Gjyqtarët e prokurorët, biznesmenë dhe qejflinj udhëtimesh jashtë shtetit
“Prokurorët janë edhe më të ‘rehatuarit’ nga pikëpamja e banesave, ndërkaq gjyqtarët kanë më shumë biznese të cilat drejtohen nga burri ose gruaja që nuk janë gjykatës, ose janë rrjedhim i trashëgimisë”
“Pasuria e gjykatësve është shpeshherë mbi mundësitë që u jep pagesa mujore për shkak të detyrës që kryejnë”. Në këtë konkluzion ka arritur Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë. Raporti i përgatitur (“watch dog”), është bërë publik për mediat. Në këtë raport, pasqyrohen rezultatet e kontrollit të deklarimeve të pasurisë dhe konfliktit të interesit për zyrtarët e sistemit të drejtësisë, konkretisht gjyqtarëve në të gjitha shkallët e gjyqësorit, si edhe prokurorëve.
Raporti përfshin të dhëna të grumbulluara gjatë periudhës prill – dhjetor 2008 dhe është pjesë e një projekti të mbështetur dhe financuar nga Ambasada Britanike në Tiranë.
Të dhënat e mbledhura janë përpunuar duke dhënë përgjigje disa pyetjeve themelore përmes të cilave sigurohet edhe një rezultat rreth zbatimit të dy ligjeve.
Sipas këtyre të dhënave, mësohet se gjyqtarët e prokurorët, i shmangen deklarimit të pasurive nëpërmjet fshehjes së saj, duke e transferuar te të afërmit, nëpërmjet huas apo dhurimit. Po kështu, mësohet se gjyqtarët e prokurorët kanë pasione dhe preferenca udhëtimet dhe pushimet jashtë shtetit, të cilat nuk justifikohen me të ardhurat e tyre, krahasuar me shpeshtësinë e këtyre udhëtimeve dhe pushimeve. Gjyqtarët dhe prokurorët, mësohet se janë “të pasur” për sa i përket edhe apartamenteve e bizneseve që kanë në emër, të tyre, apo edhe të familjarëve.
Përzgjedhja e të investiguarve
“Watch Dog”, në përbërje të Qendrës për Transparencë dhe Informimin e Lirë, ka seleksionuar me zgjedhje të lirë rreth 5 për qind të zyrtarëve të drejtësisë dhe vetëm në katër raste është përdorur seleksionimi i përzgjedhur për shkak të detyrave që mbajnë zyrtarët.
Gjykatat dhe prokuroritë e vendit numërojnë 646 gjykatës dhe prokurorë në shkallë të ndryshme të gjyqësorit si dhe në Prokurorinë e Përgjithshme dhe prokuroritë në rrethe. Nga ky numër, mësohet se 5 për qind e tyre kanë qenë pjesë e investigimit të Qendrës për Transparencë dhe Informimin e Lirë.
Raporti në sqarim të metodikës së përdorur, sqaron së është zgjedhur një numër më i madh nga gjykatësit për shkak se edhe perceptimi për ta lidhur me shkallën e korrupsionit është më i madh krahasuar me organin e akuzës. Zgjedhja ka qenë e lirë duke përjashtuar pesë raste drejtuesish të institucioneve apo drejtorive të rëndësishme. Sipas kësaj përzgjedhje, mësohet se 25 gjyqtarë dhe 5 prokurorë kanë qenë objekt i këtij investigimi. Ndër gjyqtarët, e investiguar, 68 për qind e tyre punojnë në gjykatat e Tiranës ndërsa 32 për qind në gjykatat e rretheve. Ndërsa prokurorët janë të gjithë të punësuar në Tiranë me përjashtim të një rasti.
Fshehja e pasurisë nga zyrtarët e drejtësisë
Në raportin e Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë, mësohet se gjatë investigimit, janë konstatuar raste të fshehjes së pasurisë. Sipas raportit, mësohet se bëhet fjalë për garazh, truall dhe apartament.
Fshehja e pasurisë konstatohet nëpërmjet transferimit të saj (pasurisë), huasë, dhuratës. Sipas Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë, mësohet se “Ky është momenti më i dukshëm i fshehjes së abuzimit të zyrtarëve. Kemi dhurim vilash, apartamentesh, makinash. Deklarime për marrje borxhi në shuma të mëdha nga familjarë, veçanërisht nga ata që kanë të afërm emigrantë. Në të gjitha rastet nuk është shpjeguar burimi i të ardhurave të përfituara nga transferimi apo të transferuara te të tjerët, kryesisht vjehrri, vjehrra, nëna, babai, ose vëllai”, thuhet në raport. Sipas raportit, mësohet se, nuk është konstatuar konflikt interesi përgjatë deklarimeve të zyrtarëve të drejtësisë. Vetëm në një rast është konstatuar një konflikt i perceptuar interesi, ose në total në 3 për qind e të gjithë zyrtarëve të drejtësisë.
Pasuritë në shtëpi, vilat dhe biznese
Sipas raportit të Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë, mësohet se gjyqtarët figurojnë më shumë si biznesmenë, ndërsa prokurorët, me më shumë pasuri të patundshme, sikurse janë shtëpitë. Sipas raportit mësohet se, janë matur rastet me një apartament, dy apartamente, vila, biznese, etj. “Kjo ndihmon që të perceptojmë situatën sociale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, bazuar mbi deklaratat e tyre të pasurisë”, sqaron raporti i Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë. “Shumica e zyrtarëve të drejtësisë jetojnë në një apartament, më pak kanë dy apartamente, si dhe më pak kanë vila. Nga grafiku i parë bie në sy që prokurorët janë edhe më të ‘rehatuarit’ nga pikëpamja e banesave, ndërkaq gjyqtarët kanë më shumë biznese të cilat drejtohen nga burri ose gruaja që nuk janë gjykatës, ose janë rrjedhim i trashëgimisë”, arrin në një tjetër përfundim raporti i Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë.
Udhëtimet dhe pushimet preferohen jashtë vendit
Gjyqtarët janë të apasionuar për udhëtimet jashtë vendit, ndërsa preferojnë që edhe pushimet t’i bëjnë jashtë Shqipërisë. Raporti i Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë, bënë ët ditur se, “sipas të dhënave të mara nga disa gjykata, një gjykatës mund të udhëtojë zyrtarisht jashtë shteti jo më shumë se 1 ose 2 herë në vit, dhe kjo për një numër të vogël gjyqtarësh”. “Udhëtimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas viteve janë, në 2005 – 84 udhëtime, në 2006 -119 udhëtime, në 2007- 134 udhëtime dhe në 2008 – 118 udhëtime. Referuar shifrave të mësipërme i takon që çdo gjyqtar ose prokuror ka udhëtuar afërsisht tre herë jashtë shtetit në vitin 2005, afërsisht katër herë në 2006, afërsisht pesë herë në vitin 2007, dhe katër herë në vitin 2008. Ka gjyqtarë të cilët nuk kanë udhëtuar asnjëherë siç ka gjyqtar që brenda një viti ka udhëtuar jashtë vendit, me makinë ose avion 46 herë ose ndryshe çdo javë. Në fluksin e udhëtimeve më frekuentët janë gjykatësit se sa prokurorët”, sqaron më tej i njëjti raport i Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë.
Për sa i përket se çfarë zgjedhin për udhëtim zyrtarët e drejtësisë, mësohet se me avion preferojnë 117 ose 15 për qind, me makine ose traget 637 ose 84 për qind dhe me autobus 3 ose 1 për qind, e tyre.
Gjyqtarët dhe prokurorët preferojnë të bëjnë jashtë vendit edhe pushimet.
Sipas raportit të Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë, mësohet se, “për vitin 2007, 32 për qind e gjykatësve dhe prokurorëve i bënë pushimet jashtë ndërsa 68 për qind i bënë ato në Shqipëri. Në 2008 ka një rritje të numrit të pushuesve jashtë. Nëse në 2007 kanë bërë pushimet jashtë 8 gjykatës dhe prokurorë, në 2008 kanë bërë pushimet jashtë 11 gjykatës dhe prokurorë. Ndryshe në 44 për qind të rasteve pushuan jashtë vendit ndërsa në 56 për qind ishin në Shqipëri. Për festat e fundvitit ata janë më dorështrënguar. Në vitin 2007 në 24 për qind të rasteve ata kanë festuar jashtë ndërsa 76 për qind në vend”, thuhet në raportin e Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë.
Propozimet e Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë
* Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të kontrollojë deklaratat e pasurisë së gjykatësve dhe ta përfshijë kontrollin e saj në të gjitha rastet e transferimit, emërimeve apo ngritjeve në detyrë.
* Edhe Ministria e Drejtësisë duhet të përfshijë në detyrat e kontrollit të kësaj ministrie kontrollin e deklaratave të pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve.
* Me gjithë përmirësimet që i janë bërë formularit është e domosdoshme që ai të lehtësohet edhe më tej. Sa më i thjeshtë të bëhet ai, aq më lehtë plotësohet nga zyrtarët dhe aq më vështirë bëhet për këta të fundit të shmangin detyrimet e deklarimit.
* Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive duhet të shtojë numrin e gjykatësve dhe prokurorëve në listën e përvitshme të personave që kontrollohen. Kjo mund të behet e mundur duke ndryshuar mënyrën e hedhjes së shortit.
18 mars 2009
Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë, publikon raportin e kontrollit të deklarimeve të pasurisë dhe konfliktit të interesit për zyrtarët e sistemit të drejtësisë