Ismail Kadare: Kristal
Ka kohë që s’shihemi dhe ndiej
Si të harroj un’ dalngadal,
Si vdes tek unë kujtimi yt
Si vdesin flokët dhe gjithçka.
Tani kërkoj unë posht’ e lart
Një vend ku ty të të lëshoj.
Një strofë a notë a një brilant
Ku të të lë, të puth, të shkoj.
Në s’të pranoftë asnjë varr
Asnjë mermer a morg-kristal.
Mos duhet vall’ prap të të mbart
Gjysëm të vdekur, gjysmë të gjallë?
Në s’gjetsha hon ku të të hedh
Të gjej një fushë a një lulnajë
Ku butësisht porsi polen
Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj.
Të të mashtroj ndoshta kështu
Dhe të të puth e t’ ik pa kthim
Dhe nuk do dimë as ne, askush
Harrim ish ky, a s’ish harrim.
Please follow and like us: