LI SHANG – JIN• (?812-858)

Me qe sot shkruhen shume poezi dashurie… po theksoj se kjo teme eshte shume serioze dhe nga me te lashtat e artit poetik.

Dhimbjet e dashurisë dhe bukuria e gruas janë temat serioze të tij. Li Shang-jin (?812-858) mbahet si një nga poetët “e papërkthyeshëm”. Poezia e tij e dëndur në metafora dhe me shumë aluzione nga qytetërimi i veçantë kinez, kur përkthehet, shoqërohet dhe me komente.

LUTA E ÇMUAR
Luta e çmuar me pesëmbëdhjetë tela
Vjen vetëm për fat.
Një nga një telat dhe gdhendjet
Rizgjojnë rininë që e pat.
Një flutur nga ëndrra Çuang Cu-në
E çon në pyll e terr pa fund.
Uang-ti me zërin e qyqes
Kërkon një dashuri në askund.
Pret detin e gjerë nën hënën e plotë
Perla që të derdhë lotë;
Kur dielli djeg Malet e Mavinjtë,
Tymon purpuri mbi nefrit.
I mban, i pjek gjatë kujtimet
Nën vështrimin e ngrohtë përbrenda:
Erë dhe hije janë sot.
Kur i jetove, vallë a s’qenë ëndërra? 1)
1) Shënime për sfondin e tërthortë të kësaj poezie:
Mjeshtri Fu-hsi shpiku lutën (një farë lahute) me pesëdhjetë tela. Perandori urdhëroi Damën e Bardhë që të luante muzikë, por Dama e Bardhë, ndodhur nën një hidhërim të padurueshëm, i këputi menjëherë gjysmën e telave.
Një natë Çuang Cu pa në ëndërr sikur ishte flutur. Të nesërmen në mëngjes nuk ishte më në
gjëndje të dallonte: ai Çuang Cu-ja e pa veten në ëndërr sikur ishte flutur, apo është diku ndonjë flutur që e ëndërron veten e saj si Çuang Cu (?)
Uang-ti, mbreti i Shu-së, i kapur në marrëdhënie jashtë martese me gruan e një prej ministrave të tij, mërgoi larg dhe, nga turpi, u shndërrua përfundimisht në qyqe. Edhe sot popullsia e Shu-së, sa dëgjon qyqen, çohet më këmbë e thërret: “Mbreti, mbreti Uang-ti”.
Nën hënën e plotë gocat e detit mbushen plot e për plot, nën hënën e ngrënë ato zbrazen tërësisht.
Përtej Detit të Jugut janë sirenat; në ujëra jetojnë si peshqit e tjerë; në tokë tjerrin dhe endin pëlhura si të gjithë gratë e tjera; kur i shtydhin sytë e përlotur, u pikojnë perlat.
Nefritja e Purpurt u ndalua të martohej nga mbreti, i ati i saj, dhe vdiq. Një mëngjez, kur mbreti po krihej, pa të bijën dhe në habi e mallëngjim thirri: “U ngjall prapë”! Nëna u lëshua të përqafojë të bijën. Por, në një grimë kohë, Nefritja e Purpurt u shpërnda si tym.
Tai Hsu-luni (723-789) thoshte se skena e paraqitur nga një poet duhet të jetë si tymi që tymon nga nefriti i pastër i Maleve Mavi, në orët kur dielli djeg e përvëlon përmbi ta. Tymi nuk duket në afërsi. Kur largohesh, që nga thellësitë, vështron tym të purpurt te shpatet përballë.
Eksperienca e Li Shang-jinit na thotë se shpesh çfarë është ëndërr, është jashtë mase më e vërtetë se sa realiteti i gjallë e i prekshëm dhe, e kundërta, nganjëherë realiteti e tejkalon vetveten, bëhet ëndërr. Sidoqë njeriu mbetet i parealizuar në jetë, sidoqë në art distanca nga lotët krijon perlat, sidoqë këtu poeti e sheh jetën e vet të mëparshme si një tjetër (Uang-ti në metamorfozë), prapë prapë… sirenat e gjalla janë më të çmuara edhe se margaritarët që shtrydhen nga sytë e tyre të përlotur.