Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Trump po hetohet për lidhjet me Rusinë
Agjentë të kundërspiunazhit amerikan po hetojnë komunikimet e këshilltarit për siguri kombëtare të Presidentit Donald Trump me zyrtarë rusë, sipas burimeve të ndryshme, shkruan gazeta e njohur “The Wall Street Journal”. Michael Flynn do të jetë kështu personi i parë në administratën e re të Shtëpisë së Bardhë që po hetohet në kuadër të përpjekjes masive nga FBI, CIA, Agjensia e Sigurimit Kombëtar dhe Departamenti i Thesarit për të kuptuar lidhjet e qeverisë ruse me njerëzit që rrethojnë presidentin e ri.
Flynn është një gjeneral në pension dhe në rolin e ri në Shtëpinë e Bardhë do të ketë shumë peshë në përcaktimin e politikave ndaj Rusisë. Në qendër të vëmendjes do të jetë një seri telefonatash që mes Flynn dhe Sergey Kislyak, ambasadorit rus në SHBA, në datën 29 dhjetor 2016. Atë ditë Presidenti Barack Obama deklaroi sanksionet kundër Rusisë, si përgjigje për ndërhyrjet pirateske kompjuterike për të devijuar zgjedhjet presidenciale. Sipas inteligjencës amerikane, ndërhyrja kompjuterike ishte bërë me urdhër të Vladimir Putinit për të dëmtuar fushatën e kandidates demokrate Hillary Clinton. Po ky nuk është i vetmi incident që po hetohet për Michael Flynn. Ish-gjenerali (i ulur pranë Putinit, në fotografinë lart) ka një histori të gjatë marrëdhëniesh të dyshimta me figura ruse. As nuk është Flynn i vetmi që dyshohet. Ish-kryetari i fushatës së kandidatit Trump, Paul Manafort si dhe këshilltarët Roger Stone dhe Carter Page kanë pasur të tre lidhje të forta me interesat ruse. Manafort i lidhur ngushtë me diktatorin pro-rus Viktor Yanukovych që u rrëzua nga populli ukrainas në 2014. Fonde të shumta janë kaluar në mënyrë ilegale në llogari të Paul Manafort, sipas disa burimeve. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders tha mbrëmë se “nuk kemi absolutisht asnjë dijeni për ndonjë hetim, madje as që ka ndonjë bazë për hetim”. (Ruben Avxhiu/Sipas shkrimit në “The Wall Street Journal”)