Turqia ‘grusht’ ISIS-it, 700 militantë të arrestuar në mbarë vendin
Turqia i ka dhënë një “grusht” të fortë organizatës terroriste të ISIS-it në operacionin më të madh anti-terroritst të organizuar kundër xhihadistëve të dyshuar.
Ministria turke e Punëve të Brendshme njoftoi sot se 748 persona të dyshuar janë arrestuar vetëm të dielën gjatë një super-operacioni në 29 provinca të Turqisë, përfshirë Ankaranë, Stambollin, dhe Izmirin.
Ndërkohë, ministria tha se 72 të dyshuar të tjerë janë arrestuar përgjatë javës së kaluar duke e çuar numrin total të të arrestuarve në 820.
“Al Jazeera” thotë se shumica e të arrestuarve janë shtetas të huaj.
“Ky është operacioni më i madh i koordinuar dhe i njëkohshëm që Turqia ka ndërmarrë ndaj atyre që i quan ‘pjesëtarë të dyshuar të ISIS-it’”, thotë Stefanie Dekker e “Al Jazeera”-s nga Gaziantepi, Turqi.
Turqia ka qenë në objektiv të sulmeve terroriste të ISIS-it shumë herë. I fundit ishte sulmi i natës së Vitit të Ri në Klubin Reina, ku 39 persona mbetën të vdekur teksa festonin.
Ushtria turke po ashtu po lufton kundër terroristëve të ISIS-it në qytetin e Al-Bab-it në Siri, ku janë vrarë të paktën 48 ushtarë turq, sipas agjencisë AFP.