Rezoluta e PE për Shqipërinë, votimi në 14 shkurt
Parlamenti Evropian ka vendosur zyrtarisht të votojë më 14 shkurt rezolutën për Shqipërinë, bazuar në raportin e përgatitur nga Knut Fleckenstein dhe të miratuar në Komisionin e Jashtëm.
Votimi i raportit dhe rezolutës vjen vetëm 5 muaj përpara se shqiptarët të zgjedhin deputetët e rinj. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe zbatimi i reformës në drejtësi shihen si kusht për integrimin evropian edhe nga drejtuesi në vite i Komisionit të Jashtëm, Elmar Brok. Sipas tij, zgjidhja për reformat është dialogu mes pozitës dhe opozitës.
“Bisedime dhe bisedime, sepse dialogu për reformat është në të mirë të qytetarëve. Ne jemi në proces konsultimesh me zyrtarët shqiptarë dhe të vendeve të rajonit për vijimin e procesit të integrimit. Ata kanë një mesazh të qartë që është zotimi ynë për t’i mirëpritur në familje. Më parë duhen zbatuar detyrimet sepse ne do të vlerësojmë individualisht secilin shtet në bazë të meritës. Në këtë pikëpamje, zbatimi i reformës në drejtësi është hap i madh”, tha Brok.
Edhe ambasadori zviceran Graf thekson depolitizimin e komisioneve të votimit dhe transparencë në fondet që përdorin partitë politike. Zvicra ka kombinuar elementet e votimit dhe numërimit elektronik në disa kantone dhe për çështje të ndryshme, ndaj, sipas tij, kjo eksperiencë është e vlefshme në të ardhmen.