Shokon murgesha: Maria nuk ishte e virgjër, seksi është bekim
“Maria nuk ka qenë e virgjër”, është kjo deklarata që ka skandalizuar miliona njerëz, sidomos spanjollët. Murgesha argjentinase që jeton në Spanjë, ka dhënë një deklaratë të fortë teksa ishte e ftuar në programin “Chester in love”, ku tha se Maria nuk ishte e virgjër dhe se kryente marrëdhënie seksuale me burrin e saj Jozefin, si në çdo marrëdhënie “normale”.
“Unë besoj se Maria ishte e dashuruar me Jozefin, dhe se ishte një çift normal, dhe është normale që të kenë pasur marrëdhënie seksuale. Vështirë të besohet, e vështirë të kapërdihet (virgjëria) dhe shpesh herë kur tentohet të shpjegohet përfundon duke i bërë njerëzit për të qeshur, sepse mesazhi bëhet i pabesueshëm”, tha motër Lucia Caram.
“Seksi është një mënyrë për t’u shprehur, për të jetuar, për të shprehur ndjenjat dhe dashurinë, dhe është pjesë përbërëse e të gjithë njerëzve, duke përfshirë edhe mua. Për Kishën seksi ishte një temë që konsiderohej i pistë dhe i fshehtë, por unë mendoj se është bekim”, tha Caram teksa theksoi se ajo ka “hequr dorë nga seksi”.
Pas kësaj deklaratë skandalizuese që bëri bujë në media, ka reaguar peshkopi i kishës së Motër Lucias, i cili është shprehur i keqardhur për “konfuzionin” e shkaktuar nga murgesha dhe theksoi se këto “deklarata nuk janë në përputhje me besimin e Kishës”.
Ai gjithashtu tha se Maria “ka qenë e virgjër”. Murgesha pohon se pas këtyre deklaratave ka marrë kërcënime me vdekje dhe në një letër dërguar agjencisë së lajmeve “Efe”, ka kërkuar falje “nëse dikush është ofenduar” nga fjalët e saj dhe konfirmon “besnikërinë dhe dashurinë ndaj Kishës dhe Ungjillit”.