Turqia dhe Greqia, lufta virtuale dhe “braktisja” amerikane
Greqia dhe Turqia prej më shumë se dy javësh janë në një spirale tensioni pas vendimit të Gjykatës Supreme Greke për të mos i dorëzuar Ankarasë 8 ushtarakët turq që u larguan në Greqi pas grushtit të shtetit.
Mediat greke dhe ato turke projektojnë episode të nxehta në Egje nisur nga retorika me tone të larta e ministrave të Mbrojtjes apo edhe ministrave të Jashtëm të dy vendeve. Gjithë kjo përplasje përvijohet ndërkohë që mes Qipros dhe Turqisë po kryhen bisedime për federatizimin e ishullit dhe rregullimin demokrafik përmes një harte të pranuar nga të dyja palët për zonat ku do të jetojnë greko-qipriotët dhe turqit.
Athina ka mbajtur një profil të ulët në lidhje me statusin e ishujve të Egjeut Lindor ku Turqia ka shfaqur pretendime. Kryeministri grek Aleksis Tsipras i ka quajtur shqetësuese “pretendimet dhe veprimet provokuese të Turqisë në detin, duke ia përcjellë këtë mesazh kancelares gjermane, Angela Merkel në takimin e shkurtër që patën gjatë samitit të Maltës. Sipas burimeve qeveritare, Tsipras i tha kancelares Merkel se veprimet turke dëmtojnë marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.http://www.ekathimerini.com/215911/article/ekathimerini/news/athens-on-alert-over-aegean-tensions
Nga ana tjetër kryeministri turk Yildirim ka folur për 130 ishuj shkëmborë në Egje, të cilët nuk është e qartë se kujt i përkasin. Por zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke u përgjigj se “Turqia si palë jo nënshkruese e Traktatit të Paqes e në Paris midis Italisë dhe vendeve aleate në vitin 1947, nuk ka asnjë të drejtë mbi ishujt e Dodekanezit, mbi të cilët Greqia ka sovranitet të plotë”.
Deklaratat e Athinës dhe Ankarasë janë shoqëtuar edhe me episode të nxehta në Egje, ku avionë F16 të palës turke kryen fluturime mbi hapësirën ajrore greke. Përplasja greko-turke është një prej konflikteve që mund të përshkallëzohet në 4 vitet e ardhshme për shkak edhe të ndryshimeve që pritet të ndodhin në Perëndim pas zgjedhjes së Donald Trump si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gazetari dhe analisti i njohur grek Aleksis Papahelas thotë në një shkrim për Kathimerini se Amerika për arsye estetike, ideologjinë dhe perceptimin e gjërave, mund të veprojë si një kundërpeshë ndaj korrektësisë së tepruar politike dhe arrogancën së elitës amerikane, duke shkuar në një version më të egër se Reagan.http://www.kathimerini.gr/892828/opinion/epikairothta/politikh/erxontai-dyskola-xronia
“Proteksionizmi do të sfidojë sistemin e globalizimit. Shkëputja e detyrave të përhershme të Amerikës do të krijojnë një skenë të re. Për ne këtu në Greqi do të thotë se nuk do të jetë dikush në Shtëpinë e Bardhë që kujdeset për Evropën dhe do të marrë në telefon për të folur me Merkel në lidhje me nevojën për të qëndruar vendi ynë në euro. Amerikanët e Trumo duken jo të interesuar për një Evropë të bashkuar, e cila ishte bërë një shtyllë kryesore e politikës amerikane”-shkruan Papahelas.
Sipas tij e sigurtë është se Perëndimi do të hyjë në një fazë të re. Dhe efektet do të ndjehen në ato që mund të quhen hallkat më të dobëta të Perëndimit, siç janë edhe marrëdhëniet greko-turke.