë në të gjitha nivelet, deri tek Presidenti z.Berisha, se Greqia nuk do të pranojë kthimin e tyre në Greqi, për arsye të ndryshme që nuk mund t`i analizoj sot….. Politika jonë mbështet tek ligjet për kriminelët e luftës“. Ky konfirmim u parapri edhe në shtypin grek të kohës ku veçojmë: „Çështja çame nuk ekziston“….„Çështja është një prezantim i një pozite, që nuk ka asnjë bazë në histori, ajo përfaqëson një çështje jo ekzistuese që nuk i përket Greqisë“.
( Deklaratë e zëdhënësit të MJ të Greqisë, z.Kalamidha. Gazeta Agony-28 mars 1992).
„Tirana nxorri nga varri një histori të vjetër që ta përdorë si mjet presioni kundër Greqisë. Kultivojnë dhe paraqesin një problem që nuk ekziston, me qëllim që të ekuilibrojnë presionin që bëhet për shkak të minoritetit grek në Vorio Epir”. ( Gazta “Kathimerini”, 5 prill 1992).
“Micotaqi u deklaroi bashkëbisedueseve se: “ ekziston mundësia për njohjen e pronave dhe pasurive te tyre”.
Në muajin shkurt 1993 kemi një kritikë të fortë adresuar Greqisë nga SHBA. Në Raportin vjetor të respektimit të të Drejtave të Njeriut në botë për vitin 1993, të Departamentit të Shtetit, në faqen 904 të këtij Raporti publikohet : “ Çamët, shqiptarë etnikë të cilët kanë qenë dëbuar nga veriu i Greqisë në fundin e viteve 1940, kanë kërkuar rikthimin e shtetësisë së tyre greke dhe pasurive të konfiskuara në atë kohë. Qeveria ka shprehur një gatishmëri për të diskutuar kompensimin e pasurive, por nuk do të njohë dhe të deklarojë pretendimin historik të shtetësisë”. Nga përpjekjet që sollën prurje te re në ecurinë e afrimit të një zgjidhje të drejtë e të pranueshme, në periudhën e bisedimeve dypalëshe shqiptaro-greke, veçojmë: Ndihmësen dhe përkujdesjen që iu tregua përfaqësueseve të SHP “Çamëria” për të marrë pjese në aktivitete ndërkombëtare, si ajo e samitit të KSBE-së në Moskë, për minoritetet (10 shtator 1991), me pjesëmarrjen e Abaz Dojakës dhe Bashkim Kuçukut. Ky ishte aktiviteti i parë ndërkombëtar për njohjen dhe sensibilizimin e problemit çam. Një samit i dytë për minoritetet u bë në Varshavë, më 27.09 – 15.10.1993. Si ngjarje e rëndësishme mund të përmendim dhe pjesëmarrjen dhe anëtarësimin në UNPO në Konferencën e Hagës, më 23-24 janar 1995. Apo anëtarësimi në FUEN, etj. Në këto aktivitete delegacioni çam bëri një punë të lavdërueshme të finalizuar dhe në rezoluta.
Takimi i krerëve të kësaj shoqërie në Tiranë me Komisionarin e Larte të KSBE-se për Minoritetet M.Van der Stoel, si një rast për të shprehur zërin e tyre para kësaj figure të larte Evropiane, si dhe një sërë aktivitetesh të mëvonshme.
Kapja e momentit nga ana jonë ( koha ku grekët shpallën në parlamentin e tyre një rezolutë të “genocidit turk ndaj pontëve grek”) dhe në bashkëpunim me deputetin çam në Parlamentin e pare pluralist, z. Abedin Elmazi dhe SHPA ”Çamëria”, duke e formuluar këta të fundit si kërkesë nën kujdesin tonë, bëri të mundur që Parlamenti shqiptar, në unison të djathtë dhe të majtë, nën drejtimin e z. Pjetër Arbnori, në një seancë të veçantë (maj 1994), të miratonte njëzëri datën e 27 Qershorit 1944,( me vendim nr.7839,dt.30.6.1994), duke shpallur zyrtarisht në Kalendarin Kombëtar si “ Dita e Gjenocidit të shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi Grek”. Kjo ishte një arritje dhe një shërbim i madh respekti për viktimat e rena, duke e përjetësuar këtë datë në mënyrë të pashlyeshme në kujtesën historike kombëtare të brezave të ardhshëm.\
Dhe kur përafërsisht u ulën tonet e kërkesave të palës shqiptare?
Duhet të evidentohet se pas këtyre përpjekjeve serioze shteti shqiptar detyrohet nga acarimi i marrëdhënive të zbutë qëndrimin dhe të ulë tonin politik për çështjen çame. Madje kjo u bë e qartë e dukshme gjatë vizitës së MJ grek Papulias në Tiranë, në mars 1995, ku nuk u prek direkt problemi, por shkarazi, vetëm aspekti i pasurive. Mund të thuhet se kjo vizitë, pas një klime të acaruar, i shërbeu vetëm një shou diplomatik për të dëshmuar se palët kishin interes për dialog dhe ecuri të marrëdhënieve, sesa për zgjidhjen e problemeve në detaje, të cilat prisnin sinjalin për trajtim. Megjithatë e rëndësishme ishte se me këtë rast të dy ministrat udhëzuan ngritjen e Komisionit të Përbashkët dhe Nënkomisioneve përbërëse në nivel ekspertësh, për të shqyrtuar problemet midis dy vendeve, ndonëse për rastin e Çamërisë këtu nuk kishim të bënim thjeshtë vetëm me një çështje teknike. Fakt është që edhe këto komisione nuk funksionuan.
Një ngjarje me rëndësi, ku çështja çame mori një goditje të rëndë, ishte rasti historik i firmosjes për herë të parë i Traktatit të Miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, më 21 mars 1996. Shteti grek bëri çmos për të fshehur problemet. Politika vendimmarrëse shqiptare dëshmohet jo unike në qëndrime në këtë moment delikat, duke e reduktuar Traktatin si një akt formal. E vetmja pikë reale dhe me vlerë afatgjate ishte përpilimi i Nenit 15, sipas variantit përfundimtar shqiptar, ku me shumë mundim u sanksionua detyrimi për njohjen e të drejtave pasurore. Ky nen, për hir të së vërtetës, i është imponuar në minutën e fundit ambasadës greke në Tirane në ecejaket e saj për të sqaruar se ç`farë kuptonte pala shqiptare me disa pika të draftit. Kjo vendosmëri e palës shqiptare ishte edhe një vlerë shpëtimi për Çështjen Çame të anashkaluar e injoruar në ketë dokument bazal. Dy dite me pas do te behej nënshkrimi nga dy ministrat e Jashtëm, me rastin e vizitës se presidentit te pare grek ne Shqipëri, z.Stefanopulos. Të dyja palët përpiluan dhe firmosën një Traktat Miqësie më tepër me përmbajtje konjukturale se sa shprehje e një dokumenti gjithëpërfshires të një miqësie të sinqertë në të mirë të dy vendeve dhe dy popujve. Të dy presidentët në bisedime heshtën dhe nuk formuluan asnjë fjalë për të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë. Mbas pak ditësh Presidenti asaj kohe, zoti Berisha, e vlerësoi si arritje të Traktatit Nenin 15 të tij, ku çështja çame theksoi ai, do të zgjidhej sipas këtij neni.
Është vendi të pohojmë se popujt tanë shqiptarët dhe grekët dhe çamët midis tyre nuk e meritonin një përmbajtje të tillë të Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve. Koha po dëshmon se përmbajtja e këtij Traktati nuk i ndihmoi palët në asnjë zgjidhje konkrete.
Viti i mbrapsht i 1997 i dha një goditje të rëndë edhe Çështjes Çame. U desh shumë kohë dhe energji për të riparuar gabimet fatale në politikën e jashtme dhe të brendshme më 1997 dhe se fundmi për të sjelle atë gjendje dhe atë kurajë e seriozitet profesional të diplomacisë shqiptare në raport me vendin fqinjë Greqinë.
Cili është qëndrimi që mban sot diplomacia greke?
Aktualisht, siç u pa edhe gjatë vizitës së fundit të ministrit të jashtëm Venizelos dhe presidentit Papulias, shteti i sotëm grek, diplomacia e tij, e trembur nga realiteti dhe përgjegjësia ndërkombëtare ndaj gjenocidit që kanë ushtruar ndaj popullatës se pafajshme çame, hidhen në sulm, duke bërë presione, apo krijuar pështjellime në planin dypalësh e më gjerë. Për ta njëherë Çështja Çame konsiderohet jo ekzistente, apo e mbyllur, një herë tjetër që mund të diskutohet vetëm aspekti i pronësisë, etj,etj. Qëndrime apo taktika të tilla duket se po e vështirësojnë trajtimin e problemit në të ardhmen, por në anën tjetër këto pozicionime implikojnë në të njëjtën kohë edhe më keq shtetin e sotëm grek, si bashkëfajtor në fshehjen e krimit që ka ndodhur.
Si vijoi aktiviteti i shoqatës pas vitit 1997?
Siç dihet aktiviteti i shoqatës nuk është ndalur asnjëherë edhe pas vitit 1997. Nën drejtimin e Hilmi Saqes shoqata i drejtoi disa memorandume dhe promemorje organizmave ndërkombëtare. Zoti Saqe referoi në mbrojtje të çështjes çame edhe në samitin e Stambollit. Aktiviteti i shoqatës u intensifikua mjaft në kohën kur drejtonte shoqatën z. Servet Mehmeti. Veprimtaritë kulmuan me paraqitjen e një projektrezolute në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2004, fati i së cilës tashmë dihet, por ende janë të freskëta kujtimet e hidhura dhe reperkursionet policore mbi anëtarët e shoqatës dhe ish kryetarin Mehmeti. Vetëm 9 vjet më vonë, me këmbënguljen dhe përpjekjet e deputetëve të PDIU-së, Idrizi e Muhedini, kjo rezolutë doli nga pluhuri i harresës dhe u botua në Fletoren Zyrtare.
Dhe ja sot mblidhemi për të përkujtuar 26 vjetorin e shoqatës sonë të dashur dhe sublime. Shoqata tashmë ka një bilanc të tërë aktivitetesh dhe arritjesh. Por një nga ngjarjet më të shënuara është krijimi partisë sonë PDIU, e drejtuar nga djemtë tanë, me në krye Shpëtim idrizin dhe president nderi Tahir Muhedinin, i cili themeloi PDI-në, si parti e parë parlamentare e çamëve. Me daljen në skenën politike të PDIU_së, erdhi përsëri momenti i thirrjeve dhe sensibilizimit për reflektime të mëdha, si nga shteti i sotëm grek, edhe ai shqiptar. Zoti Idrizi dhe stafi i tij, deputetët çamë në Parlamentin shqiptar, do të vazhdojnë përpjekjet për të sensibilizuar SHBA-të dhe BE-në, si miqtë dhe aletët tanë më të mirë strategjikë, për arritjen e qëllimit final, kthimin me të drejta të plota në vatrat stërgjyshore.
Është momenti që të merren vendime të guximshme dhe të flaket çdo paragjykim për t`u dhënë fund dilemave dhe përpëlitjeve shpirtërore të dy popujve tanë.
Është momenti për arritjen e qëllimit final, kthimin me të drejta të plota në vatrat tona stërgjyshore, në Çamërinë tonë martire. Dhe dita e rikthimit nuk do të vonojë.
Ngjarjet e fundit që tronditën politikën Helene, ku BE-ja dha sinjalet e para për shtrimin për zgjidhje të këtij problemi,krijoi përshtjellim në Qeverinë Greke. Përkujtimi I kësaj ngjarje (26 Vjetorit të krijimit të Shoqatës Patriotike Camëria) duhet të na sjellë në mendje sakrificën e madhe të atyre burravedhe grave came , që u organizuan vetë, pa I detyruar njeri si një obligim të gjyshërve dhe baballarëve tanë, që edhe aty ku janë, presin nga brezi I ri, sakrifica më të mëdha, për ti pushuar atyre, shpirti në paqe. Dhe mos të pajtohemi me sloganin grek, “ta lëmë të kaluarën dhe të shikojmë përpara”, slogan I cili ekziston edhe tek disa politikanë tanë. Rahmet pacin ata që sakrifikuan, u lumtë të rinjve që e kanë marrë në dorë problemin, por mos të harrojnë përpjekjet e të parëve dhe mos të përpiqen ti injorojnë ata. Ecuria e problemit cam sot ka një fillim, e pra ky fillim nuk duhet injoruar.