Kur Rama kishte frikë nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Agolli
Sigurisht njeriu bën shumë zig-zage në jetë, sepse jeta është e vështirë, duam sduam! Por normalisht mund të luhatesh siqoftë rreth nje boshti dhe të mëkatosh hera herës, por të lexosh kryeministrin, që është sot në majë të piramidës së shumë pushteteve, në krye të arkivolit të Agollit, të kap trishtimi. Të kap trishtimi, se edhe aty ku është, ay, kryeshefi, nuk thotë dot një të vërtetë të vetme! Ose të shkëlqejë me pak fjalë t’thjeshta si e lyp rasti. Por jo! Edhe në vdekje të Agollit, kërkon përmes shtirjes prej firauni të përvuajtur, të budallallepsë, budallenjtë.
Për brezin e intelektualëve, tashmë të lashtë të viteve ’80, Agolli ishte kryekoka e censurës staliniste shqiptare, në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve, kryeroja e zgjuar e linjës politike të kuqe flakë, në letërsi dhe art, që mbijetoi si një dorë e fortë në të gjitha spastrimet më të tmerrshme të viteve ’70-’80, në krizën vrastare të Enver Hoxhës.
Kur u internuan dhe u burgosën këngëtarët e Festivalit 11 në Rtsh, kur u burgos dramaturgu Todi Lubonja, Minush Jero apo u internua regjizori i mrekullueshëm, Kujtim Spahivogli që kam patur fatin ta njihja, apo regjisori Mihallaq Luarasi sëbashku me të shoqen, të supertalentuarën Edi Luarasi dhe qindra raste të tjera. Apo kur u burgos Edison Gjergo, për një pikturë me partizanë që rrinin rreth zjarrit në një mëngjes acari, që më pas u bojatis dhe u shqye. S’po flas për poetët e pushkatuar, për poetët apo shkrimtarët e shtypur dhe të tredhur në heshtje, për intelektualët, që më pas u përzunë si zgjebe nga Shqipëria pas viteve ’90.
Dhe të gjitha këto ndëshkime kriminale të Partisë, kishin të paktën një “Ok”, të dorës së parë edhe nga Agolli, që ndërkohë shkruante poemën “Nënë Shqipëri” kushtuar Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxha dhe rrinte kurdoherë në bashin e vendit dhe në bashin e tribunave, me raki dhe kabuni.
Në të vërtetë është një ditë e keqe për të shkruar këto, por ngushëllohem se i kam shkruar edhe në të gjallë të Agollit dhe megjithë bisedat e gjata telefonike me Sadijen besnike dhe të adhurueshme nga ana njerëzore, nuk mund të ndërroj as mendim, as gjykim dhe as bindje, që shqiptarët sapo varrosën, një nga pinjollët më të rëndësishëm të diktaturës që e la kaq prapa dhe e masakroi mizorisht Vendin tim.
Nuk dua të hy në polemikën politike të Etërve dhe bijve, por dua të kthehem vrik e te kryeministri qaraman dhe shkrimtaruc, që mallëngjeu me hipokrizinë e tij perfekte, Sadijen dhe miletin në të zeza që ishte aty, por sigurisht jo Agollin e fjetur dhe aq më pak mua.
Ishin vitet e largëta ’80. Kryeministri i sotëm do të mbronte diplomën me një pikturë ambicioze murale në katin e parë të shesh pushimit që bashkonte degën e Dramës me Artet Figurative. Ishte i emocionuar por edhe i trembur, sepse ishin vite të këqia dhe frika ishte e madhe. E gdhinim si dy shokë të mirë, deri në mëngjes dhe ai kuronte çdo detaj, ndërsa unë bëja rolin e “komisionit” mbikëqyrës të censurës që do të vinte.
Dhe ja hodhëm komisionit me një hile artistësh, duke u përqendruar te natyra.
Isha nën ndikimin e Walt Whitmanit, aso kohe dhe të kryeveprës së tij poetike “Fije bari”. Dhe kështu muralja e Edit u mbulua nga gjelbërimi, lulet, “fijet e barit” dhe ca të rinj të lumtur, pa kominoshe aksioni, pa pushkë zbori dhe pa shall të kuq, në kujtim të partizanëve. I vetmi mëkat ishte firma e autorësisë, në cepin e djathtë të asaj gjëje, “edi” me të vogla dhe me linja të spërdredhura, për të cilën, Mumtaz Dhrami dhe komisioni u tall sa mundi. Por Edvini i atëhershëm, sot Edi, ja hodhi paq, me sukses dhe pa telashe.
Porse çdo natë që rrinim përpara pikturës së tij të zbehtë nga e keqja, nuk linim gjë pa thënë e pa sharë, për medioktitetin dhe censurën kriminale të Lidhjes së Shkrimtarëve. Në krye të së cilës ishte gjithmonë Agolli, i ri asokohe, energjik, i pushtetshëm dhe i përkëdheluri i oborrit të Enver Hoxhës.
Me Agollin, kryeministri i sotëm, ish-presor te Artet, u ndesh në një mbledhje maratonë gjatë viteve ’89. Madje përpara sherrit, më thirri për ndihmë. Duhet të ndihmonim me diskutimet tona edhe një film shumë të sulmuar televiziv të Mevlan Shanajt, që dridhej si purteka nga frika e Lidhjes dhe Agollit që pinte cingar.
Kam shkruar për këtë episod dhe skam kohë për të humbur që ta rikthej. U fol për pushtetin popullor, që me gjak u fitua dhe vetëm më gjak do të lëshohej, e të tjera si këto, por Rama, pas asaj mbledhjeje që vazhdoi rreth tre ditë, nuk la qyfyre e sharje pa lëshuar për Agollin.
Ishin kohë të tjera.
Mendoj se çdo vdekje është e dhimbshme, edhe ajo e Agollit. Madje duhet të shtoj me aq sa di, se Agolli, nuk ishte aspak më radikali i llojit të vet. Përkundrazi, kishte qasje të dashur dhe të ngrohtë prej babaxhani dhe ishte larg së qeni një krijesë e sertë apo gjuhëgjarpër, si ata që popullonin Lidhjen e Shkrimtarëve të asaj kohe. Kjo sepse ishte i sigurtë, se ndërmjet komunistëve, ishte ndër më të talentuarit dhe dinte të vjershëronte me vargje të puthitura dhe tingëlluese, që i pëlqenin bossit Hoxha.
Për mua personalisht dhe në rrafshin njerëzor, do të ishte mirë që Agolli të jetonte edhe 100 vite të tjera, sepse çfarë është bërë, është bërë tashmë dhe nuk zhbëhet më. Por të vërteta të hidhura e pendestare, ai nuk tha kurrë me sa di.
Por tek lexova fjalën e vrerosur të kryeministrit, që fliste për Agollin, me qëndismat e veta boshe dhe hipokrite që nuk kishin të sosur, më erdhi një e pështjellë në stomak, tek ndesha te fjalët “pluhur yjesh” dhe qurravitje mashtruese të tjera si këto.
Nuk jam ende i bindur pse shkrova.
Dritëroit, si Kristian që jam, i uroj gjumë të qetë dhe takim paqësor në Botën Tjetër, me poetët e pushkatuar dhe të “Mjerët” që ikën nga kjo botë, më dhimbshëm dhe më pa bujë se qentë, që vriten sot rrugëve nga makinat e shpejta.
Por nuk mund të tërhiqesha dot, përpara britmës që vjen nga përtej varri, i “Pluhurit të vërtetë të Yjeve Shqiptare”, që ranë në moçalin e zymtë të Shqipërisë.