Zamira Rami: Deviza ime për t’i shërbyer komunitetit në Gjirokastër
Të jem në postin e kryetares së Bashkisë Gjirokastër është një privilegj që komuniteti ma besoi dhe po e ushtroj me përgjegjësinë maksimale çdo ditë të punës time.
Jam e vetëdijshme se në këtë rrugë të gjatë në shërbim të Gjirokastrës sonë, të shtyrë nga ethet e zgjedhjeve, kundërshtarët (dhe jo vetëm ata politikë) do të jenë edhe më aktivë në “betejën” për të treguar një realitet ndryshe nga sa banorët e shohin dhe e prekin. Gjatë gati 2 viteve, çdo sulmi, qoftë personal, profesional apo edhe politik kam zgjedhur t’i përgjigjem me punë konkrete dhe shërbim ndaj qytetarëve.
Por, kur sulmet, e orkestruara nga fije në dukje të padukshme, e që serviren nga media që valëvisin flamurin e “paanësisë dhe profesionalizmit”, nga “News” që nuk janë as nga Jugu e as nga Veriu, por nga imagjinata, janë të gënjeshtërta deri në mjerim, nuk më mbetet rrugë tjetër, jo vetëm t’i hedh poshtë, por të inkurajohem më shumë të vazhdoj me filozofinë e punës dhe jo fjalëve.
Zamira Rami, si kryetare e Bashkisë Gjirokastër deri në vitin 2019 ka vetëm një objektiv madhor, atë të shërbesës ndaj komunitetit.
Zamira Rami si anëtare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka të njëjtin objektiv si çdo anëtar i kësaj force politike, forcimin e LSI-së përmes shërbesës ndaj qytetarëve.
Çdo tentativë për të treguar përplasje të paqena, luftë të brendshme imagjinare apo akuza të ulëta, nuk bëjnë asnjë efekt tjetër, përveçse rikonfirmojnë faktin se çdo ditë e më shumë jemi më të suksesshëm.
Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj, për këtë reagim të imponuar nga përçartjet e një grushti njerëzish që shohin me syze të errëta çdo gjë, ju falenderoj për mbështetjen e pakufi që më keni dhënë e vazhdoni të më jepni.
(Marrë nga faqja zyrtare në facebook)