Kina ka 200 milionë beqarë
Jemi ende në Festën e Pranverës, kur kinezët që janë larguar nga vendlindja për punë në metropole rikthehen për të festuar me familjet javën më popullore dhe më tradicionale në vend. Por të parmartuarit djem e vajza të moshës 25-35 vjeç i pret një listë me pyetje si ” Kur do të fejohesh?”, “Sikur ka ardhur koha të krijosh familje, apo jo?”. Beqarët vihen në qendër të vëmendjes së prindërve, familjarëve dhe miqve kryesisht në ditë festash dhe takimesh me raste festash.
Sipas një raporti në zhenai.com, që është një nga website-t më të mëdhenj të beqarëve në Kinë, këta të fundit po shfaqin prirje të reja lidhur me statusin e tyre civil.
Të dhënat e Ministrisë së Çeshtjeve Civile tregojnë se në vitin 2015 në mbarë Kinën jetonin 200 milion beqarë dhe numri i tyre në 2016 është rritur. Sipas ekspertëve “bumi i beqarëve” shumë shpejt do të përhapet dhe në qytete të tjera të Kinës. Numri më i madh i beqarëve jeton në metropole, ku Pekini kryeson, i pasuar nga qytetet e tjera të mëdha si Shenzhen, Shanghai, Guangzhou dhe Chengdu.
Lisa Zhao është një 30 vjeçare që punon në Pekin në sektorin e energjetikës. Sipas saj për një beqare është më e lehtë jeta e vetme në një metropol si Pekini. Këtu mentaliteti është më I hapur, por kur Lisa kthehet në vendlindjen e saj në provincën Liaoning ndjen presionin e madh të familjarëve që e pyesin përse nuk martohet. Bashkëmoshatarët e saj që jetojnë këtu tashmë kanë krijuar familje dhe janë prindër, ndaj Lisa për mentalitetin e këtij qyteti cilësohet si “e mbetur”. Por Lisa argëtohet me këtë mentalitet dhe nuk harron të përmendë se në metropolet botërore Nju Jork, Londër apo Paris pjesa më e madhe e 30 apo 40 vjeçarëve janë beqarë.
Partneri ideal
Sipas raportit të websitet zhenai.com 28 vjeçarët janë më aktivët në rrjetet sociale të njohjeve për qëllime lidhjesh sentimentale. Madje numri i tyre në këto website është 3,811 në mbarë vendin.
Të dhënat e raportit tregojnë se partneri ideal për vajzat beqare që kërkojnë të njihen me djem në rrjetet sociale është rreth moshës 33 vjeçare, me banim në Pekin, me të ardhura mujore rreth 20,000 yuan (ose 2,880 dollarë) dhe gjatësi trupore 1.75-1.80 cm. Ky partner ideal njihet rëndom dhe si “burrë cilësor”
“Beqaria” në rritje
Në grupin e të pamartuarve vihet re një prirje e re ajo e “beqarisë”. Sipas një raporti të fundit të agjencisë kombëtare të medias youth.cn, 36.8 për qind e femrave beqare kineze janë të mendimit se jeta si beqare mund të jetë po aq e lumtur sa e martuar.
Të dhënat tregojnë se 40 për qind e beqarëve të intervistuar thonë se është e vështirë të gjesh partner dhe të ndërtosh një lidhje sentimentale që të çon në martesë. Ironikisht vetëm 7.85 për qind e këtyre beqarëve shprehen se u pëlqen të jetojnë vetëm.
Vajza dhe djem beqarë në Kinë mbi të 30-at shprehen për sondazhin se e shijojnë jetën vetëm dhe nuk e kanë zgjedhur si opsion martesën.
Profesionet me më shumë beqarë
Një nga rezultatet më interesante të sondazhit është se në shumicën e rasteve profesioni është shkak për beqarinë e disa prej të rinjve të anketuar.
Në sondazhe del se pjesa më e madhe e beqarëve punojnë në sektorin e IT-së, i ndjekur nga ai i manifakturës, ndërsa numri më i madh femrave beqare gjendet në sektorin e finances.
Të pyetur për preferencat që kanë të rinjtë beqarë lidhur me partnerin, ata radhisin të ardhurat ekonomike, qëndrueshmërinë dhe statusin social. Dy të parat janë tepër të rëndësishme për meshkujt e intervistuar ndërsa i treti është një preference e femrave.
Një tjetër aspekt i sondazhit është se ka një ndryshim thelbësor mes meshkujve dhe femrave beqare përsa i përket preferencave për partnerin. Ndërsa djemtë bëjnë lëshime në disa nga aspektet e rëndësishme gjatë njohjes së një vajze, krejt e kunderta ndodh me vajzat beqare.
Vajzat janë tepër të prera në kërkesat e tyre për gjetjen e partnerit dhe kur frekuentojnë rrjetet sociale nuk bëjnë kompromise, nëse personi që duhet të njohin nuk i plotëson ato.(Eda Merepeza)